30 mijë lekë prenotimi i varrit/ Varrezat në Pogradec me vende të rrethuar me kangjella, por janë bosh

804
Sigal

“Fiks fare” denoncoi skandalin në varrezat e Pogradecit, duke sjellë fakte sesi bashkëpunojnë punonjësit, të cilët kanë rrethuar vende, duke i kamufluar si varre, por që në të vërtetë janë bosh dhe u jepen atyre që paguajnë bakshish. Për të gjetur një varr, në Pogradec, duhet të paguash të paktën 30 000 lekë të reja. “Fiks Fare”, ka zbuluar që për gjetjen e një vendi për varr, duhet të paguash punonjësin e komunales dhe përgjegjësin e tij, të cilët kanë agjencinë funerale ” Tole” , pak metra lag varrezave të qytetit. Fillimisht  gazetarët shkuan në agjencinë e  funeraleve “Tole” brenda në biznes gjetën një nga punonjësit e ndërmarrjes komunale, i cili ishte edhe bashkëpronar me pronarin e agjencisë. Në takimin e parë, gazetarët i kërkuan punonjësit të ndërmarrjes komunale, një vend për varr, pas zhvarrimit të eshtrave të një të afërmi të tyre, në Lushnje, me pretendimet për të bërë rivarrimin e tyre në varrezat e qytetit të Pogradecit, ku viktima kishte të afërmit e tij. Punonjësi i komunales, i ka premtuar gazetarëve që do fliste me përgjegjësin Servet Tole, për të bërë të mundur gjetjen e një vendi për rivarrimin e eshtrave. Pas marrjes përsipër të gjetjes së një varri, gazetarët u rikthyen sërish  në Pogradec, tek agjencia funerale. Këtë herë takuan punonjësen e funeralit, e cila iu tregon gazetarëve se përgjegjësi i mirëmbajtjes së varrezave dhe punonjësi i ndërmarrjes komunale ishin bashkëpronarë të agjencisë funerale. Ndërkohë që iu jep numrin e telefonit të Servet Toles, përgjegjësit të mirëmbajtjes  së varreve,  njëri nga gazetarët komunikon me të, duke i kujtuar se katër ditë më parë kishte qenë tek agjencia e tij. Gazetarët i tregojnë Toles se kishin takuar punonjësin e ndërmarrjes komunale  i cili quhej Agjerim. Në takim  gazetari i ka shpjeguar Servetit që Agjerimi i kishte premtuar se do bisedonte me të për gjetjen e një vendi për varr. Menjëherë Serveti ka pohuar se ishte vënë në dijeni, por për të parë vendin ku do zinin varrin, duhej të takonin sërish Agjerimin.  Në këto kushte gazetarët telefonuan Agjerimin, i cili ishte punonjës i ndërmarrjes komunale. Pas takimit me gazetarët Agjerimi u ka treguar gazetarëve se iu kishte gjetur një vend për varr, i cili ndodhej mes varrezave të Pogradecit, pranë një gështenje. Gazetarët pasi kanë parë vendin, i kanë kërkuar Agjerimit, se sa duhej të paguanin. Punonjësi i komunales ka telefonuar eprorin e tij, Servet Tolen, të cilit i ka kërkuar pazarin se sa duhej të paguanin gazetarët për zënien e dy  vendeve për varr. Në telefon Serveti i  kërkon Agjerimit, që për të dy varret gazetarët duhet të paguanin 30 000 lekë të reja.  Pas prerjes së pazarit, gazetarët i kanë dhënë 40 000 lekë (të vjetra ) kapar Agjerimit, ndërsa i kanë kërkuar që të rrethonte vendin e varrit ku ata porositën.  Gjatë bisedës me të Agjerimi u ka treguar gazetarëve, se ai së bashku me Servetin ishin punonjës të ndërmarrjes komunale të Bashkisë së Pogradecit, duke iu garantuar njëkohësisht edhe ruajtjen e vendit për varr. Ndërkohë që pjesën tjetër të lekëve, sipas Agjerimit, duhej ta jepnin gazetarët, pas rivarrimit të eshtrave.  Disa ditë më vonë gazetarët takuan sërish Agjerimin, duke i kërkuar vendin që ata kishin zënë dhe për ta parë, nëse e kishte kufizuar apo jo. Në bisedë Agjerimi u tregon gazetarëve se vendin e varrit e kishin të sigurt, por nuk mundet ta kufizonte, pasi do binte në sy.