Agronomët: Mashtrimi i madh, me pronësinë e familjes “Nosi”

644
Ka 11 vjet që në Gjykatën e Shkallës së Parë në Elbasan vazhdon një proces gjyqësor civil, ku familja “Nosi” ka paditur në gjyq për pushtim prone e dorëzim sendi një grup agronomësh (4 vetë) të ish-Ndërmarrjes Bujqësore (NB). Në 1993 në muajin tetor-nëntor kur filloi privatizimi i pronës shtetërore, një grup agronomësh, punonjës të asaj ndërmarrje nëpërmjet Agjencisë së Privatizimit të Ndërmarrjeve Bujqësore aplikuan për privatizimin e një serre me ngrohje qendrore (me avull) prej 5,8 ha dhe pas miratimit nga Agjencia Kombëtare e Privatizimit (AKP) të NB aplikuam menjëherë për një kredi disa milionëshe (44 milionë lekë të vjetra) në Bankën Bujqësore të kohës dhe e privatizuam atë. Prona ishte mjet kryesor prodhimi sipas librit kontabël themelor të pronave të NB dhe jo mjet i lëvizshëm si serrat diellore siç e katandisi qëllimisht gjykatësi i procesit gjyqësor Nr. 3, 2011-2016, Z. Sh. Ndërsa tokën e kësaj sere AKP na e dha në përdorim. 

Disponojmë edhe ne edhe dosjet e gjykimit shkresën zyrtare të kësaj drejtorie dt. 03.11.1993, me nr. prot. 1778/1 e të firmosur nga drejtori i kohës. Më vonë morëm edhe dokumentin zyrtar të pronësisë të pjesës mbitokësore nga Zyra e Hipotekës pranë Gjykatës së Rrethit Elbasan nr. 241, dt.05.04.1995. Duhet theksuar se vlera totale e pjesës mbitokësore është shumë më e madhe se vlera e tokës. Në 2006 paditemi në gjyq për pushtim të padrejtë të pronës nga familja “Nosi” fillimisht si trashëgimtare të pronës para vitit 1944. Këtu fillon kalvari 11 – vjeçar i gjyqeve dhe që vazhdon edhe sot sepse dosja gjyqësore ndodhet në Gjykatën e Lartë. Familja Nosi pretendonte se ishte trashëgimtare e kësaj prone prej 6 ha dhe paraqitën në gjyq certifikatën e pronësisë nga ZRPP Elbasan. Certifikata e datës 31.01.2005 mban firmën e regjistruesit V.J. duke bërë regjistrim të përshpejtuar. Trupa e parë gjyqësore u drejtua nga gjyqtarja Z V. Pas shumë seancash deri në fund të vitit 2006 gjyqtarja deklaron mbylljen e procesit gjyqësor duke urdhëruar familjen Nosi të shkojë në gjyqin e themelit e të vërtetojë gjyqësisht pronësinë e trashëgimtarëve të vet dhe të paraqesë në gjyq dëshminë e pronësisë pasi letrat që disponojnë nuk qëndrojnë. 

Procesi gjyqësor u mbyll. Pas disa muajsh filloi përsëri procesi i ri gjyqësor tjetër. Procesin e ri gjyqësor e drejtoi T. L. dhe pas disa seancash gjyqtarja e mbylli çështjen duke deklaruar se pala paditëse tërhiqet, heq dorë nga çështja dhe në dt. 27.07.2007 vendimi gjyqësor mori formën e prerë. T. L. u komunikoi në gjyq njësoj si Z. V. paditësve që të shkojnë në një gjyq themeli, të vërtetojnë pronën e pretenduar ligjërisht, pasi letrat që disponojnë nuk qëndrojnë. Theksoj se këtë radhë në këtë proces gjyqësor paditësit u prezantuan si përfitues prone jo si trashëgimtarë të saj. Këtë radhë paditësit u përfaqësuan me avokat P.M. me nr. licence 231. Dokumenti përfundimtar i gjykatëses T. L ishte se gjykata duke parë dhe nenet 127, 201, 299/b K. Proc. Civile vendosi: “Të pushojë çështjen nr. 1740 dt. 04.10.2006”. Kishin kaluar 4 vjet dhe në fakt na erdhi fletë-thirrja e radhës. Drejtuesi i këtij procesi të ri gjyqësor ishte Z. S. i cili ndryshonte totalisht nga dy të parët. Shkoi deri atje sa filloi të fyente, të bërtiste duke nxjerrë jashtë kolegët agronomë dhe pjesëtarë të palës së paditur. U detyruam dhe pajtuam një avokat të njohur në Tiranë pasi më parë nuk e ndjenim nevojën sepse zonjat Z. V. dhe T. L ishin shumë njerëzore. Pas shumë seancash gjyqësore kërkuam dëshminë e pronësisë mbi tokën, origjinën e pronës e fituar në një gjyq themeli. Por kjo dëshmi pronësie nuk u kërkua nga ky gjyqtar dhe nuk u paraqit asnjëherë. Jo vetëm kaq por ky gjyqtar e trajtoi pronën serë si pronë e lëvizshme në kundërshtim me regjistrin themeltar kontabël të 1990.


E krahasonte dhe deklaronte se është serrë plasmasi. U mbrojtëm duke deklaruar se ishte mjet kryesor prodhimi sepse ky objekt mbitokësor ka peshë mbi 200 (dyqind) tonë hekur e xham, ka themele betoni e hekuri mbi 1 m linear thellësi, ka mbi 84000 m2 xhama 5 mm, ka rrjet nëntokësor elektrik të ujit të ngrohtë, të tensionit të lartë që ushqen sistemin e pompimit e të ajrimit të qindra dritareve, ka mbi 2000 m linear tubacione qeramike të drenazhimit nëntokësor dhe që ka kushtuar në 1974 30 milionë lekë të reja. Gjatë kësaj kohe iu drejtova krerëve më të lartë të shtetit. Pas ankesës mora një dokument zyrtar nga zyrat e R.P.P. (Hipotekës) me firmën e regjistrueses R. P. që i drejtohet zyrës së prefektit ku thuhet se zotërinjtë “Nosi” nuk kanë prona para 1944. Këtë radhë gjyqtari Z. S. u tjetërsua duke bërtitur se ku e kisha gjetur këtë shkresë, kush ma dha, si e mora e të tjera, e të tjera. I ktheva përgjigje se origjinalin e këtij dokumenti e ka z. Prefekt S. D. Avokati i palës sonë ndërhyri e i ktheu përgjigje që dokumenti është zyrtar me vulë e firmë dhe e disponon organi përkatës. Pse u alarmua gjyqtari? Sepse ne zbuluam që familja “Nosi” është pronësuar me një aktmarrje në pronësi “Nr. 57” nga Komisioni i Ndarjes së Tokave të NB dhe kryetar M.S. Ky dokument është i falsifikuar. Njoftuam gjyqtarin dhe bëmë kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Elbasan duke e akuzuar Komisionin e Ndarjes së Tokave për “falsifikim” dhe “shpërdorim” detyre. Por çuditërisht prokurorja S. B. më thirri vetëm një herë më dt. 28.12.2013 dhe më trajtoi shumë keq. Në 17 mars 2014 ajo mori vendim për pushimin e çështjes dhe në faqen nr. 9 të vendimit në rreshtin nr. 30 e sa vijon deklaron fjalë për fjalë: “Bazuar në nenin 66 germa ”b” të Kodit Penal parashikohet se nuk mund të bëhen ndjekje penale kur nga kryerja e veprës deri në çastin e marrjes së personit si të pandehur kanë kaluar a)…b) dhjetë vjet për krimet që parashikojnë dënim nga pesë deri 10 vjet burgim dhe për këtë shkak nuk mund të bëhet ndjekje penale për ndonjë person për veprën penale të parashikuar nga neni 248 dhe më pas vazhdon. Për këtë arsye në bazë të nenit 328, germat “a”, “d”, “e”, “f” të KPP vendosa: “Të pushoj procedimin penal nr. 561 për veprat e “falsifikimit të dokumenteve dhe të shpërdorimit të detyrës, vepra të parashikuara nga nenet 186/1 dhe 248 të Kodit Penal”. Tani çështja është në Gjykatën e Lartë. Në dosjen që ndodhet në Gjykatën e Lartë gjenden të gjitha dokumentet ligjore përkatëse. 
Grupi i agronomëve dhe pronarë të serës: Adem Dauti, Ymer Jaho, Ismet Sulmima dhe Qemal Sena 
Sigal