30 hektarë pronë e Ministrisë së Mbrojtjes po shitet dhe jepet me qera

674
Ajo që po ndodh me pronat e ushtrisë në Elbasan, është një skandal i paimagjinueshëm, që po bëhet prej vitesh, veçanërisht në 2 vitet e fundit, ditën me diell, në sytë e komandantëve fiktive të Ministrisë Mbrojtjes, duke detyruar të heshtin ushtarakët e tjerë rrogëtarë, të kthyer në roje objektesh dhe deposh me municione. Mbi 30 hektarë pronë e Ministrisë së Mbrojtjes në zonën e ish-kishës në periferi të Elbasanit pranë Spitalit Psikiatrik, e cila ka qenë repart ushtarak njësi e ish-Bazës së Armatës, është duke u shkatërruar dita-ditës. Burime nga repartet ushtarake të Elbasanit i thanë “Telegraf” se “ish-repartet e ushtrisë janë kthyer në mall pa zot, po shkatërrohen dhe jepen me qera, po shiten dhe trajtohen sikur të ishin çifligje, dhe konkretisht tek ish-reparti i municioneve të Bazës së Armatës, pas spitalit Psikiatrik, ajo pronë e regjistruar në ZRPP me nr pasurie 277, prej 2 vitesh po përballet me zhvatje në mesin e ditës, janë ngritur stalla bagëtish, shpuar puse uji, janë ngritur sera perimesh, dhe po u del themeli objekteve tona, një katrahurë e madhe”. I njëjti burim tha se “askush nuk merr përgjegjësinë, ndërkohë që këto veprime antiligjore kryhen hapur dhe nuk ndalen nga urdhrat apo porositë e komandantëve tanë Arban Janaqi dhe Arjan Roshi, të cilët po i lënë pronat e ushtrisë sikur të ishin mall pa zot”. Fakti është se pavarësisht se ai objekt gjigand ushtrie dikur, ato depo që sot janë kthyer në gërmadha kanë pasur roje, por prej disa muajsh qëndrojnë në mëshirën e fatit, dhe persona të panjohur po marrin tullat, kapriatat, dhe pushtojnë sipërfaqet e tij. Por sikur të mos mjaftonte kjo, edhe objekti që dikur ka shërbyer si furra e bukës e ish-Divizionit Elbasan, që furnizonte të gjitha repartet ushtarake të rrethit, po grabitet dhe jepet me qera, duke fshirë nga harta gjithçka. Prej disa muajsh gjithë sasia e madhe e municioneve e cila gjendej tek ish-reparti Bazës së Armatës duke nisur nga armatimet dhe fishekët, pasi futet në tunelet e mbetura ende pa cenuar, ngarkohen me mjetet e rënda të Ministrisë Mbrojtjes dhe nisen jashtë Elbasanit, në destinacione të ndryshme – tha i njëjti burim. Shkatërrimi objekteve ushtarake dhe tjetërsimi tyre, duket si një skenar i mirë organizuar, dhe askush nuk guxon të flasë apo pyesë se çfarë po ndodh pasi ikën nga puna. Pothuajse gjithë personeli ushtarakëve dhe rojeve është grumbulluar në Mengël, Labinot, dhe Mjekës, ku bëjnë shërbim mbi 12 orë, duke mos ju paguar orët shtesë, dhe pa asnjë ditë pushimi. Realisht në gjithë efektivat e ushtarakëve në Elbasan, nuk ka mbetur asnjë profesionist, pasi janë larguar dhe flakur në rrugë nga “reforma” duke mbajtur një grusht rojesh që paguhen me rrogë fikse qesharake duke mos ju paguar orët shtesë që bëjnë duke u sfilitur. Por pavarësisht këtij fakti, edhe ata që shërbejnë ende atje, bëjnë apel për të ndalur degradimin e objekteve ushtarake, për të ndalur pushtimin e tyre, tjetërsimin e tyre. Pronat e ushtrisë në Elbasan, prej vitesh janë kthyer në mall pa zot, pasi edhe pse Ministria e Mbrojtjes gjatë këtyre viteve, i ka regjistruar në ZRPP formalisht, duket se ato kanë mbetur jashtë vëmendjes së saj. Kjo nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër, siç po ndodh tek ne me pronat e një ushtrie të rregullt, e cila ka pasur të dokumentuara gjithçka dhe që sot po i shkatërrojnë nga themelet.
Sigal