Abuzimi me tenderin 1 milion dollarë, GJKKO pranon gjykim të shkurtuar për Thoma Gëllçin dhe dy vartësit e tij

112
Sigal

Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar sot gjykim të shkurtuar për ish-drejtorin e RTSH-së, Thoma Gëllçin dhe dy vartësit e tij.

Gëllçi u arrestua në tetor të vitit të kaluar, bashkë me tre punonjës të tjerë të Radio Televizionit Shqiptar, me urdhër të SPAK, e cila regjistroi një procedim penal për veprën “Shkelje të barazisë së pjesëmarrjes në tenderë apo ankande publike”.

Anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave që u arrestuan bashkë me Gëllçin janë: Ervin Muraj dhe Julian Tapia.

Nga hetimet, sipas organit të akuzës, ka rezultuar se “Thoma Gëllçi ka kryer shkelje ligjore në një procedurë prokurimi, shkelje këto të kualifikuara në elementet e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Bëhet fjalë për procedurën e prokurimit me objekt “Blerje pajisje për kanalin RTSH Agro”, me fond limit 86. 908 550,00 lekë, zhvilluar në datën 9 nëntor të vitit 2018”.

Mësohet se Policia e Shtetit kishte referuar materialet në ish-Prokurorinë për Krime të Rënda që prej vitit 2019, ndërsa janë dashur 18 muaj hetime për finalizimin e këtij procedimi.