50 milionë lekë, licenca për impiantet e përpunimit të nënprodukteve të naftës

567
Sigal

Vendimi i Qeverisë/Procedurat dhe kushtet për dhënien e “Licencës së Përpunimit”

5 milionë lekë do i kushtojë Licenca e Përpunimit të nënprodukteve të naftës subjekteve aplikuese, ndërsa rinovimi i licencës 2,5 milionë lekë. Këshilli i Ministrave më anë të një vendimi ka përcaktuar dje procedurat dhe kushtet për dhënien e Licencës së Përpunimit të nënprodukteve të naftës. Ndërtimi dhe funksionimi i impianteve të përpunimit të nënprodukteve të naftës bëhet nga personat juridikë, pasi ato të jenë pajisur me “Licencën e përpunimit”, të lëshuar nga ministria përgjegjëse për hidrokarburet, sipas procedurave dhe kushteve të përcaktuara në këtë vendim.

Dokumentet për licencim

Subjekte aplikuese, paraqesin në ministri kërkesën për t’u pajisur me “Licencën e përpunimit”, shoqëruar me dokumentet e mëposhtme:

 a) Ekstraktin historik dhe tregtar të regjistrit tregtar nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit, që vërteton se personi juridik është krijuar në formën e shoqërisë aksionare, ku në objekt të ketë të përcaktuar veprimtarinë për përpunimin e nënprodukteve të naftës;

b) Dokumentin që vërteton se subjekti nuk është në proces falimentimi;

c) Projektin teknologjik që do të zbatohet për ndërtimin e impiantit të përpunimit dhe ambienteve të depozitimit dhe/ose magazinimit të nënprodukteve të naftës, përfshirë edhe projektin e mbrojtjes ndaj zjarrit, të miratuar nga Inspektorati Shtetëror Përgjegjës;

ç) Kartën teknologjike me parametrat e punës, lëndët e para dhe produktet përfundimtare të përfituara sipas standardeve të përcaktuara më parë;

d) Studimin paraprak të fizibilitetit për veprimtarinë që do të realizojë shoqëria;

dh) Lejen e mjedisit të veprimtarisë, të lëshuar nga organi përgjegjës;

e) Dokumentet për vendin e ushtrimit të veprimtarisë;

 ë) Dokumentin që vërteton se vendi i parashikuar për ndërtimin e impiantit të përpunimit është i përcaktuar për ndërtimin e objekteve të kësaj natyre. Në rast se aplikimi për licencim bëhet nga subjektet, të cilat kanë ndërtuar impiantin në një periudhë të mëparshme kohore, subjekti aplikues është i detyruar të paraqesë lejen përkatëse të ndërtimit të objektit në përputhje me legjislacionin në fuqi;

f) Skemën e funksionimit të impiantit të miratuar nga Inspektorati Shtetëror Përgjegjës;

g) Kontratën e punësimit të drejtuesit teknik që do të ndjekë realizimin e projektit të impiantit dhe vënien në përdorim të tij;

gj) Dokumente që vërtetojnë mbështetjen financiare të projektit nga institucione financiare ose bankat vendase a të huaja, ku përcaktohen qartë vlerat monetare për financimin dhe struktura e financimit për ndërtimin e impiantit të përpunimit;

h) Dokumentin që vërteton se subjekti aplikues nuk është dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për aktivitetin e shoqërisë, lëshuar nga gjykata;

i) Dokumentin që vërteton se përfaqësuesi i subjektit aplikues nuk ndodhet në ndjekje penale, lëshuar nga prokuroria;

j) Dokumentin që vërteton se subjekti aplikues i ka plotësuar detyrimet fiskale, lëshuar nga administrata tatimore;

k) Dokumentin që vërteton se subjekti aplikues i ka paguar të gjitha detyrimet e sigurimeve shoqërore, lëshuar nga administrata tatimore;

l) Të dhëna për kapacitetet depozituese në projektin e ndërtimit të impiantit të përpunimit.

 Komisioni i shqyrtimit të aplikimeve

Për verifikimin e dokumentacionit dhe plotësimin e kushteve, me urdhër të ministrit përgjegjës për hidrokarburet ngrihet komisioni i shqyrtimit të aplikimeve, i përbërë nga 7 (shtatë) anëtarë me përvojë në fushën hidrokarbure, juridike dhe ekonomike. Komisioni i shqyrtimit të aplikimeve shqyrton dokumentacionin brenda 60 ditëve kalendarike nga data e paraqitjes.

1.Kur nga shqyrtimi i dokumentacionit dhe verifikimet e kryera në institucionet e tjera dhe/ose në terren rezulton se nuk plotësohen kushtet e kërkuara, komisioni i shqyrtimit të aplikimeve harton një raport dhe njofton subjektin aplikues për dokumentacionin që mungon dhe të drejtën e tij për të plotësuar dokumentacionin dhe kushtet përkatëse jo më vonë se 60 (gjashtëdhjetë) ditë kalendarike nga dërgimi fillestar i njoftimit. Subjekti aplikues ka të drejtë të riparaqesë aplikimin me dokumentacionin e plotësuar brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve kalendarike nga data e njoftimit. Komisioni i shqyrtimit të aplikimeve mblidhet dhe merr vendim brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike nga dita e depozitimit të dokumentacionit të plotësuar. Në rast se subjekti aplikues nuk plotëson dokumentacionin dhe kushtet përkatëse e, si pasojë, aplikimi nuk është në përputhje me kushtet e përcaktuara, komisioni i shqyrtimit të aplikimeve i propozon ministrit refuzimin e licencës për aktivitetin e impiantit të përpunimit të nënprodukteve të naftës. Ministri i njofton subjektit aplikues refuzimin e aplikimit për dhënien e “Licencës së përpunimit” të nënprodukteve të naftës, brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike nga data e propozimit të paraqitur nga komisioni i shqyrtimit të aplikimeve. Në këtë rast, subjekti i interesuar ka të drejtë të paraqesë ankim në gjykatën kompetente, brenda 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga data e marrjes dijeni për refuzimin e aplikimit.

2. Kur nga shqyrtimi i dokumentacionit të aplikimeve brenda afateve të përcaktuara, rezulton se plotësohen kushtet e kërkuara, komisioni i shqyrtimit të aplikimeve harton një raport vlerësimi dhe i propozon ministrit miratimin e licencës për aktivitetin e impiantit të përpunimit të nënprodukteve të naftës. Ministri miraton “Licencën e përpunimit” të impiantit, brenda 10 ditëve kalendarike nga data e propozimit të paraqitur nga komisioni i shqyrtimit të aplikimeve.

 Licenca

Në dokumentin e “Licencës së përpunimit” të nënprodukteve të naftës përcaktohen: numri dhe data e miratimit të licencës dhe e hyrjes në fuqi; emri, selia e subjektit dhe të dhënat për regjistrimin si person juridik; vendi ku ushtrohet veprimtaria e impiantit për përpunimin e nënprodukteve të naftës; emërtimi teknologjik dhe parametrat teknikë e teknologjikë të impiantit të përpunimit të nënprodukteve të naftës, si dhe standardet e përpunimit të nënprodukteve të naftës; afati i përgatitjes së dokumenteve, afati i vlefshmërisë së “Licencës së përpunimit”, si dhe e drejta për rinovim të licencës.

 Leja zhvillimore dhe e përdorimit

Personi juridik i pajisur me “Licencën e përpunimit”, që do të ndërtojë një impiant përpunimi, duhet të fillojë aplikimin për marrjen e Lejes Zhvillimore Komplekse sipas ligjit “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, brenda 1 viti nga data e miratimit të “Licencës së përpunimit” nga ministria. Me përfundimin e ndërtimit të impiantit sipas Lejes Zhvillimore Komplekse, subjekti duhet të pajiset edhe me leje përdorimi. Për vënien në funksionim të impiantit merret vërtetimi teknik për respektimin e normave dhe kushteve teknike, si dhe të kapaciteteve të depozitimit dhe/ose magazinimit të nënprodukteve të naftës, që do të prodhojë impianti i përpunimit, lëshuar nga Inspektorati Shtetëror Përgjegjës, sipas kritereve të përcaktuara nga ministri.

 Heqja e licencës dhe tarifat

-Në rast mosrespektimi të afateve dhe kërkesave ligjore të këtij vendimi, “Licenca e përpunimit” shfuqizohet. Shoqëria e pajisur me “Licencën e përpunimit” ka detyrimin të njoftojë, brenda 30 ditëve kalendarike, ministrinë për çdo ndryshim, që i referohet dokumentacionit dhe kushteve të përcaktuara, në bazë të të cilave është dhënë “Licenca e përpunimit”. Impiantet e përpunimit janë të detyruara të zbatojnë normat dhe kushtet teknike të projektit. Ndryshimet në skemën dhe kartën teknologjike të funksionimit të impianteve të përpunimit bëhen vetëm me miratimin e ministrisë.

-Transferimi i “Licencës së përpunimit” bëhet vetëm pas miratimit të ministrisë, sipas rregullave të veçanta të miratuara nga ministri përgjegjës për hidrokarburet dhe me kusht që personi juridik, tek i cili transferohet “Licenca e përpunimit”, duhet të plotësojë aftësitë e nevojshme teknike dhe financiare, të përcaktuara si më sipër.

-Dhënia e “Licencës së përpunimit” të nënprodukteve e naftës bëhet kundrejt pagesës nga subjekti aplikues të tarifës prej 5 milionë lekësh, ndërsa rinovimi i “Licencës së përpunimit” bëhet kundrejt pagesës së tarifës 2,5 milionë lekë.

  Vendime të tjera

  Shtesat e HAWAI-t në tokë shtetërore do legalizohen falas

 Shtesat anësore apo në lartësi të ndërtuara nga shoqëria “HAWAI-ALB” shpk, të cilat janë në tokë shtetërore do të legalizohen falas. “Kur trualli mbi të cilin është ngritur objekti bazë ose shtesa anësore/në lartësi, apo një pjesë e tij, rezultojnë në pronësi shtetërore, sipas regjistrit të pasurive të paluajtshme, kalimi i pronësisë mbi sipërfaqen përkatëse kryhet pa pagesë” ka vendosur dje Këshilli i Ministrave.

 Kompensimi fizik, 23 368.8 ha tokë bujqësore në dispozicion të pronarëve

 Qeveria ka vënë në dispozicion të pronarëve 23 368.8 ha tokë bujqësore për kompensim fizik në qarqet Elbasan, Korçë, Berat dhe Gjirokastër. KM ka vendosur dje “kalimin në fondin e kompensimit fizik, në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, të sipërfaqes së tokës bujqësore prej 23 368.8 ha, në pronësi shtetërore, dhënë në përdorim njësive të qeverisjes vendore. Ndërsa njësive të qeverisjes vendore u shfuqizohet e drejta e përdorimit për këto pasuri”

Pas një muaji ndryshojnë tarifat e urbanëve

 Një muaj kohë kanë bashkitë për miratimin e tarifave të transportiti qytetas të udhëtarëve. Këshilli i ministrave ka vendosur dje të anulojë vendimin “Për ndryshimin e tarifave të transportit qytetas të udhëtarëve, të miratuara me vendimin nr.146, datë 26.2.1998, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar”. Tarifat e tanishme do të vazhdojnë të zbatohen deri në çastin e miratimit të tarifave nga këshilli bashkiak përkatës, por jo më shumë se një muaj nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

Licencë për arkitektët dhe mbikëqyrësit e punimeve të zbatimit në ndërtim

Çdo individ apo subjekt juridik, që kërkon të ushtrojë veprimtari në fushën e studimit e të projektimit në ndërtim dhe mbikëqyrjes e kolaudimit të punimeve të zbatimit në ndërtim, duhet të pajiset me licencën profesionale përkatëse sipas përcaktimeve të rregullores për kriteret dhe procedurat e dhënies së licencave profesionale. Do të formohet komisioni që ka autoritetin e vetëm për dhënien, ndryshimin apo revokimin e licencave profesionale të individëve apo subjekteve juridike, si dhe vendosjen e penaliteteve për veprimtari në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, do të ketë në përbërje: një përfaqësues nga Kryeministria, i cili të jetë kryetar; dy përfaqësues nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit; një përfaqësues nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës; një përfaqësues nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë; një përfaqësues nga Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, të Universitetit Politeknik të Tiranës; një përfaqësues nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, i Universitetit Politeknik të Tiranës. Anëtarët e komisionit që përzgjidhen duhet të jenë punonjës me përvojë profesionale, jo më pak se 10 (dhjetë) vjet, në fushat përkatëse të përgjegjësive të institucioneve që përfaqësojnë.