Adem Salillari: Shkenca që mund të përballojë nevojat për ushqim të njerëzimit

1096
Prof. Dr. Adem Salillari ka mbaruar fakultetin e Agonomisë pranë Institutit të Lartë Bujqësor (sot UBT) në 1968. Në vitet 1971-1972 kreu specializimin pasuniversitar në “Qendrën e Përmirësimit Gjenetik Maliani”, në Itali. Karrierën universitare e filloi në vitin 1972 si asistent në lëndën e gjenetikës dhe në vitin 1975 si pedagog pranë kësaj kartedre. Në vitet 1982 – 1988 ka qenë Dekan i Fakultetit të Agronomisë dhe për 14 vjet radhaz mbajti pozicionin e shefit të katedrës së Gjenetikës së Bimëve Bujqësore. Prof. Salillari ka ushtruar dhe ushtron kërkime në fushën e gjenetikës, të përmirësimit gjenetik dhe sidomos të citogjenetikës e mutogjenezës së misrit. Ai është krijues i disa linjave dhe hibrideve të misrit. Është konsulent për problemet e krijimit të varieteteve të reja në Institutin Bujqësor të Pejës, Kosovë. Ka botuar 18 libra dhe mbi 30 artikuj shkencorë për problemet e bujqësisë. Prof. Salillari është i përfshirë në edicionin e 16 të librit ndërkombëtar të biografive. Aktualisht është Kryetar i Shoqatës të “Përmirësuesve gjenetikë dhe prodhimit të farërave e fidanëve” në shkallë vendi.
Sot është bërë e modës të flitet shumë për bioteknologjinë, për organizmat e modifikuara gjenetikisht dhe ushqimet e modifikuara gjenetikisht, mendojmë se publiku ka njohuri sipërfaqësore për këto teknologji shpërthyesenga të cilat priten arritje të mëdha për shoqërinë njerëzore por edhe probleme. Mund të na thoni, profesor, diçka më tepër se çfarë përfaqësojnë këto dhe lidhjet në mes tyre? 
Bioteknologjia është shkencë e re. Eshte shkence e re sepse mbledh Biologjinë, Mjekësinë, Inxhinjeritë, Ekonominë, Sociologjinë e kush e di sa shkenca të tjera në një të vetme. Mund të themi pa e tepruar se bioteknologjia është shkenca e këtij shekulli. Progresi i saj ka shënuar etapën e parë fondamnetale drejt një udhëtimi të madh. Duke përdorur shkencat e biologjisë, kimisë, fizikës, inxhinierisë, kompjuterëve dhe teknologjisë të informacionit, bioteknologjia po zhvillon instrumente që në sfond shfaqet me një premtim të madh, por edhe një sfidë të madhe. Problematika që përfshin kërkimi dhe aplikimet e bioteknologjisë janë të gjera që rrokin, pothuajse, të gjithë sektorët e jetës. Bioteknologjia, e thënë ndryshe teknologjisë biologjike është aplikimi teknologjik që përdor sistemet biologjike, organizmat e gjalla, molekulat ose derivate e tyre, për të prodhuar, ose modifikuar produkte, ose procese për një qëllim të veçantë. Prandaj bioteknologjia mund të përkufizohet si shkenca që merret me përdorimin e organizmave të gjalla për të marrë mallra dhe shërbime të dobishme, për të plotësuar e kënaqur nevojat e shoqërisë njerëzore.
Cilët janë sektorët kryesorë ku është përqëndruar bioteknologjia?
Kërkimi dhe aplikimi i bioteknologjisë përfshin prodhimin industrial, bujqësor, mjedisin dhe botën e shëndetit, deri tek ato ushtarake e të kozmosit. Sektorët kryesorë të kërkimit dhe të aplikimit të bioteknologjisë janë: Blue biotechnology ose bioteknologjia detare, Grey biotechnology ose bioteknologjia e mjedisit, Green biotechnology ose bioteknologjia ushqimore, Red biotechnology ose bioteknologjia farmaceutike, White biotechnology ose bioteknologjia industriale, Bioinformatika që përdor një qasje të informatikës për të zgjidhur problemet të tipit biologjik. Produkti kryesor i bioteknologjisë janë organizmat e modifikuara gjenetikisht OMGJ dhe rjedhimisht edhe ushqimet e modifikuara gjenetikisht. Me OMGJ kuptohet që është një organizëm i gjallë i modifikuar gjenetik me anë të teknikave të inxhinierisë gjenetike, që konsistojnë shtimin, eliminimin apo modifikimin e elementeve gjenikë, pra të gjeneve. Ushqimet e modifikuara gjenetikisht janë prdukte të OMGJ.

 Mund të na thoni se çfarë metodash apo teknikash përdoren për të përfituar OMGJ?
Në thelb metodat e teknikat e përfitimit të OMGJ bazohen kryesisht në teknikat e ADN rekombinante dhe qelizore, të transferimit të gjeneve nga një organizëm në tjetrin, apo të ristrukturimit të tyre. Por këto ndryshojnë në tipe e varësi të organizmave me të cilat punohet. Konkretisht për të modifikuar gjenetikisht mikrorganizmat përdoren në thelb tre teknika: a) të trasformimit, i cili shfrytëzon aftësinë e qelizave bakteriale, për të marrë sekuenca të ADN-së; b) konjugimit, e cila përdor objekte të dedikuara për shkëmbimin e materialit gjenetik të pranishëm midis baktereve; c) transduksioni, i cili përfshin futjen e materialit gjenetik në qelizën përmes një bakteriofagu që nuk është më i aftë për replikimin brenda qelizës bakteriale. Për kafshët përdoren teknika të transformimit apo transfeksionit: a) mikroinjektimit, që konsiston në injektimin e gjeneve me interes, në pronukleus ose oocytet e fekonduar; b) mikroinjeksionin në embrione të qelizave embrionale (të cilat mund të transformohen para se të futen në embrionin e marrësit); c) përdorimi i retroviruseve (dmth ARN viruseve) të ç’armatosur, të cilët janë në gjendje për të hyrë në gjenet për karakteret e dëshiruara brënda një qelize. Ndërsa bimët për t’u transformuar përdoren dy metoda. Në rastin e parë, duke përdorur një plazmid i nxjerrë nga një bakter Agrobacterium tumefaciens, një mikroorganizëm i padëmshëm për njeriun, i cili ka aftësinë për të transferuar disa nga genet e tij në bimë. Ky është një vektor që përdoret shumë për shndërrimin e bimëve. Metoda e dytë, biolistike, që lejon mikroplumba ari ose tungsteni, të mbuluara me ADN, që me anë të gjuajtjes, këto futen brenda qelizave bimore. Pasi ndodh futja e gjenit, ose gjeneve me interes, është e rëndësishme për të ndarë qelizat e transformuar nga të tjerat. Kjo bëhet e mundur duke përdorur një gjen reporter, i cili lejon procesin e përzgjedhjes, dmth bën të mundur të veçohen qelizat ku është futur gjeni që na intereson. Për këtë janë përdorur gjene të aftë për rezistencë ndaj antibiotikëve. Por kjo mund të ketë edhe probleme. Për këtë janë zhvilluar edhe sisteme molekulare të tjera për veçimin nga gjenoma e OMGJ.
Mund të na thoni disa prej aplikimeve të bioteknologjisë, sidomos në fushën e OMGJ?
Si e theksova edhe më sipër aplikimet tregtare, apo eksperimentale të OMGJ kanë të bëjnë me sektorë të ndryshëm industriale, mjekësorë, shkencat e minierave, të ushqimit, rehabilitimit të mjedisit etj. Në këtë përzgjidhen objektet e gjalla me të cilët mund të arrihet prodhimi i OMGJ. Përdorim të gjerë kanë gjetur bakteret dhe kërpudhat e modifikuara gjenetikisht. Këto kanë gamë të gjerë të aplikimit. Falë thjeshtësisë të procesit bëhet i mundur transformimi dhe përdorimi i tyre si mikrofabrika, si për qëllime kërkimore, ashtu edhe për qëllime tregtare. Këto përdoren për prodhimin e ilaçeve, që fillon me Somatostatin në 1977 dhe Insulinën në vitin 1978. Vite më pas ka shumë medikamente që prodhohen në këtë rrugë me kosto të ulët e fitim të madh. Në sektorin kozmetik prodhimi i enzimave (p.sh., peroxidaza), për produkte për industrinë ushqimore (psh. kimozina, për sektorin e prodhimeve blegtorale, amilaza, për prodhimin e birrës, bukës; për industrinë ( amilaza, për tekstilet, lipaza, për taninë dhe detergjentë). Janë zhvilluar bakterie e kërpudha të transformuara gjenetikisht (OMGJ) që janë në gjendje për të degraduar komponimet toksike (psh nga tritoli trinitrotoluene ose trinitrotoluene, të naftës), ose për të lehtësuar procedurat e nxjerrjes së metaleve, që është përdorur gjerësisht për nxjerrjen e arit (33% e totalit), bakrit (25% e totalit), uraniumit etj. Tek kafshët, një prej aplikimeve të njohura është krijimi i një onkomiu, ose një miu, i pajisur me një gjen që aktivizon zhvillimin e një tumori, e përdorur gjerësisht në studimet e tumorit. Aplikim i mëtejshëm është prodhimi i substancave me interes farmakologjik, si në rastin e një dhie që është në gjendje të prodhojë antitrombina në qumështin e tyre, një proteine antikoagulante gjaku, ose rasti i Tracy, deles së parë të modifikuar gjenetikisht (GM), të aftë për të prodhuar α-antitripsinë. Deri më sot, më shumë se 50 substanca, janë të prodhuara nga kafshë të modifikuar gjenetikisht, në veçanti nga dhitë, delet, dhe, pjesërisht, derrat. Në afat të mesëm do të jetë e mundur për të zhvilluar terapi, për shembull. kundër diabetit tip 1, bazuar në transplantimin e qelizave heterologe në pacientët, pa u përballur me probleme të refuzimit të qelizave. Aplikimi i OMGJ te kafshët do të ofrojë mbështetje për prodhimtarinë blegtorale. Përpjekja e parë e ka konsideruar me prodhimin hormonit të rritjes, me qëllim për të rritur performancën e prodhimit të kafshëve. Rezultatet e kësaj qasjeje nuk kanë qenë gjithmonë të kënaqshme pasi janë ngritur edhe shqetësime në lidhje me efektet e mundshme që konsumimi i mishit, apo produkteve që rrjedhin nga këto OMGJ e që mund të ndikojnë në shëndetin e njeriut. Por aplikimet më të mëdha të OMGJ janë në fushën bimore, të bimëve të modifikuara gjenetikisht. Aplikimi i parë në nivelin tregtar vjen që nga viti 1994 me domaten Flav Savr, një varietet domate i transformuar me teknikat e inxhinierisë gjenetike e cila kishte përmirësime në drejtim të ruajtjes dhe transportit. Me interes është të njihen disa nga arritjet e OMGJ në fushën e bimëve që kultivohen në mijra ha në vende të ndryshme të botës. Misri transgjenik, i cili është rezistent ndaj larvave të krimbit të misrit (dëmtues i kultivimit të misrit), e që nuk ka nevojë të trajtohet me insekticide; Misri transgjenik, që është rezistent ndaj herbicideve totale si Round-Up; Patate me tolerancë ndaj doriforës dhe viruseve; Sojë, rezistente ndaj herbicid Round-Up; Domate me pjekje të vonuar dhe veti insekticide; Kolza me përmbajtje të përmirësuar acid yndyror (pëmbajtje të ulët të acidit erucik); Fasule me veti insekticide; Oriz, të aftë për të sintetizuar prekursorët e vitaminës A.
Le të komentojmë më hollësisht disa nga këto, profesor.
Po, ka nevojë që rreth këtij problemi të ketë informacion më të hollësishëm. 
Misri me veti insekticide Bt 
Shkencëtarët kanë modifikuar gjenetikisht misrin në mënyrë që të prodhojë një substancë helmuese ndaj dëmtuesve. Kështu që fermeri, nuk ka nevojë të përdorë insekticide për të çrrënjosur dëmtuesit. Misri gjenetikisht i modifikuara është quajtur Bt-misri, sepse gjeni që kontrollon toksinën që vret insektin, është i futur në bimën e misrit i marrë nga një bakter Bacillus thuringiensis. Përparësia e këtij lloji të misrit transgenik është vetmbrojtja, pasi helmon insektet dhe s’ka nevojë për trajtime. Por ka një disavantazh. Përdorimi për një periudhë kohe më të gjatë ka gjasa që insektet mund të zhvillojnë rezistencë ndaj helmit. Nëse kjo ndodh, përdorimi i BT-misër të jetë i paefektshëm. Gjithashtu vrasja e një numri të madh insektesh pakëson ushqimin për grabitqarët e insekteve. Kështu në SHBA, me përdorimin e BT-misër, ajo ka ndezur debat në lidhje me efektet e dëmshme të BT-misër për një flutur të bukur të quajtur Monarku. 
Kolza rezistente ndaj pesticideve. 
Shkencëtarët kanë transferuar një gjen në bimën e kolzës vajore, duke e bërë atë rezistent ndaj pesticideve të caktuar. Kur fermeri spërkat kolzën, gjenetikisht të modifikuat me pesticidet, mund të eliminohet shumica e dëmtuesve, pa vrarë bimën e kolzës. Nga kjo ka përfitime pasi fermeri mund të zgjasë kultivimin për shkak se e ka më të lehtë për të luftuar dëmtuesit, mund të përdorë një insekticid më pak të dëmshëm për mjedisin. Por mund të ketë një disavantazh, pasi gjenet e kolzës vajore transgenike mund të transmetohen tek insektet dëmtues. Këto mund të zhvillojnë rezistencë ndaj insekticideve, e pengojnë përdorimin e tyre.
Orizi i artë 
Eshtë oriz i modifikuar gjenetikisht sepse përmban një sasi të madhe të vitaminës A ose, më saktë, përmban beta-karotenin, element që trupi konverton në vitaminë A. Kjo e bën të mundur për të përfituar më shumë vitaminë A. Tre gjenet e reja janë futur te orizi që bën të mundur prodhimin e beta-karotenit; dy gjene të ekstraktuar nga batha dhe i treti nga një bakter. Ky lloj ka përfitime pasi është i dobishëm për popullsitë e vendeve në zhvillim, ku furnizimi me vitamina esenciale për trupin e njeriut është i kufizuar. Pasojat e këtij ushqimi të pakët bëhet shkak për vdekje të parakohshme dhe verbim. Ky është shkaku që për disa pjesë të Azisë, ku shumica e popullsisë ha vetëm oriz. Por mund të ketë si disavantazh pasi skeptikët kanë frikë se njerëzit e varfër në vendet e pazhvilluara mund të bëhet shumë të varur nga bota e pasur perëndimore. Janë kompanitë e mëdha private në Perëndim që kanë mjetet për prodhimin e bimëve të modifikuara gjenetikisht. Këto bimë janë kthyer sterile. Ky fakt detyron fermerët të blejnë çdo vit farën nga kompanitë prodhuese.

Mund të na thoni se sa janë të përhapura OMGJ?
Sot OMGJ janë të përhapura në shumë vende, sidomos SHBA, Kanada, Argjentinë etj. Në vitin 2014, sipërfaqja e mbjellë me bimë OMGJ në mbarë botën ka arritur në një total prej 181.500.000 ha. Ritmi vjetor i rritjes shkon në 6.3% .
Cilat janë, sipas jush, problemet lidhur me përdorimin e OMGJ?
Përdorimi i organizmave të modifikuar gjenetikisht është një përparim i madh teknologjik, i cili ndeshet edhe me probleme etike dhe sociale, kryesisht për shkak të rezistencës psikologjike nga publiku. Por kuptohet që shkenca nuk mund të ndalet. Njohurit që rezultojnë nga rruga e progresit (pa to ne do të ishim ende në epokën e gurit) është e madhe, e jashtëzakonshme. Duhet theksuar se shkenca ka kufij, sidomos kur përballet me origjinën e thellë të jetës. Kujdes duhet të ushtrohet kur këto prekin në parimet e jetës që mund të modifikojnë edhe përshpejtimin e procesin e tyre natyror. Në këtë drejtim duhet mbajtur nën kontroll, që para se të përhapet kultivimi i një varieteti me ADN të modifikuar, kërkohet të bëhen teste të sigurta jo vetëm në afate të shkurtra, por edhe duhet siguri që edhe në një afat të gjatë, që të përjashtohet ndonjë efekt i mundshëm i dëmshëm për shëndetin, apo ekulibrin ambiental. Pra, nuk është e mjaftueshme se nuk ka dëshmi mbi rreziqet e përdorimit. Dmth, para lejimit për konsumin në shkallë të gjerë të ushqimeve të modifikuara gjenetikisht për njerëzit, apo për kafshët, të jenë bërë provat toksikologjike afatgjatë, rreptësisht të kontrolluara. Futja e farërave OMGJ mund të shkaktojë ndotjen e kulturave. Psh, një bimë transgjenike prodhon miliona kokrra e polenit që u përhap në kulturat përreth. Për këtë para zhvillimit të çdo kulture OMGJ është e nevojshme të sigurohemi nga ndotja e trashëgimisë gjenetike ekzistuese përmes pjalmit të transferuar nga insektet, era etj, nga fushat me OMGJ, në bimët me rritje natyrale, sepse kjo do t’i ndryshonte të lashtat e tjera. Me dy fjalë, bioiversiteti të jetë i mbrojtur nga çdo rreziku i kontaminimit të prodhimit biologjik. Krahas tyre duhet të bëhet e mundur që konsumatori të kenë mundësinë për të zgjedhur ushqimet, të zakonshme apo OMGJ, përfshi këtu edhe këto të ushqimit të bagëtisë me OMGJ. Për të shmangur rreziqet e mundshme në afat të gjatë, para se të autorizohet kultivimi në fushë dhe do të lejojë OMGJ për t’u përdorur për konsum njerëzor dhe kafshëve, duhet të testohen qartë në afat të gjatë nga ana e organeve të kualifikuar dhe të pavarur. Për një zgjedhje të lirë nga ana e konsumatorit, është e domosdoshme gjithashtu, se jo vetëm në ushqim, ku është edhe prania më e vogël e organizmave të modifikuar gjenetikisht, këto duhen treguar në mënyrë të qartë në etiketë, duhet të deklarohen në etiketë edhe ushqimet me origjinë shtazore kur kafshët janë ushqyer me OMGJ. Ndërkohë duhet thënë se çdo aktivitet njerëzor nuk është me rrezik zero në një teknologji të re, çfarëdo qoftë. Pra rreziqet dhe përfitimet i ndan “një fije peri”. Edhe OMGJ nuk bëjnë përjashtim nga ky parim.
Jemi të përgatitur që në Shqipëri të përdoren bimët OMGJ, profesor?
Eksperimentalisht po, por në stil të gjerë, ende. 

 Është koha, profesor, të flitet për revolucion bioteknologjik?
Po. Bioteknologjia do të ketë një ndikim të madh në sektorë të ndryshëm produktivë, industrinë mjekësore dhe farmaceutike nëpërmjet metodave të reja diagnostikuese dhe ilaçeve proteinikë, në bujqësi me përmirësimin gjenetik të bimëve të kultivuara më gjerësisht, ekologjinë në reduktimin e ndotjes me përdorimi i mikroorganizmave gjenetikisht të modifikuara, në proceset industriale duke zhvilluar metoda më ekonomike dhe me më pak ndotje. Bioteknologjia mund të ndihmojë edhe në zgjidhjen e problemeve të mëdha të njerëzimit. Brenda disa dekadave popullsia e botës do të rritet në 10 miliard njerëz. Prodhimi bujqësor duhet të rritet më shumë se dyfishi për të ushqyer të gjithë këtë popullatë. Del pyetja: Si do të përballohen nevojat e njerëzve për ushqim? Bioteknologjia do të jetë shpëtimtarja, e cila do të mundësojë të përdoren në masë të gjerë farëra të përmirësuara gjenetikisht e që do të jenë si në “shtëpinë e tyre” në toka të braktisuara ose tepër të kripura, duke i bërë bimët rezistente ndaj insekteve dhe dëmtuesve. Megjithatë ky potencial mbahet aktualisht mbrapa me pranimin me vështirësi nga konsumatori të ushqimeve transgenike. Por aplikimet më të rëndësishme të bioteknologjisë, në të vërtetë, edhe ato që nuk ngrenë dyshime në lidhje me dobinë dhe përfitimet e tyre, janë këto për mbrojtjen dhe përmirësimin e shëndetit. Ka më se 30 vjet që ka filluar aplikimi gjerësisht në skenën botërore. Nëse aplikimet në farmaceutike dhe industri, ndonjëherë ngrenë shqetësime, ata ende gëzojnë mbështetje të gjerë në dritën e përfitimeve shëndetësore që sjellin. Duhet thënë se deri më sot nuk ka patur asnjë problem nga përdorimi i ushqimeve OMGJ. Ato mund të përdoren pa frikë. Ka një problem jo të vogël. Konsumatorët nuk janë shumë të qartë për përdorimin e ushqimeve OMGJ. Debati është i shtyrë më tepër nga motive tregtare apo politike, sesa shkencore. Është e vërtetë se disa çështje mbeten të pazgjidhura shkencore, por problemi i pranimit të OMGJ-ve është me siguri vetëm në duart e politikës, e cila nuk ka qenë në gjendje apo të jetë e gatshme për të trajtuar këtë çështje në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të qëndrueshëm.
Diciturat e fotove
1. Gjenetisti Prof. Dr. Adem Salillari
2. Molekula e ADN nga e cila përbëhen gjenet me të cilat bioteknologjia bën modifikime gjenetike
3. Delja e parë e klonuar (Doll) me teknikën e klonimit
4. Një fëmijë, duke ngrënë misër të ëmbëlt OMGJ
5. Majtas, Orizi i modifikuar gjenetikisht OMGJ. Djathtas, orizi i zakonshëm
6. Misër OMGJ rezistent ndaj herbicidit total si Round-Up ku duken barat e këqija të thara
Sigal