Abdulla Omuri: Të diskriminuar e të turpëruar para familjeve tona, kur shohim milionat e pagave edhe në media

228
Sigal

Çfarë dallimi kanë fëmijët e politikanëve,  biznesmenëve dhe njerëzve të medias nga fëmijët e invalidëve të punës ?

Abdulla Omuri

Kryetar i Shoqatës së Invalidëve të Punës,

 

E habitshme ! E ndiejmë veten të diskriminuar, të mashtruar dhe të turpëruar para familjeve tona, mbasi kemi punuar një jetë në punët më të vështira, si miniera, fabrika, uzina me tre turne, ku kemi kontribuar për këto politikanë, apo për këtë shoqëri si në para, po ashtu edhe në jetë. Vlerësimi sot për ne është zeeeero. Është e turpshme që po lexojmë pagat që përfitojnë disa individë, që nuk ju ka thënë kush punë e mbarë. Ky është diskriminimi që ju bëhet invalidëve të punës, të cilët kontribuan në skemën e sigurimeve shoqërore dhe sot ata përfitojnë një pension qesharak nga 8200 deri në 14 000 lekë në muaj. Duke mos patur mundësi me këto të ardhura të jetojmë, as t’i përgjigjemi familjes, të shkollojnë fëmijët, e shumë detyrime të tjera familjare. Duke lexuar këto ditë në rrjetet sociale të ardhurat që përfitojnë në muaj disa persona, patjetër që është krijuar një hendek social i pamerituar ndaj nesh. Jo vetëm hendek social, por edhe një mllef njerëzor shumë i madh . Qeveria merret më shumë me publikimin e pagave, sesa me hendekun social dhe prishjen e harmonisë njerëzore në shoqëri. Duke marrë në konsideratë shumë telefonata nga invalidët e punës në të gjithë vendin, ku shprehin indinjatën e tyre për trajtimin finaciar që ju bëhet, me të drejtë kërkojnë hapa të mëtejshëm në rrugë demokratike për t’i thënë , mjaft diskriminimit. Po kështu kam marrë mjaft telefonata nga partnerët tanë ndërkombëtarë , të cilët me një fjalor ironik na thonë:- Z. Omuri, përse ankoheni për pensione të vogla, ku shoqëria juaj me informacionet e fundit radhitet me të ardhurat e tyre në krahë të vendeve më të përparuara ! Në fakt në disa raste jam stepur dhe jam bërë pesimist që qëndrova në këtë vend, apo këmbëngulja ime si prind, që pengova edhe fëmijët e mi për të mos u larguar nga Shqipëria. Të nderuar qeveritarë ! Është detyra juaj që të normalizoni këtë gjendje të krijuar. Është detyra juaj emergjente të rregulloni hendekun social të krijuar nga shoqëria e korruptuar dhe aspak mirënjohëse, për kategoritë që kontribuan sadopak në ndërtimin e këtij shteti. Duke filluar nga muajt e ardhshëm ne invalidët e punës, të diskriminuarit e kësaj kohe do të mobilizohemi për të kërkuar të drejtat tona të ligjshme me të gjitha rrugët demokratike, për t’i thënë ndal diskriminimit njerëzore e financiare. E drejta jonë për të jetuar në vendin tonë nuk do të thotë të diskriminohemi finaciarisht nga institucione që në asnjë rast nuk jetuan, apo morën në konsideratë shqetësimet tona, por vazhdojnë të na diskriminojnë në lidhje me trajtimin finaciar. Nuk e meritojmë një veprim të tillë. Çfarë dallimi kanë fëmijët e politikanëve, të biznesmenëve, të njerëzve të medias, nga fëmijët e invalidëve të punës ? Ndryshimi është një dhe vetëm një, se të parët kanë elementin finaciar, ndoshta të pamerituar, ndërsa fëmijët tanë nuk kanë mundësi të shkollohen , po kërkojnë punë për t’i shërbyer familjes dhe prindërve të tyre të sëmurë. A nuk është padrejtësi sociale ? A nuk është diskriminim një veprim i tillë ? Mendoj se qeveria duhet të ndërgjegjësohet dhe të marrë masat e duhura urgjente, për mos thellimin e hendekut social më tej. Kam dëgjuar këto ditë një shprehje në lidhje me pagat, se janë në aktivitet privat ! Jo të nderuar të këtij mendimi,e keni gabim. Çdo rritje çmimi ndikon direkt tek popullsia dhe sidomos tek shtresat në nevojë.