Abuzime me tenderët, Krimet e Rënda hetojnë Dhori Kulen

587
Debati në Universitetin e Tiranës ka nisur prej disa kohësh, kur në media u bë publik denoncimi se pedagogët nuk kishin marrë rrogat. I pari që denoncoi rastin ishte pedagogu Fabian Topollaj, pjesë e këshillit Bashkiak Tiranë. Menjëherë pas denoncimit, të tjerë pedagogë dhe stafet e universiteteve pranuan vonesën dhe reagimet e shumta në media, detyruan ministren e Arsimit, Lindita Nikolla të reagonte. Në një tryezë të mbledhur për një universitet privat, Nikolla kërkoi ndjesë për vonesat e rrogave për universitetet publike. Reagime dhe kundër reagime shoqëruan për javë të tëra derisa Dhori Kule bëri deklaratën e beftë përballë Kryeministrit Rama: “Na vjen turp të dalim rrugës, se dëgjojmë që thonë se na u vonuan rrogat tre ditë, na u vonuan tre ditë dhe ne u ankuam. Kush ju jep të drejtë të talleni me integritetin tonë?!” Deklarata e Kules u kritikua gjerësisht nga ata që kishin denoncuar vonesën e rrogave dhe të kushteve në universitetet e vendit, duke i treguar ish-Rektorit dhe Dekanit të përjetshëm, se pas gjithë kësaj katrahure qëndronte pikërisht ky person që e ka konsideruar, jo vetëm arsimin e lartë si pronë private, por ka qenë pjesëmarrës në çdo skutë të politikës, fillimisht me PSD e Gjinushit në vitet 1992, pastaj me qeverisjen e Berishës, më vonë e drodhi me Socialistët, përsëri këshilltar i PD në bashki, anëtar bordi gjithandej dhe më në fund Rektor, anëtar i bordit të Bankës së Shqipërisë me paga tepër të majme. Ndoshta kjo ishte arsyeja që Kryeministri Rama i kujtoj Kules se “nëse do priten koka, ato nuk do jenë një, por ndoshta dy e më shumë “ duke i lënë të kuptonte se e di mirë kush e hedh gurin dhe kush fshihet pas saj. Por kjo duket se ishte vetëm maja e ajsbergut, pasi ditën e fundit përçarja e hapur e bërë publike në media përfundoi në dyert e prokurorisë, e cila duhet të nisë hetim të thellë duke rihapur të gjitha dosjet, edhe ato të mbyllura nga kontrollet, kur në krye të Rektoratit të Tiranës dhe Fakultetit Ekonomik qëndronte Dhori Kule si drejtues. Pas deklaratës së Konit, në seancën plenare në Kuvend, opozita lëshoi akuza të forta ndaj qeverisë Rama dhe denoncoi atë që sipas tij, qeveria po bën me pedagogët dhe artistët. Pas debatit që përfshiu Kuvendin, në sallën e UT-së, 4 dekanë dolën në një deklaratë për mediat ku kërkuan dorëheqjen e Konit, pasi sipas tyre, Koni ka kryer funksione të paligjshme. Dhori Kule, Artan Hoxha, Artur Sula dhe Edmond Rapti, me anë të një letre drejtuar ministres Lindita Nikolla, kanë kërkuar shkarkimin e Konit. Ndërkohë menjëherë pasi 4 dekanët kërkuan shkarkimin e Konit, në media kanë dalë zëra kundër, që akuzojnë dekanët si të përfshirë në fushatat publicitare të PS-së, nëpërmjet Fondacionit “Qemal Stafa” të drejtuar dikur nga Saimir Tahiri. S’duhet harruar fakti që Koni dhe Kule, kanë qenë të dy miq të afërt deri në momentin që Koni u zgjodh rektor me propozim të Dhori Kules. Ishte Kule ai që propozoi për herë të parë emrin e Mynyr Konit në krye të Universitetit të Tiranës, ndërsa sot, kërkon shkarkimin e tij. Përplasja e parë zyrtare mes dy miqve, që sot janë kthyer në ‘armiq’ ishte në vitin 2017, pasi Kule mendonte që Koni do të ishte “kukull” në duart e Kules, i cili mund të vazhdojë të mbajë peng arsimin e lartë shqiptar, nëpërmjet manovrave gjatë zgjedhjeve ndër vite, ku ky i fundit qëndronte me lista pedagogësh dhe votuesish në lokalet e kodrave të Liqenit të Tiranës. Në këto ditë të Prillit, Mynyr Koni dhe Dhori Kule i kanë dhënë fund miqësisë, pasi të dy kanë paditur njëri-tjetrin për abuzime me tenderët. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka regjistruar të dy denoncimet dhe dy rektorët janë marrë në hetim nga prokurorja Elisabeta Imeraj. Prokurorja e Krimeve të Rënda, Elisabeta Imeraj ka regjistruar kallëzimet penale të Kules e Konit dhe është duke kryer hetimet për dy Profesorët. Hetimet përfshijnë menaxhimin me fondet publike dhe tenderët gjatë kohës që Dhori Kule ka mbajtur postin e rektorit , por edhe të dekanit përpara se të zgjidhej Rektor, si dhe për funksionin aktual të Mynyr Konit si rektor i zgjedhur me mbështetjen dhe lobingun e Kules. Pjesë e këtij hetimi është edhe një raport i Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve për shkeljet dhe abuzimet e konstatuara në rektorat për një periudhë kur ka drejtuar si Dhori Kule ashtu edhe rektori Mynyr Koni. Ndoshta do të rihapen edhe kontrollet e mëparshme, të cilat rezultojnë si të kontrolluara dhe të mbyllura nga auditet . Përfundimisht ky proces duhet të zgjerohet edhe në lidhjet me dekanët e fakulteteve të tjera, shefave të departamenteve, pedagogët, studentët për të zbardhur edhe mënyrën se si u zgjodhën këta drejtues, ku shumica ishin pa kandidatë alternativë, mes të cilëve çuditërisht qëndron edhe Kule si dekan i fakultetit Ekonomik të Tiranës. Pas kësaj besojmë dhe mendojmë se ka ardhur koha që të ribëhen zgjedhje të reja në të gjitha universitetet shqiptare, pasi është e turpshme që të pretendosh për zgjedhje dhe të mos ketë kandidatë. A e beson njeri këtë, kur Universiteti Shqiptar ka me qindra kandidatura potenciale edhe pse UT mbeti i pa akredituar, falë drejtimit nga Dhori Kule.
Mark Marku : Është bërë një tender para 3 vitesh rreth 1 milion euro dhe nuk janë pak për një universitet por nuk është bërë as rikonstruksion dhe as gjë tjetër


Sigal