Mehmet Shehu bëri një vizitë të papritur në Vromero dhe gjeti misër të pa vjel ë, që ia hodhi në këmbë Gaqos
SI NUK E “GËNJEU” DOT MEHMET SHEHUN, KRYETARI I KOMITETIT EKZEKUTIV TË RRETHIT TË SARANDËS
-SIPAS RRËFIMIT TË NJË ISH-OFICERI SIGURIMI-
Nga Agron MEMA
Gaqo Lula në rrethin e Sarandës, mbahet mend si një njeri emblematik dhe mjaft popullor, i drejtë dhe i njerëzishëm në marrjen e vendimeve, por koha kish rregulla strikte dhe të rrepta, aq sa i detyronte shumë kuadro edhe të gënjenin, për të shpëtuar jo vetëm kokën e tyre, por edhe të shokëve, apo të njerëzve të thjeshtë që mund t’i rrëmbente vorbulla e diktaturës që sundonte vendin. Kështu i ndodhi edhe Gaqo Lulës. Ja historia sipas rrëfimit të një ish -oficeri të sigurimit të shtetit, i cili nuk dëshiron të identifikohet me emër. Në një nga vitet e dekadës 1970-1980, ka ndodhur edhe kjo histori e rrëfyer nga një ish- oficer sigurimi, ose operativit, siç quhej në gjuhën popullore, të Degës së Punëve të Brendshme të Sarandës. Kjo histori i ngjan pak a shumë subjektit të një filmi shqiptar të asaj kohe, ku një drejtor raporton shifra fiktive në qeveri dhe parti dhe s’është çudi që jehona e kësaj ngjarjeje të ketë ngacmuar skenarin e këtij filmi. Por ky mbetet opinion, se mund të ketë ngjashmëri rastësore, ngaqë ngjarje të këtij lloji ndodhnin kudo në çdo ekonomi nga ngarkesa e lartë e shifrave të planifikimit sipas centralizimit socialist dhe realizimi i rendimentit mbetej vetëm në letra. Le të kthehemi tek ngjarja jonë:
“ Në këtë kohë Gaqo Lula, një person publik dhe popullor në Sarandë, mbante detyrën e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Sarandë. Raporton në një mbledhje të qeverisë se vjelja e misrit në rang rrethi kish mbaruar 100% dhe para afatit të parashikuar. Misri në atë kohë, misri dhe orizi, gruri, qenë si kulturë bujqësore në mbjellje masive dhe me rëndësi të veçantë për të siguruar drithërat e bukës në situatat e vetizolimit ku ishim futur si shtet. Po më shumë sipërfaqe zinte misri. Në fakt, Gaqo nuk gënjeu, se kështu i kishin raportuar nga baza dhe nga grupet e kontrollit mbi sipërfaqet e mbjella dhe si njeri masovik, krijonte besim. Pra sipërfaqja e planifikuar për mbjellje kish përfunduar edhe si vjelje. Saranda u falënderua dhe u vlerësua, madje u mor si shembull për rrethet e tjera, të cilat ishin pas me përfundimin brenda afatit të vjeljes së misrit dhe dorëzimit të prodhimit në depot e grumbullimit të shtetit. Pas një jave ish kryeministri Mehmet Shehu, do të vinte në Ksamil për gjuetinë e derrave. E kish si rezervat të tij dhe askush nuk guxonte të gjuante derra, apo çdo lloj gjahu në Ksamil. Ish -oficeri sigurimit, tregon se dolën ta prisnin në Qafë të Muzinës dhe më pas ta shoqëronin sipas agjendës. Shoku Gaqo kish shtruar një drekë pushimi në minierën e kripës së Dhrovjanit, më shumë si një ndalesë pushimi dhe takimi me punëtorët e minierës, aty mes freskisë së lisave dhe ujërave të Syrit të Kaltër. Mehmet Shehu njihej si një njeri i vranët, me temperament nervoz, njeri që futej tek çdo problem në detajet më të imëta, por nuk dëshironte një gjë të tillë nga të tjerët për punën dhe lëvizjet e tij. Papritur në Qafë të Muzinës, eskorta e kryeministrit me kryeministrin, kthehet nga rruga e vjetër e Delvinës, nga Kardhikaqi. Në atë kohë Delvina dhe Saranda ishin një rreth. Në Vromero pa një parcelë të vogël me misër, as 100-200 metra katror. Ndali dhe u fut në parcelë. Doli me kallinj në duar. Ja hodhi Gaqos para këmbëve, të cilit i kish hipur në fytyrë ngjyra e limonit nga kjo e papritur dhe sikur t’i prisje mishin, pikë gjaku nuk i dilte. Hipi në makinë dhe urdhëroi për një mbledhje në orën 20:00, mbledhje që zgjati tri ditë. Natyrisht që pati shumë lëvizje kuadri pas mbledhjes. Po ajo parcelë që nuk qe as 200 metra katror ë e mbjell ë me misër, me gjithë punën tonë për të marrë vesh të vërtetën, nuk u mor dot vesh kurrë se si kish mbetur pa u vjelur dhe në anë të rrugës, si dhe pse ndërroi rrugë kryeministri,” -përfundon rrëfimin ish- oficeri i sigurimit të shtetit.






















