25-vjeçarja rrezikoi të mbytej në pishinë, shpallet në kërkim administratori i restorantit në Linzë

114
Sigal

Pas ngjarjes së ndodhur pasditen e djeshme në një pishinë në Linzë, në periferi të Tiranës, ku një e re 25-vjeçare rrezikoi të mbytej, policia ka shpallur në kërkim administratorin e restorantit.

52-vjeçari Y. H., akuzohet për veprën penale ‘shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë’, pasi nuk kishte caktuar përgjegjës për pishinën, siç e parashikon ligji.

25-vjeçarja E. T., vijon të jenë në Reanimacion në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës. E reja ishte duke u larë në pishinë bashkë me shokun e saj, O. M., 32 vjeç.

Mësohet se asnjëri prej dy të rinjve nuk dinte not.

Pas ngjarjes së rëndë, efektivë të komisariatit nr 4 proceduan në gjendje të lirë 32 vjeçarin , për veprën penale ‘plagosje e rëndë nga pakujdesia’ pasi kur vajza ka rrezikuar të mbytet, ai nuk i ka dhënë ndihmën e duhur.

“Më datë 22.08.2022, është marrë njoftim se në ambientet e pishinës së një lokali në Linzë, ishte mbytur një vajzë.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë konstatuar brenda në pishinë, shtetasen E. T., 25 vjeçe, në gjendje të rëndë, e cila ishte e shoqëruar nga shtetasi O. M., 32 vjeç. Shtetasja E. T., pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore nga stafi i ambulancës, është transportuar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, njoftoi policia për ngjarjen një ditë më parë.