40 vite karrierë në një ekspozitë, Durrësi në sytë e fotografit Gëzim Domi

179
Sigal

40 vite karrierë dhe ndoshta pak më shumë, mbrapa lentes së aparatit fotografik. Gëzim Domi, fotografi i qytetit, ka mbledhur bashkë, me vështirësinë për ti ndarë krijimet e tij nga pjesa tjetër, mbi 200 foto, ku dokumentohet me vërtetësinë e shkrepjes që fikson njëherë e mirë momentin, Durrësi në të gjithë dimensionet e tij. Dallgë të larta, perëndime të magjishme, portrete njerëzore, sheshe historike, natyrë dhe det, për një qytet që e meriton të jetë i lirë. E përtej ndryshimeve, shenjave që çdo epokë ka lënë në rrugët e këtij qyteti, arkiva e fotove të Gëzim Domit është një destinacion që mund ta përdorësh si “makinën e kohës”, për t’u kthyer pas, për t’u mbushur me mall dhe për t’i marrë erë edhe njëherë kujtimeve të shkuara ku gjejnë veten mijëra durrësak. Nuk është e thjeshtë për dikë që ka qëndruar gjithmonë pas “kuintve” të pozicionohet përpara objektivit të një kamere dhe të flasi për karrierën e tij. Për Gëzimin, fotografin që e mësoj dhe kultivoj vetë këtë pasion, në mënyrë autodidakte, duke luftuar çdo ditë me fenomenet e natyrës, duke u ngjitur në majat më të larta të qytetit për të “gjuajtur” foton që ai do, vepra e tij duhet të flasi më shumë se çdo gjë tjetër, ç’ka duket se i ka hije një artisti prej shpirti. Thënë ndryshe, Gëzim Domi është një artist i bërë nga duart e tij. Do të jetë 23 qershori, data që kulmon karrierën e tij shumëvjeçare, ose më saktë stacioni i dytë në shfaqjet e tij të mëdha pëpara publikut, me ekspozitën fotografike që do të hapet në ambientet e Muzeut Arkeologjik, në orën 20.00. Pas kamerave, Gëzimi na tregon se këto nuk janë momente të thjeshta për të, emocione të përziera mes dëshirës për të organizuar mirë punën dhe përgjegjësinë e daljes së madhe përpara publikut, denjësisht nga ana artistike. Njëra pas tjetrës në një mbrëmje të bukur fundqershori, do të ekspozohen materiale fotografike që datojnë nga vitit 1982 deri në ditët e sotme. Nga ana konceptuale, ekspozita është ideuar nga djemtë e Gëzimit, Indrit dhe Besmir Domi, të dy po ashtu të ushqyer me dashurinë për fotografinë që të vegjël, duke dashur të vendosin me këtë shfaqje artistike të këtij lloji, një standard të ri për organizimet në qytet. Me mijëra shokë në rrjetin e tij social facebook, Gëzimi merr çdo ditë komente dhe përgëzime nga ndjekësit e tij, brenda dhe jashtë vendit, që për të janë burim frymëzimi dhe një nga të paktat shpërblime që ky profesion i ka sjellë, e megjithatë “e bukura” nuk ka pasur nevojë për shpërblim, për aq kohë sa ushqet nga pasioni. Në fund, ka një ftesë të hapur, për qyetarë të zakonshëm të Durrësit, artistë, dashamirës të artit, të fotove, të rinjë, studentë për të parë nga afër këtë ngjarje kulturore. Një “zhytje” mes fotove, për të shijuar më të mirën e këtij qyteti të gjallë…

Milva Ekonomi: Pranova më kënaqësi ftesën për të marrë pjesë në ekspozitën fotografike “Durrës 1982-2022” të fotografit të mirënjohur durrsak Gëzim Domi. Një retrospektive e qytetit në 40 vite punë, e dokumentuar përmes objektivit të aparatit fotografik.


Emiriana Sako:
Në fotoekspozitën e fotografit të mirënjohur Gëzim Domi, një event kulturor që i vjen qytetit tonë në këtë periudhë të sezonit turistik veror. Ndonëse autori e ka paraqitur si marrëdhënie të tij 40 vjecare me qytetin, unë jam e bindur se çdokush nga ne do të shohë në këtë fotoekspozitë marrëdhënien e tij me Durrësin, marrëdhënien që qyteti i ndërthurjes së kulturave ka ruajtur në rrjedhën e viteve. Kjo ekspozitë përmes imazhit i bën një shërbim të madh edhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore sepse kthehet në një arkivë me vlera njohëse dhe historike. Për më tepër, për ne që tanimë kemi përgjegjësinë të drejtojmë këtë qytet, fotot e bëra në të njëjtat vende gjatë këtyre 4 dekadave, na dëshmojnë transformimet dhe ndryshimet rrënjësore në jetën shoqërore të tij dhe për të qënë më të sinqertë për të parë dhe reflektuar që në të ardhmen të bëjmë më të mirën e mundshme për ta çuar Durrësin në atë standard ku koha e kërkon.

Mevlan Shanaj: Nuk janë vetëm dëshmi kronikale fotot e mjeshtrit Gëzim Domi, por shumë herë arritje artistike të imazhit. Ruaj kujtime personale të vyera prej njeriut që i ka dhënë Durrsit – Art!

Klodi Haxhiaj:
Një mbremje shumë e veçantë në Muzeun Arkeologjik! Mjeshtri i fotografisë Gezim Domi solli një ekspozitë fotografie, ”40 vjet karrierë artistike”. Si asnjëherë më parë, ekspozita ishte organizuar në natyrë, ndersa jo vetëm artdashësit por gjithë qytetarët durrsakë u derdhën, për të qënë pjesëmarrës e për të parë fotot e qytetit e transformimit të tij në vite, të ardhura mjeshtërisht nga autori per publikun! Urimet i takojne Gezimit!

Shoqata Durrësi Autokton
i uron suksese mjeshtrit të fotografisë dhe e përgëzon për punën e tij 40 vjeçare si vlerë dokumentimi për qytetin tonë!