700 policë të infektuar me Covid / Qeveria asnjë shpërblim, nuk paguan as orët shtesë

279
Sigal

COVID-19 nuk ka kursyer as uniformat blu. Deri më tani rezultojnë afro 700 efektivë të prekur me koronavirus, ndërsa 11 prej tyre kanë humbur jetën.

Edhe pse policia është në vijën e parë të luftës kundër pandemisë, qeveria nuk ka dhënë asnjë fond për 12 mijë efektivët. Madje Shqipëria renditet pas Kosovës, e cila dy here brenda 10 muajsh i ka shpërblyer ligjzbatuesit.

SADEDIN FISHTA

SINDIKATA E POLICISE

Janë deri tani rreth 700 punonjës policie të prekur, ndërsa të vdekur janë rreth 11 efektivë që kanë ndërruar jetë. Kemi diferenca sepse policia e Kosovës deri tani është trajtuar 2 here me nga 300 euro shtesë për arsye të përballjes së tyre me persona të prekur me COVID gjatë ushtrimit të detyrës së tyre. Qeveria nuk ka marrë asnjë vendim që të trajtojë punonjësit e policisë.

Fishta shton se për shkak të vendeve bosh të lëna nga efektivët e infektuar, pozicionet po mbahen nga kolegët e tyre. Sipas tij, qeveria edhe këtu po shkel ligjin duke mos u kaluar pagesat për orët suplementare.

Punonjësit e policisë, nëse ato punojnë mbi orarin duhet të marrin ditë pushimi. Por pas dy muajsh, ato duhet të trajtohen financiarisht. Këtu kemi më shumë se një vit që akoma qeveria nuk ka nxjerr fonde për orët suplementare. Në kuadër të emergjencave kombëtare, qeveria duhet të trajtonte edhe efektivët e policisë, jo ti linte në harresë, siç i ka lënë.

Në fund Fishta shtoi se policia e shtetit është lënë në mëshirën e fatit, ku efektivët po detyrohen që të blejnë me paratë e tyre maskat mbrojtëse dhe uniformat pasi as këto nuk mbulohen më nga pushteti ekzekutiv.