500 milionë lekë tenderohen, fiton firma me ofertën më të lartë

527
Sigal

Tenderi i rrugës Vorë-Maminas shkon në Prokurori. Firmat: “Kryeministri Rama të shkrijë APP-në

Tenderin e fiton i gjashti në renditje

Një tjetër hije dyshimi për tenderat e rrugëve, ka mbuluar ditët e fundit institucionet e shtetit. Bëhet fjalë për aksin rrugor Vorë-Maminas me gjatësi 7.2 km, dhe me vlerë 500 milion lekë, e cila është zhvilluar dhe mbyllur me mangësi të theksuara ligjore dhe teknike. Burime nga administratorët e firmave tenderuese, i thanë “Telegraf” se “ishim njoftuar dhe ishim përgatitur për tenderin, i cili u zhvillua në datën 27 nëntor 2014 dhe ku merrnin pjesë mbi 15 firma dhe kompani të interesuara dhe me kapacitete të plota teknike dhe financiare”. Por, sipas të njëjtit burim, “qysh në fillimet e veta tenderi i dirigjuar nga një komision, që për habinë tonë mbahej sekret dhe edhe sot nuk mësuam se cili ishte kryetari dhe cili sekretari komisionit, dhe ka rezultuar me mangësi të theksuara ligjore dhe teknike, u skualifikuan 5 firmat e para, të cilat u veçuan nga 15 pjesëmarrëset dhe fituese ka dalë firma “BAMI” sh. p. k , e cila nuk ka ulur fare ofertën, pra u shpall një subjekt me ofertën më të lartë”.

Drejtori: “Çdo gjë e di APP-ja”

Administratorët e firmave tenderuese, të habitur për çudinë e fitimit të tenderit nga i gjashti i renditur, kanë pyetur se si ka mundësi të ndodhë kjo, kur është jashtë çdo standardi ligjor. Dhe siç na pohon i njëjti burim “…edhe ne, sot e kësaj dite nuk jemi sqaruar nga drejtoria e mirëmbajtjeve të rrugëve, Tiranë, dhe drejtori saj, zoti Bibë Gjonmarkaj, për arsyet e skualifikimit tonë, por si për çdo rast na thonë “çdo gjë e di APP-ja, Agjencia e Prokurimeve Publike”. Fakti është se gjithmonë ankesat e firmave që kanë dalë të parat me ofertën më të ulët, pranë APP-së dhe më pas janë skualifikuar nga komisioni për “arsye teknike”, kanë rezultuar me përgjigje negative. Burimet konfidenciale thanë se “kryetarët e komisioneve tenderuese, apo dhe Njësia e Prokurimeve kryejnë shkelje ligjore në të gjitha rastet kur shpallin fitues firma dhe kompani të cilat gjatë kohës që zhvillohet tenderi kualifikohen të pestat apo gjashtat, dhe më pas dalin si me katapultë të parat.

Dosjet flenë në prokurori

E njëjta gjë ka ndodhur në tenderat e rrugëve në Durrës, si rruga e plazhit, rruga dytësore e portit, rruga e Currilave etj. Edhe në këto tre raste firmat që në sallë ishin shpallur fituese, kur ka mbaruar tenderi, kanë mbetur të zhgënjyera kur në shpalljen zyrtare kanë lexuar tjetër emër. Fakti është se, në Prokurorinë e Durrësit janë të hapura dhe në hetim dy rastet e denoncuara, të cilat ngjajnë me rastin e tenderit të aksit rrugor Maminas-Vorë. Administratorët e 5 firmave të para deklaruan se “veç ankimimit tek APP, ne do t’i drejtohemi edhe Kryeministrit Rama dhe Prokurorisë, pasi këtu bëhet fjalë për afera korruptive, dhe jo përzgjedhje sipas kritereve dhe ligjit”. I pyetur nga “Telegraf” drejtori i Ndërmarrjes Rajonale të Mirëmbajtjes së Rrugëve në Tiranë zoti Bibë Gjonmarkaj tha se “çdo skualifikim ka ardhur nga Njësia e Prokurimeve dhe ata vendosin për skualifikimin dhe firmën tenderuese, përsa i përket ankimuesve, ata e kanë detyrim ligjor të ankohen tek APP, pasi ai është institucioni shteti që merret ligjërisht me këto problematika”.

Kërkesë Kryeministrit dhe prokurorisë për zgjidhje

 Por pavarësisht deklarimeve të drejtorit dhe rezultateve të Njësisë Prokurimit, 5 firmat ndërtuese tashmë kanë nisur drejt Kryeministrit Rama letrën e tyre ku veç të tjerave i kërkojnë shkrirjen e APP, por edhe masat ligjore ndaj komisioneve tenderuese që tallen dhe luajnë me paratë e shtetit dhe investimet publike. Paralelisht me letrën drejtuar Ramës, duket se firmat janë bashkuar për t’ju drejtuar edhe organit të Prokurorisë për të gjetur jo vetëm zgjidhjen ligjore, por edhe për të denoncuar parregullsitë ligjore në tenderin e rrugës Vorë-Maminas.

Somario

Fakti është se gjithmonë ankesat e firmave që kanë dalë të parat me ofertën më të ulët, pranë APP dhe më pas janë skualifikuar nga komisioni për “arsye teknike”, kanë rezultuar me përgjigje negative. Burimet konfidenciale, thanë se “kryetarët e komisioneve tenderuese, apo dhe Njësia e Prokurimeve kryejnë shkelje ligjore në të gjitha rastet kur shpallin fitues firma dhe kompani të cilat gjatë kohës që zhvillohet tenderi kualifikohen të pestat apo gjashtat , dhe më pas dalin si me katapultë të parat.