A kishte dhe a ka nevojë Shqipëria për plehra azotike?!

1344
Ing. Qerim ISMENI 

Mora informacion nga Revista Monitor nr. 35 dt. 11.09.2017 lidhur me publikimin e një Dokumenti të MEI-it sipas të cilit edhe NE (Shqipëria) në kuadër të ofrimit të Gazit nga Projekti TAP mund të ndërtojmë një Uzinë të prodhimit të plehrave kimike Azotike, e për më tepër në Fier, tamam në atë qytet (Gjeografi), që e kishim të ngritur që nga viti 1967. Dokumenti është: “Master-Plani i Gazit Natyror për Shqipërinë dhe identifikimin i projekteve prioritare në fushën e gazit Natyror – Shtojca “C” – Fabrikë e plehrave Kimike – Qershor 2016. Studimi i kryer nga Fondi Përbashkët Evropian dhe Ballkani Perëndimor me një grup studiuesish prej 17 vetash, midis tyre edhe shqiptar. Kjo Uzinë sipas këtij dokumenti është e llogaritur për një treg: Varianti i Shqipëri-Kosovë që kap kapacitetin 420 000 ton plehra Azotike ( Nitrat Amoni dhe Ure), me përmbajtje të lëndës aktive 35 e 46 %. Ndërsa Varianti II, nëse do të plotësojmë dhe nevojat e fqinjëve: Maqedoni, Mali i Zi e pjesërisht rajone të jugut të Bosnje-Hercegovinës, kapaciteti i mundshëm do të jetë afër 810 000 t/vit. Sa më sipër nevoja për gaz do të jetë respektivisht 280 dhe 580 mln m3 N, ndërkohë investimi 260 deri 320 varianti parë dhe 510 deri 650 mln Euro variant II ose e konvertuar për njësi prodhimi afër 700 Euro/ton. Me gjithë mend u gëzova, që vendi ynë fiton aksesin mbi gazin e Kaspikut direkt nga projekti Evropian TAP dhe se nëpërmjet aksesit mbi gazin rriten mundësitë potenciale në ngritjen e industrive që përdorin gazin si lëndë e parë – industria e plehrave azotike apo si lëndë djegëse – TEC-et dhe industri të tjera. Duke ngritur një uzinë të plehrave kimike në Shqipëri – përfitimet neto janë nga mënjanimi i importit për këto produkte, sepse natyrshëm do të jetë më i lirë, minimum kursimi i transportit largët dhe shpenzimet portuale, shto këtu dhe punësimin etje. Por për çudi në mendje të vjen fakti se Shqipëria ka pasur një uzinë të plehrave kimike Azotike po në Fier, aty ku dhe grupi i ekspertëve të hartimit të master-planit përcaktojnë si më të përshtatshëm 

Pak Histori Azotiku Fier fillon nga ndërtimi në nëntor të vitit 1965 dhe u vu në shfrytëzim me 17 shkurt të vitit 1967 me destinacion prodhimin e Nitrat – Amonit ( NH4 NO3) me përmbajtje të lëndës aktive 34-35 % me lëndë të parë – ajrin, gazin e naftës apo në mungesë të plotësimit të nevojës -me naftë (në projekt përfshihej edhe kjo linjë). Kapaciteti i kësaj uzine ishte 120 000 ton/vit nitrat amoni ku prodhimi në vite varioi midis 90 deri në 110 mijë ton. Më vonë kësaj uzine ju shtuan dhe dy uzina (linja) me kapacitet afër 240 t/ditë secila ose afër 200 000 ton/ vit Ure (CO(NH2) me 46 % lëndë aktive nga ku kapaciteti i uzinës së plehrave kimike me bazë azoti në Fier në vitin 1989 ishte afër 320 000 ton. Ndërtimi i këtij kapaciteti sipas studimit të kryer nga ekspertët e huaj bashkë me ekspertët tanë – Qershor 2016, në kuadër të disponueshmërisë gazit natyror në Shqipëri nëpërmjet Projektit TAP do të kërkonte 320 000 x 700 Euro/ton (investimi për njësi) = 224 mln. Euro. Shtrohet pyetja – Ku janë këto para, ku gjenden, kush i paguan dhe pse u shkatërrua Azotiku?! Është e vërtetë se kjo uzinë u ndërtua nga sistemi i kaluar (Komunizmi), që do të thotë nga ne dhe për NE Shqiptarët dhe se ishte nga kredia e dhënë nga RP e Kinës me zero % interes – Marrëveshje e nënshkruar me sukses nga delegacioni Shqiptar në RP të Kinës të kryesuar nga zv/Kryeministri i asaj kohe Adil Çarcani në vitin 1966. Dua të sjell në vëmendje se kredia kineze për Azotikun, ndryshe nga afro 30 vepra industriale e bujqësore, nuk u lëvrua në makineri e pajisje e teknologji nga RP e Kinës, por në vlerë monetare, duke blerë teknologjinë dhe një pjesë të makinerive e pajisjeve nga “Monte Catini” – sot “Monte Edison” një nga firmat lider në industrinë kimike në Itali e në botë, si dhe një pjesë tjetër në Gjermani. Është për t’u theksuar, se teknologjia e kësaj uzine ishte në nivelin më të lartë të kohës dhe për montimin dhe vënien në shfrytëzim punuan së bashku specialistët italianë, kinezë e shqiptarë e se sot e kësaj dite procesi teknologjik nuk ka ndryshuar përveçse është përmirësuar automatizimi, gjë që nuk përbën më shumë se 10 % të vlerës investimit gjë që do të ishte plotësisht e mundshme. De fakto Uzina e plehrave kimike Azotike Fier pësoi të njëjtin fat që pësoi industria shqiptare, u vodh e u rop deri në vitin 1999 -kohë kur qeveria me VKM nr.269 dt.08.06.1999 shpalli falimentin e saj e për zbatimin e vendimit caktoi Likuidatorin. Mora shkas nga prishja e shtëpive të banorëve të Shkozës në Tiranë për hir të planit për interes publik- plani i rrugës. Po e përmend për analogjinë mes të dy rasteve ku shohim qeverisje jo të mençur ose të papërgjegjshme deri në të Korruptuar. Gjë normale të prishen si ndërtim pa leje, por barrën e përgjegjësisë kërkohet ta mbajnë vetëm të dobëtit. Pra, drejtësia vepron vetëm mbi të pa mbrojturin (Popullin – milet hesapi). i gjithë zinxhiri i përgjegjësisë shtetërore, që ka marrë pagat, ofiqet, ryshfetet e paratë korruptive nuk i zë askush me gojë, pale të flitet për përgjegjësi. Të gjithë mediat, shumë analistë, gazetarë politikanë etj, fajësojnë me fjalë të përgjithshme “Shtetin” dhe “Katundarin”, thua se shteti është abstraksion, nuk ka institucione përgjegjëse dhe nëpunës përgjegjës, që i kanë mbushur këto institucione. Në këtë mes dua të theksoj se Shqipëria në historinë e saj të re, nuk di ndonjë rast të ketë mbetur pa qeveri, qoftë edhe për 24 orë, pa le më për muaj apo vite -kohë e nevojshme për t’u realizuar më shumë se 297 440 ose afër 29.5 % ndërtime pa leje – kundrejt fondit të përgjithshëm prej 1 008 243 ndërtime në vend. “Shkoza” është rast i pastër i shkeljes së barazisë para ligjit – i nenit 18/1 i Kushtetutës. Në 297440 shkelës të ligjit do ndëshkohen afër 160 ose 0,54%. Kryetari i Bashkisë Tiranë shprehet: “Ju shkelet ligjin, ndërtuat pa leje, pra ju po ndëshkoheni nga ligji” duke neglizhuar faktin se po legalizohen 99,46 % e shkelësve të ligjit. Në këtë lëmsh politiko – juridik-shoqëror zgjidhja do të gjendej nëpërmjet analizës Shkak – Pasojë, nga ku sipas filozofisë, pa u ndëshkuar roja “Bariu” nuk mund të ndëshkosh “Ujkun”, sepse ky i fundit atë zanat ka. Së pari,Në këto kushte (jemi tamam në kohë-Vetingu) të “Rojës” së Territorit në vitet kur janë bërë ndërtimet pa leje e që nëpërmjet këtyre abuzimeve, sot janë me prona e pasuri të paligjshme. Kjo është arsyeja që nuk mund të prishen shtëpitë e banorëve të Shkozës apo kudo tjetër në Shqipëri, pa u konfiskuar pasuritë e “Rojeve” të zbatimit të ligjit, dhe së dyti, do të ishte shumë më e pranueshme që të bëhej amendim i ligjit të Fundit të legalizimit, ku të behet ndarja përpjestimore e fajësisë midis shkelësve të ligjit – ndërtimeve që legalizohen, të cilat janë më shumë se 99% dhe “fatkeqëve” – shkelës të ligjit, por që u bie Plani për interesa publike, duke marrë në konsideratë standardet minimale për strehim. 

Rasti Azotiku: Me propozim të z. Ylli Bufi, Ministër i Ekonomisë Publike dhe Privatizimit – qeveria nën drejtimin e z. Pandeli Majko: Vendosi Falimentimin e Uzinës së Plehrave Kimike Azotike Fier” indirekt legalizoi hajdutërinë dhe ndëshkoi popullin duke i hequr nga pronësia një pasuri prej 230 mln Euro ose afër 82 Euro/frymë. Qeveritë në gjithë vendet demokratike shkojnë e vijnë, janë me rotacion, kush punon mirë qeveris me gjatë, kush qeveris keq, nuk mund të plotësojë as mandatin e parë, por me pasurinë e popullit nuk mund të luajnë, sepse kanë institucione, që punojnë mbështetur në ligje dhe se në kushtetutat e tyre pothuajse të gjitha e kanë të sanksionuar barazinë para ligjit. Asnjë ligj i Parlamentit, Vendim Qeverie apo i çfarëdo Institucioni, që bie ndesh me Interesat Kombëtare, qoftë dhe me ato morale, nuk mund të justifikohen me faktin se janë miratuar në mënyrë kolegjiale. Historia ka vërtetuar shumë raste në botë për ligje e vendime të bëra nga elita përfaqësuese të popujve (Parlamente – qeveri) në dëm të tyre, dhe prandaj duhet që qeveritarët e deri nëpunësit publikë të mbajnë përgjegjësi për çfarë bëjnë dhe të japin llogari edhe pas 10 apo 50 vjetësh. Në këtë mes do të kërkoja që çdo ligj apo VKM të kalojë në një filtër në përbërje të Gjykatës Kushtetuese dhe se për ato ligje apo VKM që nuk kanë pajtueshmëri me Kushtetutën apo Konventat Ndërkombëtare të Ratifikuara të kalojnë për gjykim në Gjykatën Kushtetuese pa kërkesë nga ndonjë subjekt (palë). Të gjitha shtetet kanë institute shkencore dhe akademi, qendra të trurit, të cilat i ushqejnë qeveritarët me studime, projekte afat shkurtra e afat gjata dhe parashikime prognozë për fusha të caktuara politike, ekonomike, shoqërore etj deri në 50 apo në 100 vite të ardhshme. Qeverisje llogaridhënëse quhet ajo mënyrë qeverisëse ku drejtuesit e sajë vendosin interesat e popullit mbi ato vetjake . Në rastin konkret shkatërrimi i Azotikut është : a – Kriminal, në dëm të popullit e të shtetit Shqiptar; b – i komanduar nga hajdutëria ; c – është rezultat i pa-aftësisë qeverisë; Natyrshëm për t’u përafruar, se cili opsion është më i mundshëm dhe që këtej lindin pyetjet: 

1-Kush janë specialistët që argumentuan, se Azotiku duhej likuiduar? 

2- Cili institut mbështeti idenë, se Shqipëria nuk ka nevojë për plehra kimike azotike?

3- Kush janë oponentët dhe kush i ka caktuar ata? 

Përgjigjet e këtyre pyetjeve të japin të kuptosh, se sa qeveritarët tonë, jo vetëm në rastin Azotiku në vitin 1999, por edhe sot e dëgjojnë dhe e vlerësojnë Elitën intelektuale të vendit. Shembull kuptimplotë është rasti kur pushtuesit arabë në kohën e lulëzimit tyre në vitet 622 deri 670 mblodhën bashkë shkencëtarët e kohës (kinezë, indianë, persianë e grekë) dhe i dëgjuan . 

4- Ku është depozituar sasia prej 18 kg e katalizatorit që ishte gjendje në kullat e oksidimit. Dua të shpjegoj për publikun, se katalizatori përbëhej nga 90 % Platin dhe 10 % Rohdium, që të dy janë metale të shtrenjtë e të çmuar, që duheshin derdhur në thesarin e shtetit. Vlera e tyre është afër 940 000 $ USA. Sa më sipër duket se jemi qeverisur keq në vitin 1999 e në vazhdim, sa që në qeverisjen Berisha 2009 -2013 u privatizuan HEC-et: Ulëza, Shkopeti, Bistrica 1 e 2 me fuqi të instaluar 76.7 Mw/h, për të vazhduar me qeverisjen Rama! E cila prishi stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” (pasuri publike të gjithë shqiptarëve) për t’ia falur truallin privatit për ta bërë Stadium Privat. Ndërkaq në një vend, ku të fuqishmit (Oligarkët) përdorin pushtetin e tyre për të shfrytëzuar masat, kemi të bëjmë me qeverisje të dalë boje, dhe se këto qeverisje të papërgjegjshme e të dala boje duhet t’i kundërshtojmë. 

5- Pse VKM-ja nr.269 dt.08.06.1999 nuk është botuar në Fletoren zyrtare Korrik deri shtator 1999? 
Nëpërmjet zbërthimit të këtyre pyetjeve organet e specializuara mund të hulumtojnë deri në gjetjen e të vërtetës, në mënyrë që të kuptojnë politikanët, administratorët e deri tek nëpunësi i thjeshtë i këtij vendi, sepse duhet të japin llogari, si dhe të përgjigjen për çdo faj apo krim në dëm të popullit dhe shtetit që i paguan edhe pas 10 – 50 apo 100 vjetësh sipas shkallës së fajësisë. Vetëm një llogari-dhënie e tillë mundëson, që edhe ne shqiptarët të kemi shtet të fortë e të hyjmë në radhën e kombeve të zhvilluara. Për analogji punëtori mban përgjegjësi për punën që bën deri në zhdëmtim për produktin skerco, po politikanët dhe ata që keq qeverisën këtë vend?! 
Sigal