25 mijë shqiptarë nëpër botë me “Karta Gazetari” ndërkombëtare, 2100 janë persona krimesh

659
Sigal

Gazeta Telegraf/

Skandali bëhet pjesë e “Vetingut”, 22 drejtues në 5
shoqata e sindikata gazetarësh do të thirren për deklarime

Lajmi i fundit që ka ardhur në redaksinë e gazetës “Telegraf”
nga burime të shërbimeve sekrete ndërkombëtare e ato shqiptare, zbulon dhe
konfirmon skandalin në një tjetër “sektor” të shoqërisë shqiptare. Pas abuzimit
të zbuluar nga shërbimet policore e hetimore të vendeve të BE e të SHBA, Kanadasë
dhe Australisë, lidhur me pajisjen e shqiptarëve me vërtetime false si persona
në gjakmarrje, me dëshmi false si ish-të persekutuar politikë, si individë e
familje me dosje false si persona që u rrezikohej jeta për konflikte pronash, si
dëshmitarë e denoncues krimesh në polici, për gjoja përndjekje nga pushtetet, për
përdhunime e rrëmbime, për konflikte fisnore e madje edhe të pajisur me vërtetime
si homoseksualë, këto ditë ka dalë në skenë edhe një abuzim tjetër, bërë
masivisht prej shoqatave të gazetarëve shqiptarë. Edhe këto shoqata e unione
gazetarësh fantazma vetëm me kryetarë, kanë abuzuar duke lëshuar dokumente
false, ashtu si 3000 shoqatat dhe OJF e tjera “moçale”! Konkretisht, skandali
ka lidhje me dokumentet e quajtura “Karta Gazetari Ndërkombëtare”, të cilët kanë
qenë dhe janë kompetencë e shoqatave (kryetarëve) të gazetarëve, që veprojnë në
Shqipëri. Sipas informacionit, me këto dokumente janë pajisur mijëra shqiptarë,
duke u “veshur” si “gazetar”, si shefa redaksie, si analistë mediash, si
komentatorë shtypi, si redaktor e madje edhe si drejtues gazetash e televizionesh,
kur realisht jo vetëm që nuk kanë qenë të tillë, por shumica nuk kanë ditur as…
shkrim e këndim! Por shoqatat e gazetarëve i kanë pajisur ata me “kartonë gazetari
ndërkombëtar”, duke u dhënë të drejtën për t’u paraqitur si gazetarë e drejtues
mediesh jashtë Shqipërisë, mbasi brenda Shqipërisë ata njihen që nuk janë të
tillë. Por që jashtë shtetit, në vendet e BE, në SHBA e shtete të tjerë, ata kanë
varur në qafë kartonin fals të gazetarit dhe janë prezantuar dhe kanë fituar
gjyqe duke përfituar shtetësi, leje qëndrimi, azil politik, ekonomik e special,
trajtim ekonomik-social e shërbime të tjera nën petkun e gazetarit të kërcënuar,
të përndjekur, të rrahur, të plagosur, madje edhe sikur u janë rrëmbyer, vrarë
e zhdukur fëmijë dhe familjarë! Sipas dëshmive të bëra prej atyre që kanë rënë
në prangat e policisë, kanë pranuar i kanë blerë këto kartona gazetari false, nga
krerët e shoqatave të gazetarëve në Shqipëri, sipas ofertë-kërkesës mes palëve.
Kjo histori, ka nisur qysh në vitin 1992, kur disa individë që as vetë nuk
ishin gazetarë, u vetë-shpallën si profesorë gazetarie dhe krijuan disa shoqata
gazetarësh profesionistë e të pavarur. me logon e këtyre shoqatave, ata
prodhuan “kartona gazetari” në gjuhë të huaj me logot e shoqatës ndërkomëbatre
të gazetarëve me qendër në Bruksel, Itali, Francë, Australi e SHBA dhe nisën biznesin
me to, duke i shitur në Shqipëri, për cilindo që i kërkonte, paçka nëse ishte
ose jo gazetar, rëndësi kishte të paguante çmimin e vendosur. Pikërisht ky
skandal është zbuluar dhe ka nisur hetimi në disa shtete të BE, në SHBA etj. Ky
hetim, tashmë ka mbërritur në Shqipëri. Sipas raportit të hetimit, rezulton se
janë 25 mijë shqiptarë të cilët qarkullojnë nëpër shtete të ndryshme të botës,
të pajisur me “Karta Gazetari” ndërkombëtare. Por skandali ka lidhje me krimin
që fshihet pas këtyre kartave, mbasi rezulton se 2100 prej “gazetarëve” të
pajisur me kartona fals, janë persona në kërkim, të lidhur me krimin, ose të skeduar
si pjesëmarrës në krime e trafiqe, të cilët në shumë raste i kanë shpëtuar
policive të botës, duke përdorur këto karta gazetari! Këta lloj gazetarësh kanë
mbushur Greqinë, Italinë, Francën, SHBA, Gjermaninë, Suedinë, Danimarkën, Spanjën,
Norvegjinë, Belgjikën, Australinë e shumë vende të tjera. Sipas burimeve të shërbimeve
sekrete, rezulton se shumë prej atyre që kanë pasur dhe kanë lidhje me botën e
krimit, kur janë kapur prej policive të vendeve përkatëse, janë prezantuar si “gazetar
shqiptar:, gjoja “të atashuar me shërbim ndërkombëtar për mediat shqiptare”.
Skandali është vendosur të bëhet pjesë e “Vetingut”, prej të cilit 22 drejtues e
ish-drejtues të 5 shoqatave e sindikatave të gazetarëve, do të thirren për
deklarime lidhur me kartat false që kanë lëshuar duke pajisur me letra “gazetari”
edhe persona të botës së krimit, që tashmë gjenden pas hekurave!