Abuzimi 54 mln $ te rrugët, Gjiknuri kallëzon ish-drejtorin e ARRSH, Dashamir Xhika

615
Ministri i Energjetikës dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, ka kallëzuar penalisht ish-kreun e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika. Shkak për këtë kallëzim mësohet të jetë bërë aksi rrugor Elbasan-Tiranë. Kjo dosje mund të konsiderohet si testi i parë për kryeprokuroren e re në një kohë kur paraardhësi i saj është akuzuar nga mazhoranca se gjatë 5 viteve të qëndrimit në detyrë, ka fjetur mbi dosjet e korrupsionit, sa të vjetra edhe të reja. Ndërkohë, kallëzimi i ministrit Gjiknuri vjen pas një auditi të kryer pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar. Bëhet e ditur se është konstatuar një dëm prej 54 milionë dollarësh ndaj shtetit mbi zbatimin e kontratave për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan. Përveç, Dashamir Xhikës, Ministri Gjiknuri ka dërguar pranë Prokurorisë për Krime të Rënda kallëzimin penal edhe ndaj dy ish-Drejtorëve të Njësisë së Menaxhimit të Projektit të rrugës Tiranë-Elbasan, Aksel Qurduka dhe Albens Alite. Përmes kallëzimit, kërkohet fillimi i ndjekjes penale ndaj personave të kallëzuar dhe persona të tjerë, për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, kryer veçmas dhe në bashkëpunim me persona të tjerë. Këta persona kanë kryer veprime e mosveprime në kundërshtim me përmbushjen e detyrave të tyre funksionale gjatë ndjekjes dhe zbatimit të kontratave për ndërtimin e rrugës Tiranë – Elbasan. Ky fakt ka shkaktuar pasoja të rënda për interesat e Buxhetit të Shtetit dhe të publikut, si dhe ka krijuar kushte për përfitime të padrejta materiale nga subjekte juridike private.
Sigal