A kanë hyrë kontejnerë me mbetje në Shqipëri? Prokuroria e Durrësit nis hetimet

594
Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet pas lajmit të publikuar nga një portal italian që ngrinte dyshime mbi 1300 kontejnerë me mbetje që mund të kenë përfunduar në Shqipëri. ‘BalkanWeb’ mëson se verifikimet ka organi i akuzës kanë nisur ditën e djeshme. Artikulli i “Pianeta Italia” pretendon se 1300 kontejnerë me mbetje kanë hyrë nga porti i Durrësit, gjë e cila pritet të sqarohet nga vetë ky autoritet nëse ka ndodhur ky shkarkim mbetjesh në port apo jo. Megjithatë pretendimet dhe pikëpyetjet e këtij artikulli pritet të marrin edhe një përgjigje zyrtare nga Prokuroria e Durrësit.

Ndërkohë, ditën e sotme, Aleanca kundër Importit të Plehrave, i ka dërguar një letër ministrisë së Mjedisit, ministrit të Financave Arben Ahmetaj si dhe kryeprokurorit Adriatik Llalla ku kërkon informacion për mbetjet që kanë hyrë në Shqipëri. AKIP ngre pyetjen nëse ka pasur transit kontejnerësh me mbetje gjatë vitit 2014-2016. “Kërkojmë informacion nëse ka pasur tranzit kontenieresh me mbetjeje gjatë vitit 2014-2016. Cilat pika doganore janë përdorur për kalimin e mbetjeve?”- thuhet në letrën e AKIP.

Lidhur më këtë çështje më herët reagoi dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Kjo e fundit theksoi se për vitin 2016 nga Porti i Durrësit janë trazituar drejt Maqedonisë, nëpërmjet Degës Doganore ‘Qafë Thanë’, 1120 tranzite ndërkombëtare me kontejnerë, kryesisht produkte ushqimore.

Fill pas publikimit të lajmit në fjalë reagoi dhe Prokuroria e Përgjithshme, ndërsa mohoi të ketë një hetim për këtë çështje. “Në bazë të interesimit tuaj, Prokuroria e Përgjithshme njofton se: Nuk ka ndonjë hetim lidhur me sa pretendohet në një shkrim të shpërndarë pasditen e sotme, lidhur me hyrje të mundshme në mënyrë të paligjshme të kontejnerëve me mbeturina. Gjithashtu, në takimin ndërmjet Prokurorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla dhe Drejtorit të Antimafias Italiane, z. Franko Roberti, nuk është diskutuar një çështje e tillë”, deklaroi zyrtarisht Prokuroria e Përgjithshme.
Sigal