A do hetojë Prokuroria për 230 milionë “të shkuara për lesh”

346
Sigal

Ish drejtori i Postës, Ardit Çela dhe abuzimi me fondet publike për reklama publicitare

Posta Shqiptare është vënë nën hetim për shkelje dhe abuzime me përmasa të mëdha nga ish-drejtori i saj Ardit Çela. Nga burime konfidenciale brenda Postës, por dhe nga Krimi Ekonomik bëhet e ditur se ndër të tjera, bëhet fjalë në lidhje me shpërdorimin e fondeve publike për reklama publicitare me një shumë prej 230 milionë lekësh, në kohën kur drejtor i postës ishte z. Ardit Çela. Shpërndarja klienteliste e fondeve publike është një nga shkeljet e ish drejtorit të Postës, duke shembur në këtë mënyrë të gjitha kriteret e shprehura në legjislacion për barazinë në konkurrim dhe në treg. Por, mesa duket, tregu nuk është treg, por kopsht i pronarëve të shtetit, ku mbjellin dhe korrin familjarët dhe besnikët e tyre. Ajo çka është më shqetësuese është skema e re ngritur nga politika për të vjelë për hesap të tyre paratë e taksapaguesve shqiptarë. Flitet se të gjitha partitë apo dhe lëvizjet politike kanë hapur kompani të vetat marketingu, ku të gjitha shërbimet për promovim, marketing apo reklamë të institucioneve shtetërore i thithin në kompanitë e tyre, për të kënaqur epshin e tyre të pangopur për para. Të gjitha këto para të destinuara për shoqëritë civile dhe mediat vizive apo të shkruara, në të vërtetë kanë gjetur rrugën për në xhepat e drejtuesve të institucioneve shtetërore apo dhe të partive që ata përfaqësojnë.

 Shpërdorimi i fondeve publike dhe ndërkombëtarët

Në fakt, qeveria “Rama” me të ardhur në pushtet bëri gati dosjet për ish ministrat e Berishës, në lidhje me shpërdorimin e fondeve publike për reklama publicitare. Duke mbajtur si flamur raport-progreset e Bashkimit Europian, ku është ngritur shqetësimi i suportimit dhe klientelizmit të qeverive në raport me fondet publike që atashojnë në funksion të medias. Nëse në 3 vjetët e fundit të raport-progresit, por edhe të raporteve të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe BE-së, është parë si një mundësi që qeveria të përzgjedhë media të caktuara, që i ka klasifikuar si media qeveritare, ndoshta në raportet e ardhshme do të ngrihet shqetësimi i krijimit të kompanive të marketingut nga partitë politike, duke fshirë mediat fare nga lista. Meqë qeveria “Rama” u tregua shumë e zellshme në dosjet e dorëzuara në Prokurori për ministrat e Berishës, a do të jetë e paanshme duke denoncuar dhe drejtuesit e saj në institucione të ndryshme shtetërore për shkelje tenderësh apo prokurimesh publike? A do fillojë Prokuroria hetimin mbi të gjitha këto veprime antiligjore, në shkelje të procedurave dhe në një abuzim të madh me paranë publike nga ana e ish drejtorit të Postës Shqiptare z. Ardit Çela, pra, për 230 milionë lekë?