13-vjeçarja rome humbi jetën nga zjarri, të afërmit: Nuk e kishte pranuar shtëpia e fëmijëve në Tiranë

158

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në lagjen Liria në Shkodër, ku si pasojë e zjarrit që ka rënë në çadrat e komunitetit rom, ka humbur jetën një 13-vjeçare.

Burime bëjnë me dije se ka humbur jetën Gj.D , 13 vjeçe.

Mendohet se zjarri në barakën ku jetonte e mitura së bashku me familjen e saj, ka rënë si pasojë e pakujdesisë, ndërkohë që ka qenë i pamundur shpëtimi i saj në kohë.
Mësohet se e mitura kishte pasur problem mendore, dhe i ishte refuzuar mbajtja në jetimore.

Banorët shprehen se familja e kishte të pamundur që të kujdesej për të, ndërsa si pasojë e zjarrit janë djegur dhe tre baraka të tjera, duke lënë pa çati mbi kokë shumë anëtarë të familjeve.

“I vëllai ishte përjashta tu pi kafe, ajo ka qenë në gjumë, ne kena pasur do probleme me punën e fëmijës, e kemi çuar në shtëpinë e fëmijës, dhe nuk na janë përgjigjur. Ka pasur probleme me njërin prej veshëve, dhe për këtë nuk e kanë marrë përsipër”, tregon një prej të afërmve të viktimës.

Njoftimi i policisë:

Më datë 11.02.2020, rreth orës 07:10, në lagjen “Salo Halili”, Shkodër, ka rënë zjarr në barakat e komunitetit rom dhe si pasojë ka gjetur vdekjen shtetasja e mitur S. D., 13 vjeçe.

Shërbimet e zjarrfikëses dhe shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit.

Në vendngjarje po kryhen veprimet nga grupi hetimor, për sqarimin e rrethanave të rënies së zjarrit.