15-vjetori i News24 dhe 20-vjetori i emisionit “Koha për tu zgjuar”

1033
Në Pallatin e Kongreseve është mbajtur mbrëmja gala për 15-vjetorin e News24, televizioni i parë informativ në Shqipëri. 15 vite lodhje, vështirësi, sfida, lajme pafund, por padyshim 15 vite histori suksesi. Me rastin e transmetimit të parë të televizionit News24, një format deri atëherë i paparë në Shqipëri, në Pallatin e Kongreseve është organizuar një mbrëmje gala ku marrin pjesë personalitete të shumta të njohura në vend, liderë e politikanë të shumtë por edhe figura që kanë kontribuuar në këtë televizion. 15-vjetori i News24, televizioni ku përplasen dhe bashkohen idetë ka mbledhur bashkë si rrallë herë politikanë të majtë e të djathtë. Çështjet e ditës janë lënë mënjanë për pak orë për të kremtuar festën e televizionit më të shikuar në vend, News24. Në mbrëmjen gala të organizuar për këtë 15-vjetor, Presidenti Hysenbelliu dha një mesazh dhe urim për të gjithë të pranishmit. Ai tha se News24 nuk është një biznes, por një investim për shoqërinë, zëri i të pafuqishmit. “I nderuar zoti President, i nderuar zoti Kryetar i Parlamentit, i nderuar Kryetar i parlamentit të Maqedonisë dhe të nderuar miq nga vendet fqinj! Të nderuar përfaqësues të trupit diplomatik, përfaqësues të komuniteteve fetare! Është nder i veçantë t’ju mirëpres të gjithëve në këtë 15-vjetor për të festuar një moment të rëndësishëm për News24. Është kaq e mrekullueshme të jesh në praninë e personaliteve të tilla. Ky përvjetor është i veçantë për mua. Është frymëzuese kjo histori e shkurtër, është model i suksesit. Historia e një investimi modest, prej disa njerëzve vizionarë. Është e veçantë sepse mishëron pasionin, përpjekjet e qindra djemve e vajzave që i dhanë shpirtin kësaj risie që do mbërthente shqiptarët para ekranit dhe do bëhej modeli për shumë media të tjera. Pas eksperiencës së fëmijës tim të parë mediatik, gazeta Panorama një tjetër histori suksesi. Ju bashkova këtij projekti të veçantë me vendosmërinë për të arritur, një impakt. News24 nuk është biznes por investim për shoqërinë, zëri i të pafuqishmit. Ky është impakti që kisha ëndërruar, por News24 u ngrit mbi këtë filozofi”, tha Hysenbelliu.Moderatori i “Koha për t’u zgjuar”, Bashkim Hoxha në fjalimin e tij u shpreh se kanë kaluar shumë ngjarje të rëndësishme. “20 vjet më parë ishte viti 1997. Të gjithë, secili në mënyrën e vet, e kujtojmë atë vit të mbrapshtë. Unë dhe kolegu im Gëzim Domi dhe ekipi i pasionuar atëherë i Televizionit TEUTA, por edhe qytetarët e kujtojmë si vitin kur lindi emisioni KOHA PËR TU ZGJUAR. Ndihemi mirë që edhe pas 20 vjetësh, qytetarët na besojnë hallet dhe mendimet e tyre, ndjehemi mirë që ky emision vazhdon të mbetet një dnër emisionet më të ndekur në ekranin mjaft të ndjekur të News 24”. 

Një tortë me 5 kate, ku në të ishte ‘gdhendur’ logo e televizionit të parë informativ ‘News24’, i cili dje festoi 15-vjetorin e krijimit të tij. Ka qenë Fatmir Hysenbelliu, djali i presidentit të ‘Focus media group’, Irfan Hysenbelliu, ai që ka prerë tortën, në shenjë simbolike. Në tortë është zgjedhur pikërisht logoja e parë e ‘News24’ me të cilin startoi 15 vite më parë ky televizion, për t’u bërë ekrani informativ më i besueshëm i shqiptarëve.
Sigal