4 ton drogë nga Shqipëria në Itali, Antimafia italiane godet bandën shqiptaro-italiane

350
Sigal

Antimafia Italiane e Leçes në bashkëpunim me Guardia Di Finanza e Brindizit kanë ekzekutuar në orët e para të mëngjesit të sotëm operacionin e koduar ”San Silvestro 2018” i cili ka çuar në shkatërrimin e një grupi trafikantësh lëndësh narkotike italo-shqiptarë.

9 persona janë vënë nën urdhër arresti, 5 në burg e 4 në arrest shtëpiak, ndërsa janë sekuestruar rreth 4 tonë drogë që është futur nga Shqipëria.

RTV Ora ka zbardhur se mes 5 personave të vënë në pranga, 3 janë shtetas shqiptarë, banues në Itali, të cilët organizonin vendosjen e kontakteve mes prodhuesve të marijuanës në Shqipëri e grupit të trafikantëve në Itali.

Gjithashtu 3 shqiptarët e arrestuar bashkëpunonin në operacionet e transportit të drogës nga Shqipëria në Itali. Gjatë hetimeve të operacionit e deri më sot në ekzekutimin e tij janë sekuestruar 3750 kg marijuanë, 50 kg hashash, 1 kg kokainë, 1 kg heroinë, 6 mjete lundruese e 3 autovetura.

Hetimet e operacionit janë ekzekutuar në sinergji me repartin e Guardia di Finanza në Durrës dhe me autoritetet e policisë shqiptare.