93 vjet Kontrolli i Lartë i Shtetit

1866
Sigal

Ka shumë njerëz në Shqipëri, që kanë dëgjuar të flitet për Kontrollin e Shtetit vetëm pas vitit 1991. Historia me zigzake e shtetit shqiptar, por sidomos 50 vitet e diktaturës gati e kishin ngulitur keqkuptimin se ky insistucion më parë nuk ka ekzistuar fare. Por, në fakt, e vërteta është ndryshe, sepse historiku i Kontrollit të Lartë të Shtetit lidhet ngushtë me shpalljen nga deputetët  e Kuvendit Kushtetues më datë  21 janar  1925 të krijimit të  Republikës Parlamentare Shqiptare.

Fill pas miratimit të Statutit Themeltar  të Republikës Shqiptare, Presidenti i Republikës ne atë kohë , Ahmet Zogu  më datë 20 maj 1925 firmosi Dekret- Ligjin “ Mbi formimin e Këshillit Kontrollues ”, dekret që hyri në fuqi më datë 26 maj 1925.  Ky këshill  krijohej si një organ kushtetues dhe nuk varej nga asnjë ministri.

Ndaj edhe kjo datë shënoi edhe rrugëtimin e institucionit të parë kontrollues të shtetit shqiptar, gati 13 vjet pas qeverisë së parë të Ismail Qemalit.

Që nga ajo ditë e deri më sot kanë rrjedhur shume vite, në të cilat Kontrolli i Shtetit ka pësuar ndryshime të thella si në koncept ashtu edhe në funksionimin e vet, në varësi të rrethanave historike dhe të regjimit politik të kohës.

Më poshtë po japim shkurtimisht etapat kryesore nëpërmjet të cilave ka kaluar në vite historia e këtij insistucioni të rëndëishëm për çdo shtet modern në botë.

Në vitet 1928-1939, vendi drejtohej nga një monarki institucionale. Me ligj të veçantë përcaktohej mënyra e organizimit dhe ushtrimit të veprimtarisë së institucionit të Kontrollit Shtetëror, mënyra e raportimit në Parlament dhe marrëdhëniet e tij me qeverinë e  mbretin.

Në Gusht 1946 bëhet riorganizimi tërësor i organeve të kontrollit, si në formë edhe në përmbajtje. Me ligj të veçantë të Kuvendit Popullor krijohet Komisioni i Kontrollit të Shtetit, i cili ishte në përbërje të Qeverisë  dhe në varësi të plotë prej saj.

Me  vendosjen e pluralizmit në Shqipëri, me asistencën e BE u hartua projekt-ligji “Për Shërbimin e Kontrollit të Shtetit”,  i cili u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë  në 31 gusht 1992.  Në këtë ligj sanksionohej se Shërbimi i Kontrollit të Shtetit  ishte organi më i lartë i kontrollit ekonomiko–financiar  dhe i pavarur nga qeveria.

Pavarësia e plotë, depolitizimi dhe departizimi i organit suprem të kontrollit u realizuan me miratimin e ligjit nr. 8270, datë 23.12.1997 “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit” dhe më pas të ligjit themelor të Shtetit nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, pjesa e katërmbëdhjetë “Kontrolli i Lartë i Shtetit”, nenet 162-165.

Në datën 27 nëntor 2014, Kuvendi i Shqipërisë miratoi  ligjin e ri të KLSH-së, nr. 154/2014, “Mbi organizimin dhe funksionimin e KLSH”. Ky ligj realizon profilizimin e KLSH-së si një institucion modern evropian i  auditimit suprem publik, i cili e bazon aktivitetin e tij tërësisht në standardet ndërkombëtare të  INTOSAI-t.

KLSH gjatë gjithë periudhës së pluralizmit ka vepruar në mënyrë të pavarur, duke gëzuar pavarësi dhe duke u përpjekur të bashkëpunojë me institucionet homologe dhe partnerët ndërkombëtare. Në pamundësi të përmendjes së të gjithë figurave të drejtuesve të KLSH ndër vite, do të veçonim personalitetet e ndritura, veçanërisht në vitet 1925-1944, si: Kol Thaçi, Lac Gera, Llambi Aleksi, Fejzi Alizoti, Lame Kareco, Eqerem Libohova, Xhaferr Ypi, Rrok Gera, Izedin Beshiri dhe të tjerë.

Kujtesa institucionale e një organi kushtetues është e një rëndësie parësore për të lexuar drejt vlerat dhe kontributin e tij përgjatë viteve, por edhe gabimet dhe momentet e kthimeve prapa. Një analizë e tillë në dritën e fakteve të plota i shërben institucionit kushtetues për të kuptuar qartë pozicionin e tij në shoqëri, por edhe opinionit publik dhe qytetarëve për të peshuar si duhet misionin dhe realizimin e tij nga ky institucion.

Duhet të ndjehemi krenar që shteti shqiptar dhe themeluesit e tij, që prej vendosjes së pavarësisë ne vitin 1912 kane pasur largpamësinë  për te krijuar edhe një strukture te pavarur shtetërore qe do të mbikëqyrte mënyrën e shpenzimit te asaj arke simbolike te shtetit te ri te sapokrijuar.

“Institucionet Supreme të auditimit sot janë pozicionuar si kurrë më parë, për të bërë diferencën, jo vetëm për vendet e tyre, por në tërësi për të gjithë botën. Në nivel kombëtar, SAI-t ndihmojnë në përmirësimin e shërbimeve publike dhe ndihmojnë drejtuesit publikë të planifikojnë të ardhmen ».

Duke e parë veten në këtë mision, kemi kërkuar identitetin institucional, nëpërmjet dokumentimit dhe hedhjes dritë të plotë mbi historinë e zhvillimit të KLSH, si një  përgjegjësi për brezat që vijnë, por edhe një shërbim për qytetarin, opinionin publik dhe partnerët tanë vendas dhe të huaj.

Në këto gjashtë  vite Kontrolli i Lartë i Shtetit nën drejtimin e Zotit Leskaj  ka bere një progres të dukshëm  në të gjitha dimensionet, duke e kthyer KLSH-në, ne një Institucion Modern te auditimit të jashtëm publik.

Në Raport progresin e fundit për Shqipërinë , ne kapitullin 32”Kontrolli financiar ” është theksuar fakti qe  : “Përsa i përket kapacitetit institucional, zhvillimi profesional i audituesve ka qenë prioritar në vitet e fundit, duke kryer mesatarisht 25 ditë trajnimi/për auditues çdo vit. SAI ka miratuar planin e auditimit për vitin 2018, duke përdorur një metodologji vlerësimi bazuar në risk”.

Pavarësisht arritjeve te viteve te  fundit KLSH aspiron që nëpërmjet auditimeve të tij të sjellë vlerë të shtuar në shërbimin ndaj qytetarit, Kuvendit dhe subjekteve publike që auditon. Kjo nënkupton sigurimin e aftësive më të mira profesionale dhe njohurive mbi standardet ndërkombëtare të fushës për të gjithë trupën audituese dhe personelin mbështetës në KLSH, nëpërmjet partneriteteve dhe punës së përbashkët, duke zbatuar një nga parimet e ISSAI 12, që të udhëheqë nëpërmjet shembullit.

Amantja Patozi