24 orë pritje kufi, poeti i njohur: Qeveria ime fle gjumë, greku tallet me ne

740
Pala greke në doganën e Kakavijës, Kapshticës dhe Qafë Botës ka ulur traun e ka ndërprerë kalimin për qytetarët shqiptarë që prej mbrëmjes së djeshme, duke krijuar atje radhë të gjata e tensione. Ky veprim i pajustifikuar vjen në momentet kur edhe marrëdhëniet mes dy vendeve janë tensionuar disi, për shkak të prishjes së disa ndërtimeve në Himarë, e lexuar nga pala greke si cenim i minoritarëve. Megjithatë pala greke thotë se veprimet në kufi janë të lidhura me një defekt në sistem.
Në Kakavijë, prej disa orësh vijon të jetë edhe poeti e publicisti Agim Doçi i cili shprehu indinjatën për mos reagimin e shtetit shqiptar.
“Po sensibilizoj qeverinë time që po fle gjumë, policia jonë ka vënë vula, po ato janë vula me patate të pjekura. S’ka stimul, vullnet e adrenalinë për tu përballur me retorikën e Athinës , janë politikuaj, jo politikanë, njëri kishte 24 orë që priste, i kishte fëmijët pa bukë”,- tha Doçi në një komunikim me News 24.
Ai e konsideroi fyes vendimin e palës shqiptare që vijon të lejojë kalimin e rregullt të shtetasve grekë, në një kohë që shqiptarët penalizohen.
“Sa të duash ka lëvizje nga Greqia në Shqipëri. Agjencitë tona turistike kujt i shërbejnë? Do rri këtu deri sa t’i teket grekut, ose se deri sa këta tanët të vendosin t’ju mbyllin traun. Ne jemi 13 autobusë që presim këtu…kjo s’është normale. Më ndjeni për tonin e zërit se jam malësor, unë s’mund të flas me zë të tredhur”,- tha ai.
Sigal