Akademi përkujtimore me rastin e 75-vjetorit të Konferencës së Bujanit…

799
Sigal

Ibrahim Hajdarmataj

– Me rastin e 75-vjetorit të Konferencës së Bujanit, organizata e Veteranëve të LANÇ-it të Kosovës, në bashkëpunim me organizatën e Veteranëve të LANÇ-it të Tropojës, organizuan Akademi Përkujtimore, në vitin jubilar të 550-vjetorit të kalimit në amshim, të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

– Aktiviteti filloi me vendosjen e kurorës me lule tek varri i Sali Man Mulosmani në Bujan, nga Z. Afrim Deva, sekretari i organizatës së Veteranëve të LANÇ-it të Gjakovës me kolegun e tij të Tropojës, Z.Zeqir Hasanapapaj. Ndërsa tek Kulla e Sali Man Mulosmanit u vendos kurorë me lule nga Kryetari i Veteranëve të LANÇ-it të Gjakovës, Z. Skënder Hoxha me kolegun e tij të Tropojës, Z. Rexhep Shpati. Në varrezat e Dëshmorëve të LANÇ-it të Tropojës, u vendosën kurora me lule nga Kryetari i organizatës së Veteranëve të LANÇ-it të Kosovës, Z. Zija Mulhaxhaj dhe Kryetari i komunës së Rahovecit, Z. Smajl Latifi, ndërsa në qytetin e Bajram Currit u vendosën kurora me lule tek lapidari i luftëtarit Asim Vokshi, nga anëtari i kryesisë së LANÇ-it të Kosovës, Z. Shefqet Vokshi dhe intelektuali tropojan Sherif Mulosmani. Po në qendër të qytetit, u vendosën kurora me lule tek monumenti i Bajram Currit, nga kryetari i organizatës së Veteranëve të LANÇ-it të Kosovës, Z. Zija Mulhaxhaj dhe ai i LANÇ-it për Tropojën, Z. Rexhep Shpati.

Më pas pjesëmarrësit ndoqën me vëmendje Akademinë Përkujtimore me rastin e 75-vjetorit të mbajtjes së Konferencës së Bujanit, në Pallatin e Kulturës “Dardania “ në qytetin e Bajram Currit.

Fjala e Prefektit të Qarkut të Kukësit Z. Zenel Kuçana

“Konferenca e Bujanit mbetet një nga ngjarjet më të mëdha të historisë së kombit shqiptar.

Këtu u përçua zëri i Kosovës, e drejta për t’iu bashkuar tokës mëmë e kurrsesi si pjesë e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene më vonë ish-Jugosllavia. Bujani si krejt Malësia e Gjakovës tashmë ishte histori, vazhdim i traditës shekullore të burrave të Kuvendit dhe trimave të paepur. Kjo rezolutë u bë referencë shkencore për të gjithë ata miq të mëdhenj britanik, amerikanë etj. që mbrojtën çështjen e Kosovës në simpoziumet më të larta botërore, në Oxford apo në Harvard, apo në qendra të tjera të botës. Duhet theksuar se Konferenca e Bujanit dhe Rezoluta e saj, u shfuqizua në Gusht të vitit 1945 në Konferencën e Prizrenit, ku të pranishmit, kësaj radhe shumë komunistë serbë e malazezë, me shumicë, votuan një rezolutë tjetër, e cila parashihte që Kosova të mbetej nën Serbi, ashtu sikur kishte qenë nën Jugosllavinë e Versajës. Me duartrokitje të vazhdueshme u percoll fjala e Kryetarit të organizatës së Veteranëve të LANÇ-it të Kosovës, Z. Zija Mulhaxhaj, i cili bëri lidhjen vëllazërore të Kosovës me Shqipërinë Amë, si dhe mikpritjen, bujarinë, fisnikërinë që treguan vëllezërit tanë në Shqipëri për ne kosovarët gjate Luftës…

Ndërsa Prof. Dr. Akademik Jusuf Bajraktari, zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave të Kosovës referoi: Konferenca e Bujanit – Mësim për historinë”

“Në 75-vjetorin e kësaj ngjarjeje madhore, duhet pohuar se me gjithë mohimet, ndëshkimet dhe paradigmat politike, që janë bërë në të kaluarën, Konferenca e Bujanit, ka mbijetuar. Sa më shumë kanë kaluar vitet, ajo ka arritur të konfirmohet si një vlerë e përgjithshme që lindi në kohën e duhur, u mbajt në vendin e duhur, u miratua me pajtimin e të gjithëve nga përfaqësues të duhur, me prezencën e misionit anglez si misionarë të Bllokut Antifashist – fitimtarë të Luftës së Dytë Botërore. Pikërisht për këto vlera dhe forcën e saj mobilizuese, jo vetëm në Kosovë, Konferenca e Bujanit meriton afirmimin dhe respektin e institucioneve të shqiptarëve kudo që janë.

Mbështetur në burimet e kohës, mund të konstatohet se me 31 Dhjetor 1943 dhe 1 e 2 Janar 1944, në Kullën e patriotit Sali Mani në Bujan të Krasniqes, në Malësinë e Gjakovës zhvilloi punimet me sukses të plotë, Konferenca Themeluese e Këshillit Nacionalçlirimtar për Kosovë e Rrafsh të Dukagjinit. Aty në prezencën e 49 delegatëve përfaqësues të viseve të Kosovës, prej të cilëve 43 ishin shqiptarë dhe 6 prej tyre serb e malazez, u zhvilluan diskutime e debate të vlefshme dhe u miratuan dokumente të rëndësishme për punën e mëtejshme në terren. Në mbështetje të dokumentit me emrat e nënshkruesve ose firmëtarëve të Konferencës, shihet se ishin personalitete me përgjegjësi ushtarake si dhe me autoritet në mjediset prej nga vinin, si Fadil Hoxha – komandant i aradheve partizane, Mehmet Hoxha – prefekt, Zekirja Rexha – profesor i filozofisë, Hajdar Dushi – drejtor banke, Xhevdet Doda – drejtor shkolle, Rifat Berisha – prefekt dhe oficer, Bije dhe Xhafer Vokshi – të familjes së njohur patriotike Vokshi nga Gjakova, ndërsa nga Malësia e Gjakovës, Shkodra dhe Tirana vinin Tefik Çanga, Din Bajraktari, Mehmet e Jah Mulosmani, Veli e Maxhun Nimani ( Doçi ), Beqir Ndou, Shaban Haxhia, Avdyl Kerim Ibrahimi, vëllai i kryetarit të KMKK-së – Hoxhë Kadri Prishtina, e të tjerë, shumica e tyre me Akademi Ushtarake ose studentë të dalluar të asaj kohe. Po ashtu nga Plava e Gucia, merrnin pjesë Zymer Halili, Mehmet Dermani, Sadik Bekteshi e Bejto Shamani. Në anën tjetër, merrte pjesë edhe Pavle Joviqeviqi, sekretar politik i PKJ-së për Kosovë e Rrafsh të Dukagjinit. Të gjithë këta delegatë, përfaqësonin zona të rëndësishme për shtrirjen e Lëvizjes Antifashiste. Padyshim se dokumenti më i rëndësishëm është Rezoluta, e cila bën fjalë për të drejtën e patjetërsueshme për vetëvendosje. Aty pa ekuivokë thuhej:

“Kosova e Rrafshi i Dukagjinit asht një krahinë e banueme me shumicë nga populli shqiptar, i cili si gjithmonë ashtu edhe sot dëshiron me u bashkue me Shqipninë…” Kjo ishte pjesa, që me të drejte e mori primatin e vëmendjes së opinionit të gjerë.

Në Konferencë u shtruan për zgjidhje dy çështje fondamentale:

E para, formimi i Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës, i cili do identifikohej me individualitetin e subjektivitetit politik-shtetëror të Kosovës dhe

E dyta, do të ishte zgjidhja e çështjes kombëtare për të ardhmen e shqiptarëve, gjë që paraqitet si risi për kohën në flakën e Luftës”. Në këtë Akademi Përkujtimore përshëndeti edhe nënkryetari i bashkisë Tropojë, Z. Astrit Margjeka, veprimtari, Z. Zenel Vidrica, intelektuali tropojan Z. Lirim Mulosmani, sekretari i organizatës së Veteranëve të LANÇ-it të Tropojës, Z. Zeqir Hasanpapaj dhe kryetari i organizatës se Veteranëve të LANÇ-it të Tropojës, Z. Rexhep Shpati, i cili lexoi përshëndetjen e kryetarit të organizatës së Veteranëve të LANÇ-it të Shqipërisë, Z. Rrustem Peçi me rastin e 75-vjetorit të Konferencës së Bujanit. Në fund të kësaj Akademie Përkujtimore, anëtaret e pallatit të Kulturës “Dardania” të qytetit Bajram Curri, dhanë një koncert të pasur artistik, me këngë e valle karakteristike të Malësisë së Gjakovës. Jehona e Konferencës së Bujanit edhe pas 75 vjetëve, është në zemër e në mendje të shqiptarëve.