1 miliard lekë gjoba deri tani/ Ndëshkimet për maskën dhe shkeljen e orës policore

260
Sigal

Mbi 1 miliardë lekë ose e thënë ndryshe afro 1 milionë euro është shuma e gjobave të vendosura nga policia e shtetit ndaj qytetarëve për shkeljen e masave per parandalimin e covid.

Kjo shumë i përket gjobave të vendosura nga data 15 tetor kur nisi dhe zbatimi i kufizimeve deri më 27 nëntor.

Janë afërsisht 27 mijë qytetarë që janë gjobitur me 3 mijë lekë të reja për mosvendosjen e maskës, shumë që në total është mbi 80 milionë lekë të reja.

Me një përllogaritje të thjeshtë, mesatarisht janë gjobitur 642 qytetarë në ditë për këtë shkelje. Sipas policisë, moshat e reja, janë ato që janë shfaqur më rebelë duke mos vendosur maskën në rrugë.

Sa i takon moshave të mëdha, duket se i janë bindur thirrjes së qeverisë për të vendosur maskën mbrojtëse.

Shifrat tregojnë se 5 qytetarë gjatë kësaj periudhe është gjobitur për herë të dytë në vlerën prej 5 mijë lekësh të reja.

Edhe pse është vendosur në dispozicion e-albania për të marrë lejë pas orës 22:00, sërish ka patur shkelje. Janë afro 107 qytetarë që kanë qarkulluar pas orës policore duke marrë një gjobë prej 10 mijë lekësh të reja, ku në total kjo shumë përllogaritet mbi  1 milionë lekë të reja.

Por edhe bizneset nuk ngelen mbrapa sa i takon shkeljes së rregullave anti-covid. 37 lokale janë ndeshkuar me 1 milionë lekë të reja që në total shkojnë 37 milionë lekë.Për 42 ditë, Policia e Shtetit në të gjithë vendin kanë vendosur afërsisht 1 milionë euro gjoba.

Sa i takon gjobave të maskave, ajo do të paguhet përmes faturës së energjisë elektrike. Janari pritet të jetë muaji që do të vilen gjobat e para për të gjithë të pabindur, por ende OSHEE nuk ka zyrtarizuar për publikun sesi do të funskionojë kjo skemë.

Nderkohe policia gjatë kësaj periudhe ka shoqëruar 315 qytetarë të cilët nuk kanë pranuar të japin mjetin e tyre të identiteit.