10 vjet/ Reforma në Drejtësi/ Kthehet në pikën zero pasi gllabëroi miliona euro fonde, strategjia e KLGJ: Stoku i dosjeve ulet “me kismet” në 2030, asnjë fjalë për cilësinë

33
Sigal

 

 Strategjia e hartuar nga KLGJ për uljen e stokut gjigand në sistemin e drejtësisë përmblidhet në së paku tre elementë kryesorë; ndryshime ligjore për të bërë më fleksibël punën e organeve të drejtësisë; rritje e fondeve për gjyqësorin dhe rritje e fondeve për staf administrative. Pra, pas më shumë se 10 vitesh nga Reforma në Drejtësi, institucionet e shohin sërish zgjidhjen tek pika zero-te ndryshimet ligjore dhe shtimi i fondeve.

Aktorë dhe subjekte institucionale, të cilët me vendime apo mbështetje të ekzagjeruar, kanë kontribuar në kolapsin e sistemit të drejtësisë, u mblodhën të hënën e kësaj jave për të diskutuar mekanizmat e uljes së stokut të dosjeve në gjykata, në një organizim që duket se mbështetet në “I zoti e nxjerr gomarin nga balta”. Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) prezanton “Strategjinë Kombëtare të Uljes së Çështjeve të prapambetura në gjykata 2024-2027”.

Në takimin e drejtuar nga kreu i KLGJ-së, Naureda Llagami, kishin nga një fjalë përshëndetëse përfaqësuesit e selive diplomatike kryesorë në Tiranë, Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, si edhe kryetarja e Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Klotilda Bushka. Në takim nuk ishte ftuar të merrte pjesë asnjë përfaqësues i opozitës parlamentare, megjithëse vota e të gjithë deputetëve është vendimtare për zbatimin e Strategjisë së hartuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Strategjia e hartuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për uljen e stokut gjigand në sistemin e drejtësisë përmblidhet në së paku tre elementë kryesorë; ndryshime ligjore për të bërë më fleksibël punën e organeve të drejtësisë; rritje e fondeve për gjyqësorin dhe rritje e fondeve për staf administrativ. Pra, pas më shumë se 10 vitesh nga Reforma në Drejtësi, institucionet e shohin sërish zgjidhjen tek pika zero-te ndryshimet ligjore dhe shtimi i fondeve. Por, edhe këto ndryshime të mundshme, siç sugjerohen në Strategjinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor, sërish nuk arrijnë në një zgjidhje përfundimtare. Sipas projeksioneve të KLGJ-së dhe vetëm nëse plotësohen kushtet për ndryshime ligjore dhe shumë fonde shtesë, stoku i dosjeve mund të ulet ndjeshëm deri në vitin 2030. Ky është gjithsesi një projeksion, i cili jo domosdoshmërisht do të plotësohet. Dhe këtë e pranon edhe vetë Këshilli i Lartë Gjyqësor, i cili, në tekstin e Strategjisë, shprehet: “Skenari për uljen e numrit të çështjeve të prapambetura është i arritshëm vetëm nëse plotësohen në mënyrë kumulative e graduale supozimet e mësipërme…”.

Apelet, stoku edhe pas 2030

Strategjia e re e Këshillit të Lartë Gjyqësor, megjithëse synon t’i japë një zgjidhje stokut të dosjeve në drejtësi, sërish është tejet pesimiste për volumin e prapambetjeve në Gjykatën e Apelit të Përgjithshëm dhe në atë të Apelit Administrativ.

“Problematikat më të mëdha shfaqen në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe në atë Administrative të Apelit”,- thuhet në tekstin e Strategjisë së re.

Nëse gjykatat e apelit nuk e rrisin produktivitetin e tyre (numri i çështjeve që gjykohen për gjyqtar në vit) në vitin 2030 do të ketë ende një numër të lartë të çështjeve të prapambetura. Pavarësisht nga rritja strukturore e numrit të gjyqtarëve nga viti 2024 – 2030, do të jetë nevoja për të zbatuar masa shtesë për uljen e numrit të çështjeve të prapambetura, kombinuar me ndryshime imediate infrastrukturore dhe ndryshimet ligjore, rritjen e produktivitet të gjyqtarëve si dhe rritjen e stafit mbështetës jo gjyqtar për menaxhimin e çështjeve të prapambetura në mënyrë më efektive dhe për të arritur objektivin e uljes realiste të numrit të çështjeve të prapambetura”,- thuhet më tej në tekstin që prezantohet të hënën.

Gjykata e Tiranës

Këshilli i Lartë Gjyqësor shpreson që Gjykata më e madhe e juridikisionit të përgjithshëm, ajo e Tiranës, të nisë uljen e stokut të dosjeve në vitin 2027. Por, edhe kjo pritshmëri e KLGJ-së varet nga disa faktorëve, të shprehur me disa “nëqoftëse”.

“Nëse ecuria e numrit të çështjeve të ardhura dhe performanca e gjyqtarëve individualë mbeten të njëjta, atëherë pritet që gjykata të jetë në gjendje të ulë numrin e të gjitha çështjeve të prapambetura në vitin 2027. Në rast se zbatohen masat e tjera shtesë për uljen e numrit dhe parandalimin e çështjeve të prapambetura, si dhe në rast se miratohet në kohë paketa e ndryshimeve ligjore të për uljen e numrit të çështjeve të prapambetura, pritet që edhe më herët të ndodhë një pakësim i ndjeshëm i çështjeve të prapambetura në këtë gjykatë”,- thuhet në Strategjinë e re të KLGJ-së.

 Gjykata administrative Tiranë

Në rastin më të mirë, stoku i dosjeve të prapambetura në Gjykatën e shkallës së parë administrative në Tiranë, pritet të fillojë uljen rreth vitit 2029, sipas Strategjisë së re të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Por, edhe ky parashikim bazohet në disa projeksione, të cilat nuk dihet nëse do të arrijnë të përmbushen.

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë ka një numër të madh vendesh vakante. Sipas analizave të të dhënave në lidhje me ngarkesën dhe performancën e kësaj gjykate, numri i gjyqtarëve duhet të rritet. Me supozimin se numri i çështjeve të ardhura mbetet i njëjtë në të ardhmen, produktiviteti i gjyqtarëve mbetet i njëjtë/rritet, ndërsa numri i gjyqtarëve rritet në 27, mund të arrihet skenari i mëposhtëm i uljes së numrit të çështjeve të prapambetura”, -thuhet në dokumentin strategjik.

Zero plan për cilësinë

Strategjia e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dëshmon se, të paktën deri në vitin 2030, cilësia e vendimmarrjes së gjyqësorit nuk përbën aspak prioritet. I gjithë fokusi është përqendruar tek aspekti sasior, pra tek gjetja e mënyrave për të ulur stokun e dosjeve të prapambetura.

Në dokumentin strategjik të KLGJ-së, presupozohet se cilësia e vendimmarrjes do të vijë me uljen e ngarkesës në punë të gjyqtarëve.

Gjykatat e shkallës së parë dhe të apelit në Shqipëri të arrijnë ekselencën duke u karakterizuar nga një ulje e numri të çështjeve të prapambetura në një nivel normal e të pranueshëm, nga vonesa minimale në proceset gjyqësore si dhe nga dhënia e shpejtë e me cilësi e drejtësisë, si e vetmja rrugë për garantimin dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve shqiptarë”,- thuhet në Strategjinë e Uljes së Stokut.

Duke u nisur nga premisa se ulja e stokut do të rrisë cilësinë e vendimeve gjyqësore, KLGJ nuk ka parashikuar asnjë mjet për rritjen e cilësisë nëse strategjia për uljen e dosjeve të prapambetura nuk realizohet.

Në foto: KLGJ parashikon që stoku i dosjeve në Apel do të jetë i lartë edhe pas vitit 2030

Në foto: Strategjia e KLGJ-së parashikon që, nëse plotësohen disa kushte, gjykata e Tiranës mund të ulë stokun në 2027-2029

Në foto: Strategjia e KLGJ-së parashikon që, nëse plotësohen disa kushte, gjykata administrative e shkallës së parë Tiranë mund të ulë stokun në 2028-2029