Sëmundjet profesionale në Shqipëri nuk janë si virozat, apo simptomat e rehatisë që zënë shtetarët prej kolltukëve e kondicionerëve të zyrave, të veturave luksoze, karrigeve restoranteve e avionëve, të cilët edhe për një “puçër në mendere”, marrin miliona lekë fonde nga shteti e ia “mbathin” për kurim mjekësor në klinikat dhe spitalet moderne të botës. Sëmundjet profesionale, sidomos në Shqipëri ku nuk bëhet asnjë kontroll higjeno-sanitar i aktivitetit prodhues dhe shërbimeve, janë sëmundje të rënda që u shkaktohen atyre që punojnë në profesione të vështira si miniera, naftë, gurore, çimento, metalurgji, tekstile, reparte mekanike, peshkim, pastrim rrugësh e kanalizime, agrobiznes, blegtori, pasurim mineralesh, ujëra, ngarkim-shkarkim, tipografi, furra gëlqerje, fabrika mielli, linja inerte, transport mallrash, ndërtim etj., të cilët ushtrojnë profesionin me pesha të rënda, zhurma, ndotje higjenike e akustike, lëndë kimike, mbetje urbane e teknologjike, lëndë të para me rrezatime radioaktive, helme e lëndë kancerogjene, që shkaktojnë sëmundje e pasoja fizike për punonjësit, deri nxjerrjen e tyre jashtë “funksioni” për të punuar, duke shkaktuar afro 131 sëmundje, me pasojë deri edhe vdekje të parakohshme. Është një shqetësim tepër i madh, ose më saktë një abuzim gjigand edhe financiar deri me “viktima” institucionet ndërkombëtare, fakti që në Shqipëri prej 23 vitesh nuk trajtohen më shërbim mjekësor pacientët me sëmundje profesionale, madje as nuk studiohen e monitorohen fare këto sëmundje. Por së pari, është një skandal e krim njerëzor, prej shtetit dhe shërbimit shëndetësor, që afro 1.3 milion shqiptarë me sëmundje profesionale të shkaktuara prej punëve që kanë kryer, janë lënë pa këtë shërbim e që me vendim qeverie të datës 1 korrik 2015, do të lihen pa trajtim mjekësor deri në muajin shtator 2016!
—————————————————
VKM nr. 594, shtyn deri në shtator 2015 (mos)trajtimin e 1.3 milionë shqiptarëve me sëmundje profesionale
Sot po ndalemi në faktin skandaloz të një vendimi qeverie, të miratuar 12 ditë më parë, sipas të cilit shqiptarët me sëmundje profesionale, do të nisin të trajtohen me shërbim shëndetësor për sëmundjet profesionale… më 1 shtator 2016! Është një vendim absurd, që vazhdon t’i mbajë “iso” 9 ligjeve, vendimeve e urdhrave të tjerë të miratuar në 23 vite, por që kanë qenë thjeshtë demagogji për popullin, pazare me OJF-të për financime, skema për abuzime mes klanesh në shëndetësi dhe “protokoll integrimi” fals për ndërkombëtarët, sa për zhvatje fondesh dhe gjoja për zbatim konventash e ligjesh. Në fakt asnjë nga këto akte ligjore nuk është zbatuar, duke mos pasur asnjë veprimtari konkrete, asnjë evidencë konkrete, asnjë shërbim dhe investim konkret, lidhur me trajtimin e pacientëve me sëmundje profesionale. Madje, duke mos pasur as klinika, as spitale, as pavione, as mjekë e as infermierë të trajnuar për këtë kategori sëmundjesh e pacientësh. Fakti është ky: pas 2 ligjeve e VKM-ve të viteve 1992-1996, pas 4 ligjeve e VKM-ve të viteve 1998-2005, pas 3 ligjeve e VKM-ve të viteve 2006-2013, vetëm 12 ditë më parë e konkretisht më datën 1 korrik 2015, në “Fletoren Zyrtare” Nr. 118, datë 9 korrik 2015, qeveria ka miratuar në heshtje të plotë VKM Nr. 594, datë 01. 07. 2015 për sëmundjet profesionale, por pa asnjë konsulencë publike me grupet e interesit dhe faktorët socialë. Kjo është VKM-ja e 10-të e cila në përmbajtje përsërit përmbajtjen dhe historinë e 9 VKM-ve të këtyre 23 viteve, por me një ndryshim: duke përcaktuar, se ky vendim e nis zbatimin në datën… 1 shtator 2016. Pra, sipas kësaj VKM-je, trajtimi i pacientëve me sëmundje profesionale do të nis pas… 1 viti! Madje në VKM, përcaktohet edhe lista e gjatë me 113 shkaqet e sëmundjeve profesionale, që do të njihen për efekt të trajtimit të atyre punonjësve që sëmuren nga këto shkaqe. Por VKM-ja, nuk thotë asnjë fjalë për trajtimin mjekësor të atyre që janë të sëmurë e që kanë mbetur pa punë, apo për ata që punojnë “në të zezë”, por që “efendikojtë” e toleruar, të përkëdhelur e të mbrojtur nga shteti dhe drejtësia nuk i sigurojnë prej 23 vitesh! Ajo që bën përshtypje në këtë VKM, është fakti se trajtimi i pacientëve me sëmundje profesionale, jo vetëm që nuk konkretizohet, por prej 23 vitesh shtyhet vit pas viti edhe me ligje, vendime e urdhëresa qeverie. Vendimi Nr. 594, datë 01. 07. 2015, thotë kështu: “Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 25, të Ligjit Nr. 10237, datë 18. 02. 2010, “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave vendosi:
1. Miratimin e listës së sëmundjeve profesionale, sipas shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Vendimi Nr. 396, datë 28. 06. 2007 i Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e sëmundjeve profesionale”, shfuqizohet.
3. Ngarkohet Ministria e Shëndetësisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim botohet në Fletoren Zyrtare dhe hyn në fuqi më 1 shtator 2016. (Kryeministri Edi Rama/ d.v.)
Fakti/ 80% e të sëmurëve pa sigurime, paguajnë çdo vizitë mjekësore
Punonjësit me sëmundje profesionale, të cilët janë në punë dhe nuk sigurohen nga punëdhënësit, ose ata që janë sëmurur gjatë punës dhe kanë dalë të pa aftë për punë e të pa punë por pa sigurime shoqërore e shëndetësore, nuk përfitojnë trajtim mjekësor falas nga shteti. Përmendim faktin, që afro 80% e të sëmurëve profesionalë që janë në punë ose që janë të pa punë, rezultojnë pa sigurime shëndetësore. Dhe gjithë koston e pagesës së shërbimeve mjekësore detyrohen ta paguajnë nga xhepi i tyre, mbasi shteti nuk i pranon as për vizita mjekësore tek mjeku i familjes dhe i lagjes, pa paguar tarifat që janë vendosur nga shteti, përcaktuar sipas Pikës 4, të Urdhrit Nr. 526, datë 12. 10. 2009 të Ministrit të Shëndetësisë “Për zbatimin e Sistemit të Referimit të Pacientëve në Shërbimin Shëndetësor Shqiptar”, çdo pacient i pa siguruar, i çfarëdo kategroie shkalle sëmundshmërie qoftë, detyrohet që për çdo vizitë, analizë ose diagnostikim e ekzaminim nga mjeku i familjes, klinika e lagjes, spitali qytetit, rrethit, ose rajonal e qendror, duhet të paguaj tarifat e përcaktuara me ligj, të cilat kur i lexon, konstaton se tarifa më e ulët është sa vlera e ndihmës ekonomike mujore që merr 1 i papunë dhe tarifa më e lartë është sa 4 pensione mujore invalidi, ose sa 1 pagë mujore polici, mësuesi, infermieri (gjë për të cilën do të flasim në numrat e ardhshëm të gazetës)!
Çdo vit shtohen 11 mijë pacientë me sëmundje profesionale
Fakti është ky: çdo vit në Shqipëri shtohen 11 mijë pacientë me sëmundje profesionale, të shkaktuara nga puna në sektorë të ndryshëm, sidomos në sektorë me “burime” të shumta sëmundshmërie. Afro 70% e rasteve e pacientëve që i shtohen “ushtrisë” së të sëmureve me diaognoza profesionale e që aktualisht e kanë çuar këtë “ushtri” në 1.3 milionë pacientë profesionalë, i përkasin 10 profesioneve, më të ekspozuara nga këto sëmundje dhe që lihen zbuluar nga punëdhenësit, konkretisht sektorit të metalurgjisë, tekstileve, minierave, inerteve, tipografive, fabrikave që punojnë me lëndë kimike, ndërtimit, punës me ndotje, mbetje teknologjike e urbane, sektorëve të punës me zhurma etj. Majfton të përmendim një monitorim që ka bërë OBSH në Shqipëri në sektorin e prodhimit e të shërbimeve, prej të cilit ka konstatuar, se 85% e shqiptarëve punojnë në kushte pune që “vrasin” shëndetin, duke mos pasur asnjë standart minimal të sigurisë shëndetësore, të vendosur nga institucionet e BE dhe OBSH. Pse? Sepse punëdhenësit nuk kanë vendosur masa mbrojtëse për të evituar sëmundëshmërinë e punonjësve prej profesionit, të ndotjes mjedisore që krijon prodhimi, të lëndëve të para që përdoren në prodhim e shërbime, të produkteve që prodhohen, apo pluhurat e prodhimit, gazrat helmues, avujt që shkojnë në frymëmarrje, tymrat, smogu industrial etj. Dhe jo vetëm që nuk investojnë për sigurinë shëndetësore, por as nuk paguajnë detyrimet për sigurime shëndetësore të tyre edhe pse i detyron Pika 4 e nenit 25, të Ligjit Nr. 10237, datë 18. 02. 2010, VKM Nr. 396, datë 28.6.2007 dhe neni 44 i Ligjit Nr. 7703, datë 11.5.1993 dhe shumë udhëzime e vendime të tjera që kanë dalë në këto 23 vite.
—————————————
Gazeta “Telegraf” ju fton në debat publik, ja 15 pyetje që duan përgjigje
Gjersa ka një problem, duhen bërë zgjidhje. Por deri sa nuk ka zgjidhje, shtrohen disa pyetje. Në rastin konkret, gazeta “Telegraf”, po bën 15 pyetje rreth të cilave ka investiguar, duke i shtruar si pikënisje për një debat të zgjeruar e konkret publik mes pacientësh, mjekësh, qytetarësh, sindikatash, punëdhënësish, ekspertësh, OJF-sh, e deri shtetarësh, lidhur me shqetësimin e mungesës së trajtimit mjekësor të pacientëve me sëmundje profesionale, “plagë sociale” kjo, të cilën aktualisht po e vuajnë 1.3 milionë shqiptarë të lënë në mëshirë të mjekësisë që nuk i trajton këto sëmundje! Kujtojmë, që në 20 vitet e fundit, nga sëmundjet profesionale janë ndarë nga jeta afro 45 mijë shqiptarë, kryesisht minatorë, metalurgë, tekstilistë, gjeolog, tipografë, naftëtarë, shoferë, ndërtues, punonjës pastrimi rrugësh, kanalizimesh etj. Pyetjet që presin përgjigje nga institucionet, nga grupet interesit dhe opinioni publik, janë këto:
1. A trajtohen me shërbime mjekësore profesionale, pacientët me sëmundje profesionale në Shqipëri?
2. A ka kushte konkrete spitalore, laboratorike, farmaceutike e klinikore për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve profesionale në Shqipëri?
3. A ka mjek për zbulimin dhe trajtimin e sëmundjeve profesionale në klinikat publike shqiptare?
4. A ka mjekë për trajtim sëmundjesh profesionale në spitalet publike shqiptare?
5. A ka mjek familjesh për monitorimin e sëmundjeve profesionale?
6. Prej sa vitesh, nuk specializohen mjekë për sëmundjet profesionale?
7. Po në Fakultetin e Mjekësisë, a ka profil studimesh, për sëmundjet profesionale?
8. A ka në rrethe e qarqe, mjekë profesionistë për ekzaminimin dhe trajtimin e sëmundjeve profesionale?
9. A ka pavione shtrimi spitalorë për pacientët me sëmundje profesionale?
10. A janë dhënë dhe sa milionë dollarë fonde e grande financiare, janë dhënë nga shteti dhe nga institucionet e donatorët ndërkombëtarë për ngritje dhe funksionim të spitalit qendror e pavione rajonale, për trajtimin e pacientëve me sëmundje profesionale dhe sa është ky fond?
11. A vazhdojnë të paguhen mjekë e shefa në klinika e spitale, si “mjekë e shefa pavionesh të sëmundjeve profesionale”?
12. A ka në Shqipëri, infrastrukturë për diagnostikim, mjekim dhe trajtim spitalor për sëmundjet profesionale?
13. Përse nuk zbatohen 10 ligjet, VKM dhe urdhrat për trajtimin e sëmundjeve profesionale edhe financiarisht?
14. A kanë firmat private të shërbimit e prodhimit, mjekë dhe klinika për sëmundjet profesionale dhe sa fonde sigurimi shëndetësor e kanë detyrimin të depozitojnë për punonjësit me këto lloj sëmundjesh?
15. A ka një regjistër konkret të shqiptarëve me sëmundje profesionale të kategorizuar sipas grup-moshave, seksit, shkaqeve të sëmundjeve, llojeve të sëmundjeve, skemës së kontrollit dhe trajtimit të tyre?
——————————————-
Ja 50, nga 320 lëndët kimike, që shkaktojnë sëmundje profesionale
1.Akrilonitril Arsenik ose përbërës të tij
2. Berilium (glucinium) ose përbërës të tij
3. Monoksid karboni
4. Oksiklorid karboni
5.Acid hidrocianik
6. Cianide dhe përbërës të tyre
7. Izocianate
8. Kadmium ose përbërës të tij
9. Krom ose përbërës të tij
10. Mërkuri ose përbërës të tij
11. Mangan ose përbërës të tij
12. Acid nitrik
13. Okside të azotit
14. Amoniak
15. Nikel ose përbërës të tij
16. Fosfor ose përbërës të tij
17. Plumb ose përbërës të tij
18. Okside të sulfurit
19. Acid sulfurik
20. Disulfid karboni
21. Vanadium ose përbërës të tij
22. Klor brom
23. Jod Fluor ose përbërës të tij
24. Hidrokarbure aliciklike
25. Derivate të halogjenizuara të hidrokarbureve alfatike ose aliciklike
26. Butil, metil dhe alkool izopropil
27. Glikol etileni, glikol dietileni Eter metili
28. Eter etili
29. Eter izopropili
30. Aceton, kloroaceton
31. Keton izobutil metili
32. Estere organofosforike
33. Acide organike formaldehide
34. Derivate azotikë alifatikë
35. Benzen ose homologë të tij
36. Naftalinë ose homologë të naftalinës
37. Vinilbenzen dhe divinilbenzen
38. Derivate të halogjenizuar të hidrokarbureve aromatike
39. Fenol ose homologë
40. Naftole ose homologë
41. Derivate të halogjenizuar të oksideve të alkilarilit
42. Derivate të halogjenizuar të sulfonateve të alkilarilit
43. Amina aromatike apo hidrazinat aromatike
44. Amina alfatike dhe derivate të halogjenizuar të tyre
45. Derivate nitrati të hidrokarbureve aromatike
46. Derivate nitrati të fenolëve ose homologëve të tyre
47. Estere të acidit nitrik
48. Sulfit hidrogjeni
49. Encefalopatitë për shkak të tretësve organikë
50. Polineuropatitë për shkak të tretësve organikë
————————————————————————-
Ja 10, nga 25 lëndët që shkaktojnë sëmundjet e lëkurës
1.Bloza
2.Zifti
3.Mbetjet e vajrave mekanike
4.Bitumi
5.Katrani
6.Antraceni
7.Vajrat minerale
8.Parafina bruto
9.Karbazoli
10.Mbetjet e distilimit të qymyrit
———————————————————-
Ja 35, nga 131 sëmundjet profesionale
1.Silikoza
2.Silikoza e kombinuar me tuberkulozin pulmonar
3.Asbestoza
4.Mezotelioma e ndjekur nga inhalacioni i pluhurit të asbestit
5.Pneumokonioza e shkaktuar nga pluhurat e silikateve
6.Komplikimet e asbestit në formën e tumorit bronkial
7. Sëmundjet bronko-pulmonare të shkaktuara nga pluhurat e metaleve të shkrira
8.Alveolitet alergjike ekstrinseke
9. Sëmundjet e mushkërive të shkaktuara nga inhalacioni i pluhurave dhe fibrave të pambukut, linit, kërpit, juta, sizali dhe gëzhuta
10.Sëmundjet respiratore të shkaktuara nga inhalacioni i pluhurit të kobaltit, kallajit, bariumit dhe grafitit
11.Sideroza Sëmundjet kancerogjene të rrugëve të sipërme respiratore të shkaktuara nga pluhuri i drurit
12.Astma alergjike të shkaktuara nga inhalacioni i substancave të njohura vazhdimisht si shkaktare të alergjive dhe që lidhen me llojin e punës
13.Rinititi alergjik i shkaktuar nga inhalacioni i substancave të njohura si shkaktare të alergjive dhe që lidhen me llojin e punës
14.Sëmundje fibrotike të pleurës, me kufizim të frymëmarrjes shkaktuar nga asbesti
15.Bronshiti apo emfizema obstruktive kronike te minatorët e nëntokës
16.Kanceri i mushkërisë mbas inhalacionit të pluhurit të asbestit
17.Sëmundje bronko-pulmonare të shkaktuara nga pluhurat
18.Katarakte të shkaktuara nga rrezatimi i nxehtësisë
19.Sëmundjet konjuktivale që vijnë nga ekspozimi ndaj rrezatimit ultravjollcë
20.Hipoakusis apo humbja e dëgjimit e shkaktuar nga zhurma
21.Sëmundjet e shkaktuara nga kompresioni apo dekompresioni atmosferik
22.Sëmundjet osteoartikulare të duarve e kyçeve, të shkaktuar nga dridhja mekanike
23.Sëmundjet angioneurotike të shkaktuara nga dridhja mekanike
24.Sëmundje që kanë shenja edema të indeve periartikulare për shkak të presionit
25.Bursit prepatelar dhe subpatelar
26.Bursit olekranon
27.Bursiti i shpatullave
28.Sëmundje për shkak të lodhjes të këllëfëve të tendinave
29.Sëmundje për shkak të lodhjes së peritendineumit
30. Sëmundje për shkak të lodhjes së insertimeve muskulore dhe tendinoze
31.Lezione të meniskut nga koha e zgjatur e punës në pozicion të gjunjëzuar, ose në “bisht”
32. Paralizë e nervave për shkak të presionit
33.Sindroma e tunelit karpal
34.Nistagamusi i minatorit
35.Sëmundjet e shkaktuara nga rrezatimi jonizues



















