260 padi penale për drejtues dhe këshilltarë të ish-komunave

542
Skandalet me trojet dhe pronat nuk kanë prekur vetëm qytetet por edhe fshatrat që deri para 6 muajsh ishin nën administrimin e komunave. Qindra e mijëra hektarë tokë e ndarë nga 7501 në format dhe mënyrat më korruptive, duke zhvatur në “emër të ligjit” dhe postit, pronat e ligjshme të banorëve në fshatra. Qindra hektarë troje të tjetërsuara me vendimet e ish-Këshillit të Komunave, apo me votat e blera me para ose me presione verbale, kanë bërë lëmsh gjithë regjistrat e pronave në Kadastra dhe ZRPP. Një gjë kaq e shëmtuar ka ndodhur edhe në Komunën e Bradasheshit, me trojet dhe pronat e ligjshme të dhjetra e dhjetra banorëve nga fshatrat e saj. Një prej banorëve të ish-Komunës Bradashesh H.K. i tha “Telegraf” se “kam 4 vjet që vuaj me tokën e të parëve të mi, me pronën time të ligjshme e cila nga ish-drejtuesit e Komunës Bradashesh dhe zyrtarët e saj është grabitur me letra dhe afera korruptive dhe i është dhënë një personi që nuk banon fare në fshatin tim, një skandal dhe korrupsion i hapur dhe që duhet ndëshkuar, pasi kam 4 vjet që sorrollaten në gjykata, ZRPP, Kadastra, ndërkohë që personi që e disponon me letra tokën time deklaron se “unë nuk e kam atë truall nuk e di si janë bërë punët, të përgjigjet ai që ka firmosur”.

 Dhe faktikisht H.K. personi që ka denoncuar thotë se “gjithçka bëhej me firmën e këshilltarëve të ish-komunës dhe të zyrtarëve dhe firmoste në fund edhe ish- kryetari i saj, ndërkohë që si rasti im ka me dhjetra e dhjetra, që edhe sot e kësaj dite nuk po gjejnë drejtësinë për tokat e tyre të ligjshme”. Personi i dëmtuar nga veprime të tilla të paligjshme dhe abuzive deklaroi se “kam 4 vjet që jam me gjyqe, kurse tani çështja ime ka vajtur në Apelin e Durrësit, jam me strese unë dhe familja, dhe përse për një të drejtë, ndërkohë që në Prokurori janë veç meje ka mbi 200 familje që janë futur në telashe me tokat e tyre për fajin e ish-komunarëve dhe drejtuesve të saj”. 

Denoncime në organin e akuzës
Duke mos u mjaftuar me deponimet e banorit të ish-Komunës Bradashesh, ne u interesuam edhe në organin e akuzës dhe ZRPP e Elbasanit për të mësuar mbi situatën dhe problemet e tokave në fshatrat e asaj njësie administrative e shkrirë tashmë. Dhe e vërteta ishte se, Prokuroria e Elbasanit kishte regjistruar shumë kallëzime penale dhe denoncime nga banorët e fshatrave të ish-Komunave të Qarkut, si nga Shirgjani, Llixha, Gjinari, Papër, Bishqem, ku nuk përjashtoheshin edhe denoncimet nga ish-Komuna e Bradasheshit. Burime nga organi akuzës thanë se “shumica e denoncimeve dhe kallëzimeve kanë objekt tjetërsimin e pronave, zhvatjen e tyre me dokumentacion të fallcifikuar, apo deri deklarata noteriale të falsifikuara, duke futur në rrugë qorre qindra e qindra familje, pasi shumica e këtyre pronave fiktive kanë arritur të regjistrohen edhe në ZRPP, apo edhe u janë shitur firmave dhe kompanive të huaja dhe vendase për investime, pra është një lëmsh i madh që duhet zgjidhur vetëm duke zbatuar ligjet”. 

Rrëmuja me trojet e fshatrave duket se nuk ka gjasa të zgjidhet derisa organet hetimore dhe gjyqësore të zgjidhin paraprakisht qindra dhe mijëra probleme me pronat e qyteteve. Në Kadastra dhe ZRPP problemin e trojeve në fshatrat e ish-komunave e njohin, por shprehen se “kemi një mal me dosje të tilla, zgjidhja është dërgimi për hetim dhe gjykim i çdo ish-kryekomunari dhe këshilltari që ka votuar për veprime të tilla antiligjore, pasi edhe në tokat e fshatrave kemi mbivendosje, pra për një truall 2.5 ha ka mbi dy pronarë, një nonsens juridik që kërkon vite të zgjidhet ligjërisht, pasdi ka zvarritje të jashtëzakonshme në gjykata”. Natyrisht përballë kësaj katrahure me pronat, është e pamundur një zgjidhje e shpejtë ligjore qoftë edhe me procese gjyqësore, por më kryesorja është fakti i vendosjes para ligjit të çdo ish-drejtuesi Komune, juristi apo topografi, këshilltari apo kushdo qoftë ai, për të vendosur drejtësinë e vonuar që duket nuk ka gjasa të ndodhë edhe për 25 vite të tjera “tranzicion”. 
Sigal