374 kryetarë komune e bashkie, anëtarë në 59 ujësjellës, 263 borde… të sajuar!

944
Gazeta “Telegraf”, në vijim të publikimit të skandalit të pagesave financiare suplementare, që bëhen mbi pagat e majme mujore që përfitohen fiktivisht nëpërmjet borderove të institucioneve e ndërmarrjeve prej një “klase” shtetarësh, politikanësh, zyrtarësh të lartë e familjarësh dhe miq të tyre, po publikon sot abuzimin që kanë bërë dhe po bëjnë prej 20 vitesh më këto borde, drejtuesit e bashkive e komunave në mbarë vendin. Janë borde fiktive, sa për efekte zhvatjesh financiare, të cilët janë sajuar në ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve në rrethet dhe zonat e vendit, për të marrë paga “thelë mbi bisht” shtetarët e të dy palëve politike në mirëkuptim e rotacion sipas ndryshimeve të përfaqësimit të pushtetit vendor. Janë individë me poste drejtuese kryetarë të pushtetit lokalë në bashkie e komuna dhe shtetarë të çdo niveli deri ish-ministra, ish-deputetë, ish-këshilltarë qeverie e ministrie dhe zyrtarë të lartë aktualë, që edhe pse nuk kanë asnjë lidhje profesionale e institucionale me ujësjellësit dhe infrastrukturën e kanalizimeve, janë në bordet e këtyre ndërmarrjeve dhe paguhen rregullisht prej shumë vitesh nga buxheti i tyre. Ata janë anëtarë bordesh në këto ndërmarrje, prej 8 vitesh të kthyera në “sha”, që “hanë” pa asnjë kontroll e lirshëm fonde nga buxheti i shtetit e që prej menaxhimit të dobët e “rrumpallë” të këtij sektori publik, vazhdojnë të mbledhin vetëm 20-30% të të ardhurave prej shitjes së ujit dhe shërbimeve të kanalizimeve në qytetet ku kanë aktivitetin. 
Bordet kanë pushtuar në mënyrë të shfrenuar ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve në mbarë vendin. Është bërë ligj prej vetë këtyre ndërmarrjeve, të cilat edhe pse punojnë me lekët e buxhetit të shtetit, caktojnë rregullat vetë, duke ngjitur pas emërtesës zyrtare një “sha”, nëpërmjet të cilës “bëjnë ligjin e autonomisë” ekonomike financiare brenda kupolave të tyre, duke përdorur sipas qejfit të ardhurat që mbledhin nga konsumatorët. Në të 36 rrethet e vendit, janë 59 ndërmarrje “Ujësjellës kanalizime “sha”, të cilët përveç administratës kanë si organe drejtuese edhe asamble, këshilla mbikëqyrës, borde teknike e këshilla juridik. Të gjithë këto paguhen nga të ardhurat e Ujësjellës-Kanalizimeve. Fakti është i tillë: Një “ushtri” e madhe zyrtarësh që nuk janë punonjës të ujësjellës-kanalizimeve, paguhen nëpërmjet këtyre bordeve e këshillave fantazma, duke gëlltitur miliona lekë, mbi pagat. Sipas investigimit të “Telegraf”, në 59 ndërmarrjet “Ujësjellës-Kanalizime sha”, që ushtrojnë aktivitet në shkallë vendi, “hanë” paga mujore 263 borde asamble, borde teknike, borde juridike, borde projektesh fizibiliteti, borde këshillimi juridik, avokatë e noterë privat, që paguhen me pagë bazë mujore. Numri i anëtarëve dhe drejtuesve (kryetarë, nënkryetarë, sekretare, anëtarë, miq konsulentë të asamblesë) përcaktohet me statutin e ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve, sipas çdo rrethi dhe statuti bëhet siç duan ata që kanë komandojnë këto ndërmarrje. Madje Drejtori të Përgjithshme prej 39 vetash dhe me bord ujësjellës-kanalizimesh prej 64 vetash, ka edhe në ministrinë “Haxhinasto”, ku gjen si anëtarë edhe agronomë, artistë, zyrtarë e këshilltarë ministrash arsimi, ushtrie, bujqësie, sporti, shëndetësie, kulture.
374 kryetarë komune e bashkie, anëtarë në 59 ujësjellës 
Kanë një marifet ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve, me të cilin krijojnë borde dhe zhvatin paga mujore shtesë, mbi pagat zyrtare që u jep shteti. Këto borde, asamble e këshilla drejtues të këtyre ndërmarrjeve, tipike pronë e atyre që i drejtojnë, funksionojnë me përqindje aksionesh përfaqësimi politik. Partia që fiton numrin më të madh të bashkive e komunave në rreth, quhet aksionarë drejtuese e ujësjellës-kanalizimeve, komandon asambletë dhe vendos të zgjedh këshillat drejtues të ujësjellësve. Në rastin konkret, në Shqipëri ka 309 komuna dhe 65 bashki, ose 374 njësi të qeverisjes vendore. Të 374 kryetarët e bashkive dhe komunave janë automatikisht anëtarë të asambleve të ujësjellës-kanalizimeve. Përveç pagës zyrtare, këta përfitojnë edhe paga shtesë mujore fikse dhe pagesa për çdo mbledhje! Këta janë anëtarë, në 59 ujësjellës që ka krejt Shqipëria, të ndarë në 36 rrethe dhe 12 qarqe. Nga informacionet tona ata paguhen rregullisht çdo muaj si anëtarë bordi, duke shkuar formalisht në mbledhje, mbasi ën fakt ato drejtohen prej drejtuesve ekzekutiv, që në 40% të tyre, drejtorë janë kryetarët e partive politike në rrethe e zona. Llogaria është e thjeshtë: 374 anëtarë bordi, me pagë bazë mujore 20 mijë lekë në muaj, plus pagesat 3 mijë lekë për çdo mbledhje shtesë! 
Bordet e 45 ujësjellësve, në 4 vjet 1630 mbledhje sa për të zhvatur pagesën e mbledhjeve
Përveç pagës bazë mujore prej 20 mijë lekësh të reja, anëtarët e bordeve marrin edhe 3 mijë lekë të reja për çdo mbledhje asambleje, mbledhje këshilli mbikëqyrës, mbledhje bordi, mbledhje këshilli teknik. Sa për kujtesë, sipas statuteve të tyre, mbledhjet nuk kanë kufi numerik, pra mund të bëhen, sa herë që anëtarëve të këtyre bordeve dhe drejtuesve të ujësjellës-kanalizimeve, u teket për të marrë një bonus 3 mijë lekë të reja për një mbledhje, duke mbajtur vetëm një proces-verbal, sikur kanë bërë mbledhje! Në investiguam disa nga këto procesverbale ujësjellësish në Fier, Gjirokastër, Berat, Lezhë, Elbasan, Tepelenë, Korçë, Shkodër, Vlorë, Përmet dhe konstatuam, se bordi ishte mbledhur edhe me tematika të tilla, si 10 familje nuk paguajnë ujin në vlerën 510 lekë të reja në muaj, kur këta që bënë mbledhjen përfitonin nga 3 mijë lekë të reja secili për mbledhjen! Dhe çfarë vendosin në mbledhje? Me faturistët e ndërmarrjes, ata dërgojnë nga një paralajmërim kërcënues për prerje uji për borxhlinjtë! Ose, p.sh., janë bërë mbledhje “urgjente” për vjedhjen e 3 kapakëve të pusetave që kushtojnë 7 mijë lekë të reja, kur mbledhja kushton 33 mijë lekë të reja! Në 4 vitet e fundit, në 45 ndërmarrje janë bërë 1630 mbledhje formale, sa për të “regjistruar” pagesën që përfitojnë prej çdo mbledhjeje. 
———————————————
KLSH: Bordet e 52 ujësjellësve, vendime me 2457 shkelje
Në 3 vitet e fundit, KLSH ka ushtruar kontroll në 52 prej këtyre ndërmarrjeve dhe ka konstatuar një veprimtari të rënd e totale abuzimesh me pagesat e bordeve, me numrin e bordeve shtesë të sajuar për të përfituar paga miqtë dhe familjarët e tyre, klientët dhe militantët politikë të çdo krahu politikë, blerje abuzive me tenderime me procedurë klienteliste e antiligjore, abuzim me të ardhurat, me pagat mujore shtesë për punonjës terreni administrate jashtë organike, me pagesa “part-time”, pagesë mujore për 254 emigrantë “punonjës” në ujësjellës-kanalizime, që nuk janë futur në Shqipëri prej 10-15 vitesh etj. Sipas raportit të KLSH, në 52 ndërmarrjet e kontrolluara, janë konstatuar 2457 shkelje të rënda ekonomike-financiare, me detyrimin për të kthyer vlera në arkën e ndërmarrjeve dhe me propozime për masa ndëshkuese, të cilat në 41 ndërmarrje janë shpërfillur! 
——————————————
Ja bordi “Albpetrol”, mbushur me ish-shtetarë, deri në shtator 2013
Ferdinand Murati drejtor
Ibrahim Hastopalli
Ilir Meçe
Fatmir Mehmetaj
Suzana Guxholli
Shkëlqim Kërluku
Sadik Domi
Elvi Fundo
Ja bordi i “Albpetrol”, mbushur me shtetarë, pas shtatorit 2013
Endri Puka drejtor
Etjen Xhafaj 
Koli Bele
Andius Olldashi
Ardit Kamberi
Ardit Çollaku
Kastriot Bejtaj
—————————————————————
Ja 59 ujësjellësit, ku janë anëtarë asambleje 374 kryetarë bashkie e komunash dhe 236 borde pagash shtesë
Berat (qytet)
Berat (fshat)
Bilisht
Bulqizë
Burrel
Delvinë
Dibër
Divjakë
Durrës
Elbasan (Fshat)
Elber (sh.p.k)
Ersekë
Fier
Fushë Arrëz
Fushë Kruje
Gjirokastër (Qytet)
Gjirokastër(Fshat)
Gramsh
Has
Kamzë
Kavajë
Këlcyrë
Korçë (Fshat)
Korçë (Qytet)
Krastë
Krujë
Kuçovë
Kukës
Kurbin
Lezhë
Libohovë
Librazhd
Lushnjë (Fshat)
Lushnjë (Qytet)
Mallakastër
Malësi e Madhe
Mirditë
Novoselë
Orikum
Patos
Peqin
Përmet
Pogradec
Poliçan
Pukë (qytet)
Pukë (Fshat)
Rrogozhinë
Rubik
Sarandë
Selenicë
Shkodër (Fshat)
Shkodër (Qytet)
Skrapar
Tepelenë
Tiranë(Qytet)
Tropojë
Ura-Vajgurore
Vau i Dejës
Vlorë
—————————– 
Ja numri i anëtarëve të bordeve kryetarë komunash, në 12 qarqe
Berati 20 kryetarë anëtarë
Dibra 31 kryetarë anëtarë
Durrësi 10 kryetarë anëtarë
Elbasani 43 kryetarë anëtarë
Gjirokastra 26 kryetarë anëtarë
Koraca 31 kryetarë anëtarë
Kukësi 24 kryetarë anëtarë
Lezha 16 kryetarë anëtarë
Shkodra 28 kryetarë anëtarë
Tirana 24 kryetarë anëtarë
Vlora 19 kryetarë anëtarë
Fieri 36 kryetarë anëtarë
Sigal