Adem Jashari dhe Ibrahim Rugova përballë njëri – tjetrit

560
Dilaver Goxhaj

Vijon nga numri i kaluar
Por nuk përjashtohet mundësia që atë mohim të fitores së lirisë me gjak ta kenë nga zilia, e cila është pasojë e frikës dhe e turpit, ndaj dhe nuk kanë guxuar kurrë të rrëfehen pse nuk e mbështetën rrugën e fitores së lirisë me armë, rrugën e Adem Jasharit. Frika prej vdekjes i hoqi shumë vlera politikës pacifiste pasive tetë vjeçare të Rugovës dhe të pasuesve të tij. Nga pikëpamja e kulturës dhe e nivelit të tyre intelektual pacifistët mund të qëndronin shumë më lartë se luftëtarët e Adem Jasharit, ndoshta si toka me qiellin. Por ajo që i bënte dhe i bën ata partizanë të politikës së robit është se mendimi i tyre nuk mund të kapërcejë ato caqe që nuk i kapërcen vetë jeta e njeriut meskin, dhe se prandaj teorikisht ata synojnë në po ato zgjidhje në të cilat e shtyjnë praktikisht njeriun e vogël interesat e tij materiale dhe pozita e tij shoqërore. Ky është, në përgjithësi, shkaku pse shoqëria kosovare u nda në dy kampe: pacifistë dhe revolucionarë.
Por lufta e kampit pacifist kundër kampit revolucionar mund të jetë edhe zili ndaj heroizmit të Adem Jasharit, zhvlerësuesit të politikës pacifiste e cila propagandonte nënshtrim dhe jo revoltë; zili, sepse dihet që zilia është një tërbim, është më e papajtueshme se urrejtja, ngaqë nuk munden ta durojnë fitoren e revolucionarëve të Adem Jashari dhe që nuk mundi ta realizonte lirinë strategjia e Ibrahim Rugovës. Meskinët ziliqarë të Ibrahim Rugovës, duke mos qenë të gatshëm që të sakrifikonin për lirinë e Kosovës dhe të pazotë të merreshin me gjëra të mëdha, si Adem Jashari dhe pasuesit e tij, filluan të merreshin me gjëra të vogla, për ta izoluar UÇK-në. Dhe konkretisht:
1). E shpallën UÇK-në “Dorë e zgjatur e Serbisë”, për t’i hequr asaj mbështetjen e popullit;
2). Lançuan propagandën: “Serbia është e fortë, nuk luftohet me Serbinë, UDB-ja është shumë e organizuar, po i dinë të gjitha gjërat që ndodhin në mes shqiptarëve, për tri ditë na shfarosin etj”, për ta trembur popullin të mos rrëmbente armët;
3). Organizuan “zgjedhjet e lira” dhe atë për president në kohë lufte, për ta injoruar epopenë shpëtimtare të Betejës së Prekazit;
4). E akuzuan UÇK-në si grupin marksist, leninist, islamist, enverist, komunist, terrorist e banda rivale, për t’i hequr mbështetjen ndërkombëtare;
5). U sulmuan gazetat lokale e ato jashtë Kosove që thyenin shabllonin uniformist për “qetësinë” në Kosovë, për të krijuar iluzionin se lirinë do ta sillte dikush nga jashtë;
6). Betimin e UÇK-së për bashkim me Shqipërinë e propaganduan si tendencë për “Shqipërinë e Madhe”, parullë dikur e fashizmit italian;
7). Kur u bindën se këto propaganda nuk ngjitën, krijuan brenda në Kosovë formacione të një ushtrie tjetër, FARK-un, gjë që krijoi premisa për të kaluar në luftë civile. Dhe, kur veprimtaria e tyre luftarake po i çonte drejt asaj lufte, nxituan dhe u larguan nga Kosova dhe të nesërmen Kryeministri i tyre, Bukoshi, u detyrua të delte në TVSH dhe të pranonte: “Në Kosovë nuk ka dy ushtri, vetëm një ushtri, ajo është UÇK-ja”. Por ajo ishte thjesht manovër për të dalë momentalisht nga situata ku qenë futur dhe që të mos merrnin urrejtjen e kombit.
8). Ajo manovër u zbulua kur, pas ofensivës serbe të korrikut 1998, kur qenë djegur 470 fshatra të banuar me shqiptarë dhe ishin larguar mbi 400 mijë shqiptarë nga Kosova, në pyetjen që gazetarët i bënë Rugovës, nëse ishte dobësuar apo jo pozicioni i tij, çuditërisht Ai u përgjigj: “Tani jam më i fortë”! Si ishte e mundur?
9). Shkelën Marrëveshjen për Qeverinë e Përkohshme të Kosovës të 23 shkurtit 1999, të nënshkruar në Rambuje, me pretekstin se u dhanë disa ministri jo shumë të rëndësishme.
Dhe Ibrahim Rugova nuk rezulton të ketë dënuar qoftë dhe një prej këtyre veprimtarive të dëmshme. 
10). Menjëherë sa mbaroi lufta, qeveria e Kosovës në ekzil, përdori djallëzisht paratë e popullit, duke sjellë tërë pompozitet në kryeqytetin e Kosovës monumentin e Heroit tonë Kombëtar Skënderbeut, edhe pse nuk e pëlqejnë strategjinë e tij për liri. “Për interesat e veta edhe djalli mund ta citoi Biblën”, thotë Shekspiri. Vetëm me Skënderbeun mund të shmangej Adem Jashari.
11). Që të humbiste sa më shpejt roli i Adem Jasharit u bë ç’është e mundur që në Kosovë të gjallërohej në ekstrem ndjenja përçarëse lokaliste, lufta për lavdi personale e jo kombëtare. Konkretisht:
A – Komanda e Zonës së Llapit ngriti me urgjencë në qendër të Prishtinës monumentin e Heroit Zahir Pajaziti, për të thënë se ne jemi më patriotë se krahinat e tjera, me nëntekstin tjetër se Zahiri ka më shumë vlera se Adem Jashari;
B – Pasuesit e politikës pacifistë të Ibrahim Rugovës, duke vënë interesat personale, partiake dhe lokale mbi nderin dhe interesin kombëtar, ngritën po me urgjencë, në qendër të Prishtinës, monumentin e Ibrahim Rugovës, ngjitas me atë të Skënderbeut, krahas vendosjes së portretit të tij me përmasa gjigante në shumë mjedise të dukshme të Prishtinës; veprime këto që treguan dhe tregojnë mosnjohje prej tyre të Adem Jasharit Komandant të UÇK-së dhe të asaj Lufte Çlirimtare;
C – Drejtoria Politike e UÇK-së dhe Komanda e Zonës së Drenicës me një ndjenjë shumë të madhe vetëkënaqësie ngritën monumentin e Adem Jasharit në fshatin e tij dhe jo në Prishtinë, edhe pse kishin pushtetin shtetëror dhe mbështetjen mbarë popullore. Atë akt të theksuar lokalist e paraqitën si qëllimin dhe përsosjen e fundit të asaj Lufte Çlirimtare, si rrjedhojë e mosinteligjencës dhe e fantazisë së tyre, duke menduar se i gjithë procesi historik i asaj lufte e arriti qëllimin e vet duke i ngritur Adem Jasharit monumentin në Skënderaj. I gjithë ky fodullëk lokalist i fryrë i përgjigjej një praktike mjaft meskine matrapazësh të vegjël. Mirëpo, me këtë nonsens bënë atë që nuk duhej bërë: i thanë historisë dhe popullit, se Adem Jashari dhe familja e tij nuk sakrifikoi për Kosovën, por veç për Drenicën. Vallë e kanë kuptuar sot?
Ç – Më pas, ithtarët e ish-presidentit Rugova nxituan dhe ngritën në Prishtinë monumentin e Presidentit Klinton. Nuk bënë keq. Por të tërheq vëmendjen fakti se pse nuk është diskutuar sot e gjithë ditën ngritja e monumentit të Adem Jasharit atje, pranë shëmbëlltyrës së tij, Skënderbeut, vendin e të cilit e ka zënë monumenti i Ibrahim Rugovës?! Po VETËVENDOSJA! çfarë po bën, e cila ka pesë vjet që ka pushtetin e Kryeqytetit?! Pse nuk e sjell në Prishtinë monumentin e Komandant Adem Jasharit, i cili ende rri në fshat?
12). Edhe sot e gjithë ditën mediat e mbështetësve të Rugovës po e anatemojnë UÇK-në dhe luftën e saj, duke e identifikuar atë me aktet antishtetërore e korruptive të pasluftës të disa profiterëve ish-drejtues kryesorë të UÇK-së dhe të formacioneve të saj.
I rreshtova këto fakte jo se jam kundër ngritjes së atyre monumenteve që janë ngritur në Prishtinë, madje ia vlen të ngrihen në të gjithë sheshet e qyteteve të Kosovës, por se duhej dhe duhet të ketë një radhë pune bazuar në vlerat burrështetase dhe ndikimit të veprës së tyre në ngjarjet madhore që ndodhën në fund të shekullit XX në Kosovë. 
E për fat të keq gazetat e shitura i lavdërojnë me të madhe këto dehje absurde, ku dhe hekuri i skuqur skuqet nga turpi.
Nuk mund të tjetërsohen e të thjeshtësohen vlerat atdhetare të Adem Jasharit e të zbresin ato në nivelin e vlerave atdhetare pacifiste të Ibrahim Rugovës edhe pse ishte një intelektual e kolitkan i admirueshëm në popull. Dhe ja pse: 
A – Ibrahim Rugova ishte me Kushtetutë Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Kosovës (FARK-t), por, në vend që të delte në krye të atyre forcave, ose të paktën t’i bënte thirrje popullit për të rrëmbyer armët apo të emëronte dikë Komandant të UÇK-së kur ajo formoi formacionet luftarake të saj, Ai shkoi dhe U DORËZUA te armiku, duke treguar se nuk ishte as ushtar, ndaj dhe i bëri thirrje NATO-s që të ndalonte bombardimin e forcave ushtarako-policore të armikut, – e tani pasuesit e tij po na këpusin mollë të arta. Dhe për këtë dorëzim Ai nuk dha kurrë ndonjë shpjegim, sikundër tregon edhe z. Kushner në librin e tij. Kuptohet, të dobëtit nuk mund të jenë të sinqertë. Ndoshta e bëri nga frika a nga naiviteti. Mirëpo, mos-shpjegimi prej tij i atij dorëzimi te armiku e i asaj thirrjeje, të bindin se nuk e kishte marrë peng armiku. Të jetë vallë nga dobësia?, se të dobëtit pothuajse nuk janë kurrë zotërues të vërtetë të tyre. Dobësia nuk duhet të jetë tipar i komandantëve të përgjithshëm të një vendi.
B – Edhe kur Komandanti i Përgjithshëm i forcave armike, Millosheviçi, e ndihmoi Komandantin e Përgjithshëm të FARK-ut për të shkuar në Evropë, Ai edhe prej andej vijoi ta anatemonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke thënë se atë e drejtojnë ca kalamaj profanë, ndërkohë që Uesli Klark, ditën e ndërprerjes së asaj lufte, këta “kalamaj profanë” i përshëndeti: “Bashkëveprimi luftarak më i mirë i NATO-s në historinë e saj 50-vjeçare!”. 
C – Edhe kur Kosova u çlirua, Komandanti i FARK-ut deklaroi botërisht nga Italia, se nuk do të kthehej në Kosovë pa u çarmatosur edhe luftëtari i fundit i Ushtrisë Çlirimtare me Komandant Adem Jasharin. 
D – Por edhe kur Rugova u kthye në Kosovë dhe u rizgjodh President i saj, Ai, në vend që të shkonte e të vendoste qoftë edhe një lule të vetme te varri i Komandantit legjendë Adem Jashari, çuditërisht shpalli komandant legjendar dezertorin dhe dëmtuesin më të madh të asaj lufte çlirimtare, kolonelin Tahir Zema!
Këto janë fakte nga më kokëfortë. 
Por, ngaqë janë fakte të vërtetë e të pakundërshtueshëm, edhe mund të anatemohet shkrimi dhe autori i këtij shkrimi. Mendjet mediokre dënojnë zakonisht gjithçka që i tejkalon kapacitetet e tyre. 
Me këtë analizë unë s’kam për qëllim të parodizoj figurën e Ibrahim Rugovës dhe as për të mohuar vlerat e tij politike e intelektuale, por për të vënë në dukje se KURRË nuk mund të vendoset vepra e Ibrahim Rugovës mbi veprën e Adem Jasharit dhe as të barazohet me të. Ishte heroizmi dhe figura e Adem Jasharit dhe e gjithë familjes së tij që mbajti lart entuziazmin e luftëtarëve të UÇK-së në lartësinë e tragjedisë së madhe historike, ndërsa “Dr. Ibrahim Rugova ishte i pëlqyeshëm dhe i matur, mirëpo mënyra e tij e të udhëhequrit, e heshtur dhe me rezerva, vështirë se mund të ishte inspiruese.”, sikundër e ka përcaktuar edhe Xhejms Rubin, këshilltari i Medlin Ollbrajt. 
Inspirues ishte Adem Jashari dhe krijesa e tij, UÇK-ja, sikundër e thekson znj.Ollbrajt: “Ishte ajo (UÇK-ja) e cila sensibilizoi opinion ndërkombëtar, opinion i cili u vu i tëri në shërbim të përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri.”
Atëherë, më thoni, me cilin do të dashurohet përjetësia?
Tiranë, 5 mars 2018
Sigal