Agrobiznesi i lë mbi tavolinë Ramës paketën e masave në ndihmë të subjekteve në risk falimentimi

453
Sigal

Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar ka bërë publik një propozim, për një paketë masash në ndihmë të subjekteve në risk falimentimi,që punojnë në disa hallka të zinxhirit të prodhimit vendas të produkteve ushqimore.

Në listën e masave që propozohen janë mbështetja e sektorit të bujqësisë, blegtorisë, peshkimit, qendrave të grumbullimit, subjektet e agro-përpunimit dhe agrobiznesi që janë disa hallka shumë rëndësishme të prodhimit vendas, në zinxhirin e furnizimit të popullit me ushqime.

“Fermerët, blegtorët, peshkatarët, subjektet e qendrave të grumbullimit, të agropërpunimit dhe agrobiznesit, aktualisht janë duke punuar e përballuar me vështirësitë në dy fronte; atë në lufte për të mbrojtur jetën nga infeksioni me Covid 19 dhe në frontin e vështirë të punës për të garantuar ushqimin e popullatës sot dhe në të ardhmen, për ditë të mira e të vështira që po na presin.

Fermerët që kanë investuar dhjetëra milion euro në sera dhe po vjelin luleshtrydhe dhe kastravec. Blegtorët që duhet të shesin qengjat dhe kecat. Peshkatarët, që po rrisin peshk në ambiente të mbrojtura në kosha, të cilët duhet të vjelin prodhimin e peshkut të gatshëm për treg dhe të hedhin rasatin për të prodhuar për periudhën në vijim. Janë aktualisht disa  nga grupimet në rrisk për të falimentuar.

Këto grupime kanë prodhime të mbara këtë sezon, por edhe atë pak sasi prodhimi që po e shesin, çmimet e grumbullimit janë ndjeshëm nën kosto dhe 2-3 herë më pak se viti kaluar. Për eksportin e tyre po përballen me vështirësitë e shkaktuara nga Covid 19. Këto grupime në risk, prodhimet që cituam ose duhet t’i vjelin dhe t’i shesin brenda një kohe, e cila  për arsye objektive është e limituar, ose në të kundërt, ata janë të detyruar t’i asgjësojnë  prodhimet e tyre.

Gjithashtu qendrat e grumbullimit, depot frigoriferike, subjektet e agropërpunimit dhe agrobiznesit është e njohur se kanë vështirësinë dhe anomalinë e krijuar në procesin e rimbursimit të TVSH. Këtyre subjekteve iu rimbursohet me 6 % për produktet që blejnë nga fermerët dhe duhet të paguajnë në buxhet 20 % kur t’i shesin ato mbas përpunimit. Këto hallka të rëndësishme të zinxhirit të prodhimit ushqimor aktualisht kanë mungesë financimi, mbasi ishin të pa përgatitur për këtë situatë.

Ata nuk mund ta përballojnë volumin e  grumbullimit të prodhimit të fermerëve, blegtorëve, peshkatarve, të agroperpunuesve dhe agrobiznesit, që aktualisht janë në risk falimentimi, as në kushte normale, as në pikun e vjeljes së tij.

Ato nuk po i shfrytëzojnë të gjitha kapacitet depozituese që kanë në pronësi dhe në përdorim, sepse nuk kanë financa  të mjaftueshme, për të blerë dhe ruajtur lëndet e para dhe krijuar një stok të mundshëm, për t’u perpunuar e shitur në një periudhë të mëvonshme. Grupimi prodhuesve të siper cituar në risk falimentimi, nuk kanë kushte për t’i ruajtur dhe depozitojnë për një kohë të gjatë prodhimin e tyre edhe për shkak të çmimit të lartë të blerjes së energjisë elektrike që paguhet nga depot frigoriferike”, shkruhet në deklaratën e Agim Rrapaj, Kryetar i Keshilli Agrobiznesit Shqiptar

Sipas tij, pasojat që priten  të përballemi së shpejti do të jenë:

-Mungesa të këtyre produkteve në treg dhe rritje të çmimeve për konsumatorët.

-Mijëra vende pune të humbura.

-Buxhetit do t’i mungojnë të ardhurat që paguajnë këto subjekte për taksat e tatimet, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Do të paguajë pagën e papunësisë dhe asistencës sociale.

-Bankat do të rrisin numrin e kredive të pakthyera etj.

Çfarë duhet  dhe i sugjerohet grupit vendimmarrës që po menaxhon krizën:

1.Të mbështesë dhe trajtojë me të njëjtin status si edhe bankat e nivelit të dytë institucionin e mikro kredisë “FED Invest” i cili krediton jo vetëm për  70 mijë fermerë,  por edhe  shumë subjekte të grumbullimit, agropërpunimit, agroturizmit dhe agrobiznesit.

2.Kredia sovrane që iu është premtuar bankave të nivelit të dytë për të dhënë kredi për pagat, të përdoret në kohën e duhur edhe për kreditimin e subjekteve të grumbullimit, agropërpunimit dhe agrobiznesit për të shmangur falimentin e tyre.

3.Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor Rural t’i alokohen  pa humbur kohë fonde financiare për të subvencionuar grupimet në risk falimenti dhe veçanërisht  fermerët që prodhojnë perime në sera.