3 ditë pas arrestimit, firmës ‘Omega-Pharma’ i jepet tenderi shtesë prej 500 milionë lekësh

728
Skandali financiar me rimbursimin e ilaçeve, për të cilin Gazeta “Telegraf” ka shkruar disa herë, çoi në pranga në datën 31 tetor 2015, pronarin e kompanisë (depos) farmaceutike “Omega Pharma” me qendër në Tiranë, për abuzim me rimbursimin e ilaçeve me receta false për blerje-shitje fiktive të 2 ilaçeve jetike, për 2 sëmundje: “Insulina” për trajtimin e diabetit dhe “Ketosterili” për trajtimin e veshkave. Në skandal-krimin financiar të rimbursimit fals të ilaçeve, zbuluar disa muaj më parë, sipas urdhër-arresteve të prokurorisë së Tiranës, rezulton se janë përfshirë farmaci e firma farmaceutike private, pronarë, drejtues e punonjës të tyre dhe zyrtarë të lartë të Fondit të Kujdesit Shëndetësor Rajonal të Tiranës, të cilët së bashku, kanë organizuar dhe realizuar një skemë mashtrimi e vjedhje me rimbursimin e ilaçeve, që paguheshin me fonde nga buxheti i shtetit, ose më saktë nga taksat e shqiptarëve. Sipas prokurorisë së Tiranës, epiqendra e organizimit dhe realizimit të kësaj skeme mashtrimi gjigande me mbi 5 milionë euro është kompania “Omega-Pharma”. Tashmë pronari i “Omega Pharma”, drejtuesi teknik, shefja e financës dhe financierja e kësaj kompanie gjenden prej 5 ditësh në prangat e drejtësisë për akuzën e vjedhjes me mashtrim të fondeve të rimbursimit të ilaçeve në shuma të mëdha e në bashkëpunim. Sipas burimeve konfidenciale nga prokuroria e Tiranës, gazeta “Telegraf” u informua dje, se veprimtaria zyrtare e kompanisë “Omega Phrama” me institucionet dhe shërbimet shtetërore është bllokuar qysh ditën e arrestimit të pronarit e punonjësve të saj, konkretisht më 31 tetor 2015. Por po ndodh skandali tjetër që ka lidhje me përfitimet që shteti i jep kompanisë “Omega Pharma”. Çfarë ndodh? Nga shqyrtimi që Gazeta “Telegraf” i bëri dokumentave zyrtare, rezulton se marrëdhëniet e institucioneve dhe agjencive të shërbimeve shtetërore e për më tepër të ministrave të “Rilindjes” me firmën “Omega Pharma”, jo vetëm nuk janë shkëputur sipas ligjit dhe kërkesës së prokurorisë, por po vazhdojnë normalisht e madje me intensitet si deri sot, me dhënie tenderësh në favor të kompanisë “Omega Pharma”… edhe pas skandalit dhe arrestimit të pronarit e drejtuesve të saj. Skandali ka lidhje me faktin, që 3 ditë pas arrestimit, Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja, ka shpallur publikisht firmën “Omega Pharma” si fituese të një tenderi blerje ilaçesh (sasi shtesë) deri në 31 dhjetor 2015, me dosje të firmosur mes palëve Ministri Shëndetësie-Pronar i “Omega Pharma”, ndërkohë që kjo firmë është bllokuar si aktivitet për mashtrim me vjedhje të fondeve shtetërore me aktivitet fals dhe për më tepër i është arrestuar pronari që ka fituar tenderin e shpallur prej komisionit të kësaj ministrie! Gazeta “Telegraf” ka mundur të sigurojë një njoftim zyrtar, të publikuar në “Buletinin e Prokurimeve Publike” Nr. 43, datë 02 Nëntor 2015, ku Ministria e Shëndetësisë, njofton se ka shpallur fituese kompaninë “Omega Phrama Group shpk”, me NIPT LOl529009P, për tenderin me Nr. Ref: 396/14.09.2015, me objekt “Blerje barna për nevoja spitalore shtesë, deri në fund të vitit 2015, me fondi limit në total: 41 milionë, 380 mijë e 291 lekë të reja pa TVSH, paguar me fonde nga buxheti i shtetit 2015/shpenzime”. Ndërkohë që me vlerën e shtuar 20% TVSH, vlera e tenderit shkon në afro 500 milionë lekë të vjetra. Por tenderët e fituar prej “Omega Phrama” edhe brenda 1 tenderi edhe 3 ditë pas arrestimit të pronarit të kësaj kompanie, nuk përfundojnë tek 500 milionë lekët e tenderit të ilaçeve shtesë, por Ministria e Shëndetësisë i ka akorduar kompanisë “Omega Phrama” edhe një vlerë tjetër shtesë tenderi, me këtë shënim brenda njoftimit të datës 2 nëntor 2015, me tekstin: – “Duke iu referuar procedurës së lartpërmendur, informojmë “OMEGA PHARMA GROUP SHPK”, me NIPT LOl529009P Adresa: Tiranë, Kashar, “Kthesa e Kamzës”, Përballë “Casa ITALIA”, se është shpallur fitues edhe për ofertën e paraqitur për “Lotin 8”, me vlerë në total 685 mijë e 790 lekë pa TVSH, që bashkë me vlerën e shtuar 20% TVSH shkon në afro 8.4 milionë lekë të vjetra, që kësaj kompanie i jepen mbi vlerën e tenderit 500 milionë lekë të vjetra! Ky përbën një skandal të rëndë shtetëror, që duhet çuar përpara drejtësisë, mbasi ligji parashikon dhe përcakton, që cilido individ, apo subjekt, përfaqësues privat apo shtetëror, që në momentin bllokimit si aktivitet, apo prangosjes prej drejtësisë, nuk ka asnjë të drejtë të ushtroj aktivitet e përfaqësim, për më tepër me institucionet shtetërore! Por ja që Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja vazhdon t’i akordojë tenderë e të shpall fituese kompaninë mashtruese edhe pas skandalit me ilaçet, duke pranuar e shpallur fituese dosje tenderimesh të firmosura nga pronari i kësaj kompanie, i cili gjendet në prangat e drejtësisë!
———————————————— 
Kompania “Intech +” e ministrit Ilir Beqja, fiton edhe 2 tenderë të tjerë në shërbimet shtetërore me vlerë 6 milionë dollarë
Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja, përveçse vazhdon t’u jap tenderë edhe kompanive me pronarë e drejtues që kanë komanduar skandalin e mashtrimit dhe vjedhjes me rimbursimin me receta e letra false import-eksport-shpërndarje ilaçesh në treg, me fuqinë e pushtetit privilegjues e diktues që kanë në kupolën e “Rilindjes”, po vazhdon të përfitoj tenderë të shumtë edhe për firmën e tij private “Intech +” me 51% aksione, gjoja të shitur si biznes pas marrjes së mandatit si deputet i PS dhe pas emërimit si Ministër Shëndetësie. Dy javë më parë, opozita denoncoi me fakte konkrete, skandalin që firma e ministrit Beqja vazhdon të jetë e privilegjuar në fitimin 23 e tenderëve në miliona euro e dollarë nga fondet e shërbimeve publike, dhënë me klientelizëm prej institucioneve shtetërore shqiptare. Ministri Beqja e mohoi faktin e denoncuar, që të jetë ende pronar i firmës së tij “Intech +”, duke deklaruar se e ka shitur atë qysh në vitin 2013. Pikërisht, kompania “Intech +”, ka fituar përsëri 3 ditë më parë edhe 2 tenderë të tjerë në miliarda lekë. Pa bërë komente, po publikojmë njoftimet zyrtare të dy tenderëve të fiuar prej firmës “Intech +” ku ministri Beqja është aksionerë me 50%, publikuar në “Buletinin e Prokurimeve Publike” Nr. 43, datë 2 nëntor 2015, faqe nr. 75 dhe faqe nr. 122. po flasim konkretisht… Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit Publik, në datën 2 nëntor 2015, njofton zyrtarisht, se bashkimi i operatorëve ekonomik “Info-Soft Systems”&“Ikub-Info”&“Intech+”&”Tetra Solutions”, me NIPT: J61820021C, L11712002T, J61827004B dhe K72017027P, janë shpallur fitues të tenderit me objekt “Shtim i 209 Shërbimeve elektronike për 18 institucione” me vlerën e ofertës 303 milionë e 600mijë lekë të reja pa TVSH, ose më qartë ka bashkimi i operatorëve ku bënë pjesë edhe “Intech +”, ka fituar tenderin në vlerën totale 607 milionë e 200 mijë lekë të reja me vlerën rimbursuar TVSH, pra mbi 6 miliardë lekë! Po nuk ndalet me kaq. Po në të njëjtin ditë, në të njëjtin numër të Buletinit të Prokurimit Publik, njoftohet se firma “”Intech +”, së bashku me firmën “Infosoft Systems”, ka fituar edhe 1 tender tjetër për shërbime në Agjencinë Kombëtare të Shoqërsië së Infromacionit Publik, me vlerë afro 109 milionë lekë, me objekt kontrate: “Mirëmbajtja e sistemeve Oracle Audit Valut (përfshirë mirëmbajtjen për periudhën dy vjecare”. Ky fakt, nuk ka nevoj për komente. 
Sigal