613 kg kokainë në banane, prokuroria: 21 vite burg për biznesmenin Arbër Çekaj

514
Sigal

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dhënë pretencën për Arbën Çekajn duke kërkuar për të 21 vite burg, që në rast dënimi do të konvertohej me 14 vite burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Për Donald Lushajn është kërkuar 16 vite burg, që do të konkretizohej me 10 vite burg si pasojë e gjykimit të shkurtuar dhe Armando Pezaku 13 vite që përkthehen në 8.

Çekaj akuzohet për trafikimin e 613 kilogramëve kokainë kolumbiane që u zbulua në magazinat e kompanisë së tij Arbri Garden në Maminas, ndërsa për rreth një vit u mbajt i arrestuar në Gjermani, derisa u vendos ekstradimi i tij drejt Shqipërisë.

Në një intervistë dhënë për mediat, Çekaj u shpreh dje se ai është i pafajshëm, dhe policia qëllimisht e ka ndalur aksionin në magazinën e tij, që të mos gjente fajtorët e vërtetë të kokainës.

“Është totalisht e qëllimtë nga ana e policisë, prokurorisë dhe atij personi i cili dha urdhër që operacioni të ndërpritej në magazinat e kompanisë time. Nëse operacioni do të shkonte deri në fund, patjetër që do të ishte kapur grupi kriminal e jo unë.

Me gjeni një vend normal të botës që arrestohet pronari i kompanisë që importon fruta, se në kontenierët që nuk janë fare të tijtë, gjendet drogë.

I vetmi vend është Shqipëria, edhe në Shqipëri i vetmi pronash frutash në burg jam unë.

Pra prokuroria ka luftë personale ndaj meje e familjes time, e kjo vetëm për të mbrojtur grupin e vërtetë kriminal që ata e dinë se kush është, por askush nuk guxon ta prekë”, tha Çekaj.