22 milionë euro kanë ikur në “drejtim të paditur”

566
Një hije skandali ka nisur të përshfaqet ditët e fundit lidhur me disa akse rrugore të qarkut të Elbasanit, në një kohë kur faktet flasin për tendera të kryer, para të lëvruara dhe asnjë km rrugë e shtruar. Akuzat kanë mbërritur prej muajit janar 2016 në dyert e KLSH, Prokurorisë Elbasanit, dhe Krimit Ekonomik, dhe duket se ka pak gjasa që ndonjë drejtues i lartë të arrestohet. Kjo pasi në organin e akuzës në Elbasan shprehen se “ata që akuzohen janë të lidhur me ministra dhe politikanë”, ndërkohë që e vetmja shpresë mbetet KLSH që mund të zbardhë këtë skandal. Rruga e Gjinarit mbetet akuza më e rëndë e këtij serial-skandali me rrugët në qarkun e Elbasanit, e cila ka gëlltitur plot 5.2 milionë euro, dhe aktualisht është pothuajse e pakalueshme, dhe po tentohet të zhvaten para të tjera për gjoja “rehabilitimin e saj”. Në dyert e ARRSH dhe Ministrisë Transporteve kanë vajtur me dhjetra, për të mos thënë me qindra ankesa, shkresa zyrtare dhe publike që kërkojnë rehabilitimin e rrugës që të çon tek zona malore turistike e Elbasanit, ndërkohë që janë edhe dhjetra rrugë që me shkresa zyrtare janë “tenderuar”, paratë e tyre janë lëvruar, por deri sot asnjë km nuk është shtruar. Të paktën në 6 raste mësohet se zyrtarisht janë zhvilluar tenderat, janë caktuar edhe emrat e firmave ndërtuese, janë lëvruar edhe paratë, por konkretisht nuk është kryer asnjë punim. Skandali me paratë e rrugëve, me milionat e taksapaguesve shqiptarë, duhet zbardhur sa më parë nga organet e hetimit, ndërkohë që çdo orvatje për ta mbyllur si problem apo çështje penale, do të rëndojë mbi cilindo prokuror rrethi që ka qenë prej shtatorit 2013 deri sot në Elbasan. Marifete të tilla ku jepen paratë dhe nuk kryhen punime në rrugët tona, ka me qindra raste. 

Shkelje flagrante të ligjit
Kjo është shkelja më flagrante e ligjeve të vendit dhe vjedhja më e madhe e parave, e milionave, barra e të cilave rëndon mbi xhepat e qytetarëve. Sipas burimeve mësohet se “në afro 12 akse rrugore kryesisht rurale janë kryer proceset e tenderimeve dhe paratë janë gllabëruar prej kohësh, ndërkohë që me afrimin e fushatës elektorale, do të përzgjidhen firmat klienteliste të cilat do të mbushin me çakull apo me asfalt elektoral gropat e mëdha financiare, për të mashtruar sërish shqiptarët”. Sipas burimeve referuar banorëve nga disa ish-komuna mësohet se “drejtuesit e ARRSH dhe Ministrisë Transporteve kanë ardhur shpesh ku kanë mbajtur fjalime dhe kanë premtuar ndërtimin e rrugëve, por veç tabelës ku shkruhet se “Rruga e re pritet të mbarojë pas 11 muajsh” nuk do të shikosh asgjë tjetër, ndërkohë që ndonjë fadromë e ARRSH vjen ndonjëherë dhe mbush ndonjë gropë që krijohet nga rrëshqitjet e dherave”. 

Situatë më e rënduar e rrugëve

Situata e rënduar e rrugëve paraqitet në Labinot Mal dhe Fushë, në Gjinar, Shushicë, Gracen, Shelcan, në fshatrat e Librazhdit dhe Gramshit, ndërkohë që mbi 23 ura janë shembur qysh nga koha e shirave 2 muaj më parë dhe nuk kanë shanse të ndërtohen. Edhe aksi rrugor Elbasan-Librazhd , në vendin e quajtur kthesa e Xibrakës, ka më shumë se tre muaj që është shembur, ndërkohë që dy drejtuesit e rrugëve, ARRSH dhe Ministrisë Transporteve kanë vajtur 2-3 herë të shoqeruar edhe nga mjetet e rënda, duke premtuar rikonstruksionin e saj. Prej afro 3 muajsh ai aks rrugor dhe konkretisht vendi ku ka patur shkarje masive, është bërë rrezik për aksidente të rrezikshme, duke ditur se atje kalojnë çdo ditë mbi 25 mijë mjete. Le të shpresojmë se edhe për rikonstruksionin e asaj rruge me gjatësi afro 150 metra, nuk është bërë tenderi dhe nuk janë lëvruar paratë, pasi do të ishte skandali i rradhës me milionat e taksapaguesve. Kjo i mbetet organit të Prokurorisë të hetojë jo vetëm vonesën e rehabilitimit pas deklarimit nga ministri se “rruga do të kthehet në gjendjen e mëparshme brënda 45 ditëve”, por edhe mundësinë e bërjes së tenderit dhe lëvrimit të parave, kur dihet se faktet dhe eksperienca e viteve të shkuara mbetet sa e dyshimtë aq edhe korruptive. 
Sigal