Abuzimi me tokat në Theth, prokuroria dërgon për gjykim tre ish-zyrtarë të komunës

547
Prokuroria e Shkodrës ka përfunduar hetimet dhe dërgon për gjykim tre ish-zyrtarë të komunës Shalë, të akuzuar për “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim, pasi kanë shpërndarë rreth 41.500 m2 tokë në zonën turistike të Thethit në kundërshtim me ligjin.

Ish-kryetari i Komunës Shalë (Theth), Dedë Tonaj, në bashkëpunim me ish-vartësit e tij, Tom Shyti dhe Gjovalin Lokthi kanë falsifikuar dokumenta zyrtarë, në bazë të të cilëve persona të ndryshëm janë bërë pronar të pronave në zonën turistike pa pasur asnjë të drejtë ligjore per përfitim të pronësisë.

Pak javë më parë, me kërkesë të Prokurorisë së Shkodrës, gjykata ka vendosur sekuestro preventive për këtë pronë, me sipërfaqe rreth 41.500 m2 tokë.

Pak ditë më parë, Prokuroria e Shkodrës përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim edhe dy ish-zyrtarë të Hipotekës Shkodër, për një tjetër rast të regjistrimit të rreth 23.500 m2 tokë në kundërshtim me ligjin, në fshatin Baks-Rrjoll, në zonën turistike të Velipojës. Edhe në atë hetim, prona për të cilën dyshohet se është përfituar në bazë të dokumentave të fallsifikuar, është nën sekuestro preventive me urdhër të Prokurorisë së Shkodrës. 
Sigal