289 mjekë dhe stomatologë hyjnë në provim shteti

622
Sigal

Agjencia Kombëtare e Provimeve ka publikuar listën e kandidatëve të mjekësisë dhe logopedisë që do të hyjnë në provimin e shtetit nesër më 16 dhjetor, emrat e të cilëve i gjeni në numrin e sotëm të “Gazeta Shqiptare” (print). Kjo shënon edhe ditën e parë të provimit të shtetit për profesionet e mjekësisë. Po ashtu, në listat bashkëngjitur shkrimit janë edhe emrat e stomatologëve që do t’i nënshtrohen provimit të shtetit në datë 19 dhe 20 dhjetor. Në total në këto dy data do të testohen 289 kandidatë, ku 96 janë kandidatë që kanë mbaruar studimet e larta për mjekësi të përgjithshme, 5 janë logopedë dhe 188 janë stomatolog.

Sipas AKP-së, kandidatët duhet të bëjnë verifikimin e emrave në listat e mëposhtme për ndonjë parregullsi. Sipas drejtuesve të AKP-së, në total këtë sezon do të hyjnë në provim të shtetit rreth 2600 kandidatë, ku rreth 50% e tyre janë infermierë. Në ditën e provimit, në rast të ndryshimit të mbiemrit, kandidati duhet të paraqesë certifikatën përkatëse, që vërteton këtë ndryshim si dhe mjetin e identifikimit dhe mandatpagesën e tarifës së regjistrimit për provim shtetit. Kalimi me sukses i këtij provimi u jep të drejtë aplikantëve që të marrin licencën e ushtrimit të profesionit të mjekësisë, në të kundërt nuk mund të punësohen në sektorin publik.

KALENDARI I PROVIMIT 

Sezoni i provimit të shtetit në fushën e mjekësisë do të nisë më datë 16 dhjetor 2016 dhe do të mbyllet në datë 11 janar 2017. Të parët që do të nisin në datë 16 dhjetor provimin janë 96 mjekë të ndarë në dy grupe, po në të njëjtën ditë me ta do të testohen edhe 5 kandidatë të logopedisë. Ndërsa në datë 19 dhjetor do të testohen tri grupe me stomatologë, po ashtu grupi i parë i testimit i datës 20 dhjetor do të jenë sërish stomatologë, pasi në total këtë sezon do të testohen për të ushtruar profesionin 188 stomatologë.

Ndërsa dy grupet e tjera të datës 20 dhjetor janë kandidatë që kanë mbaruar studimet e larta për teknik laboratori. Listat e kandidatëve të tjerë do të publikohen në ditët në vijim. Në 21 janar provimi i shtetit do të vijojë me fizioterapistët dhe grupi i tretë testimit për të cilët nis në orën 14:00 janë teknikët e imazherisë. Ndërsa në 22 dhjetor do të hyjnë në Ermelinda Hoxhaj provimin e shtetit për t’u pajisur me licencën e ushtrimit të profesionit kandidatët që kanë mbaruar arsimin e lartë për mami.

Në datë 23 dhjetor është lënë të testohen vetëm një grup infermierësh. Testimi i tyre do të vijojë edhe në tri ditë të dhjetorit, pikërisht në datat 27, 28 dhe 29 dhjetor. Për shkak të ndërrimit të viteve, provimi i shtetit do të rifillojë në datë 4 janar me farmacistët, po ashtu testimi për këtë profesion të rregulluar do të vijojë edhe në datë 5 janar. Ndërkohë që 5 ditët në vijim do u lihen në dispozicion infermierëve, pasi janë rreth 1500 kandidatë që pritet të hyjnë në provimin e shtetit në këtë sezon.

TARIFA 

Tarifa që i nënshtrohen kandidatët që hyjnë në provimin e shtetit vjen në rritje në mënyrë progresive, në varësi të herëve që kandidati i është nënshtruar provimit të shtetit. Nga 10 mijë lekë që paguan kandidati që i nënshtrohet provimit për herë të parë, ata që do të testohen për herë të dytë e kanë tarifën 12.500 lekë, testimi për herë të tretë e ka tarifën 15 mijë lekë, për herë të katërt 17.500 lekë, ndërsa më të lartë e kanë ata që testohen për herë të pestë, pasi duhet të paguajnë 20 mijë lekë. Faturën e pagesës kandidatët mund ta gjejnë në faqen zyrtare të AKP-së.

Nëpërmjet saj ata duhet të bëjnë pagesën në një bankë të nivelit të dytë ose në postë. Në testim kandidatët do të kenë 50 pyetje me alternative dhe në total vlerësohen me 100 pikë. Që të quhen kalues, duhet të marrin patjetër 50 pikë. Përgjigjen kandidatët e marrin menjëherë sapo përfundojnë testimin, pasi ky provim është i informatizuar.

DITËN E PROVIMIT KANDIDATI DUHET TË JETË I PAJISUR ME:
1. Letërnjoftim (kartë ID ose pasaportë) për pjesëmarrje në provimin e shtetit (dokumenti origjinal).
2. Kopje të kartës ID ose pasaportë.
3. Faturën e pagesës së tarifës së provimit të shtetit për llogari të AKP-së, nga një bankë të nivelit të dytë/postë (sipas faturës për arkëtim të publikuar në faqen zyrtare të AKP) sipas herës së pjesëmarrjes, (vëmendje: fatura të ketë vulën e bankës përkatëse).
4. Kopje të diplomave të programeve të ciklit të parë dhe të dytë të studimeve të përfunduara prej tyre, si dhe njohjen e tyre nga MAS, në rast përfundimi të programeve të studimit jashtë shtetit.
5. Në rast ndryshimi të mbiemrit, kandidati të paraqesë certifikatën përkatëse që vërteton këtë ndryshim.