Kastriot Bimo: Përse ra qeveria e Vlorës?

Kastriot Bimo

Paraprakisht që të kuptojmë krijimin e një qeverie të kohëve moderne të shekullit XX, duhet ta vendosim në kontekstin kohor shtetin, konjukturën e krijuar të rastit të zgjedhjes së shumicës, dhe më kryesorja kush do ta udhëheqë atë, këto në kohë paqeje. Por me afrimin e shpejtë të Luftës së Parë Ballkanike, ku shtetet sllave do të sulmonin dhe likuidonin armatat e Peradnorisë Osmane në Ballkan dhe kështu qartësohej qëllimi i grabitjeve të territoreve të saj, së pari duhej ekzistenca e shtetit jashtë Perandorisë, ku bënim pjesë prej shekujsh, për të bërë sipas fuqisë luftë, rezistencë apo marrveshje me shtetet invadore, kushdo qofshin. Mes ngjarjeve që rridhnin me shpejtësi këtë qëndresë konfliktuale me shumë Fuqi të Mëdha që kishin interesa e mori Perandoria AustroHungareze, dhe ministri i jashtëm i saj Leopold von Berchtold, që duhet të gjente patjetër një njeri me staturën e marrjes mbi supe të shtetbërësit, në një farë mënyre me një rol opozitar ndaj Stambollit, si dhe në strukturën aristokrate të vilajeteve të ishte një zë i dëgjuar. Të përvijuar ishin dy figura Vloraj; Syrja bej dhe i biri Eqrem bej Vlora, 26 vjeçar, më të besuar në oborrin vienez, por për fat të keq të dy të izoluar i ati në luftimet e rrethimit të Shkodrës dhe i biri në krye ët një force jugorësh po lufton mbi Himarë kundër forcave andarte greke që zbarkojnë papushim, ku në mungesë të të atit Konti Berchtold thërret me urgjencë të riun Eqrem bej Vlora; “Duhet të gjeni dhe kontaktoni me Eqrem bej Vlorën. Në qoftë se mundeni, më njoftoni!” (HHStA “Arkivi i Vienës” Berchtold për Rudnei, Durrës). Do të mundohemi ti referohemi këtij arkivi të kësaj perandorie që bëri të mundur mëvehtësinë krijimin e shtetit të ri shqiptar, me kosto jo të vogël europiane.

Dihej qysh në fillim të shek XX, situata mes krerëve vlonjatë krijonte një mosmarrveshje deri në konflikt të madh mes tyrem ku Syrja bej Vlora, çifligar i madh dhe vëllai kryeministrit perandorak osman Ferid pashë Vlorën dominonte skenën politike e sociale, deri sa u shfaq më 1908 Ismail bej Vlora, pa financa, por me një gojtari të shquar ku me krerët mbështetës (kundërshtarët e Syrja beut) krijon një lëvizje liberale që përçan në bindje e veprimtari krerët dhe vetë qytetin. Kjo ishte një mosmarrveshje idesh, filozofie, por e vërteta ishte synimi për pushtet dhe ato që rrjedhin prej tij. Këtë lloj pushteti e kish pasur në shekuj dega Vloraj e Syrja e Eqrem beut, por lëvizja liberale erdhi e beftë dhe mjaft e ashpër në ndarje, që edhe pa të shqiptarët nuk dalin kurrë nga moda.

NOA

Qyteti ishte i ndarë dhe në një kaos të vërtetë, vepronin tre grupe; 1-Ai i Syrja bej Vlorës (armik i I.Qemalit) dhe mbështetësit të tij; 2- Ai i Xhemil bej Vlorës (armik i I.Qemalit) dhe i ushtrisë së tij (administronte 300 trupa të përhershëm); 3-Ai i Ismail Qemalit me mbështetës të tij krerë në qytete dhe Kaninë, ndaj duhet të prishej ekuilibri dominant Syrja-Xhemil Vlora, për të sjellë në krahun liberal të I.Qemalit njërin prej tyre. Këtë detyrë fare të pamundur mes vlonjatësh e mori një jovlonjat, jashtë mase i pasur, njeri i aksionit dhe mjaft i njohur si protagonist i Kryengritjes së Toskërisë dhe meqë armiqësitë e tij me Syrja bej Vlorën ishin të skajshme, ai mundi të bënte për vete Xhemil bej Vlorën, aventurier dhe i paparashikueshëm në qytet, të cilin e menaxhonte gjysmë me emër dhe gjysmën me forcë. Ky njeri quhej Bektash bej Cakrani, që do të menaxhonte shtetin e parë financiarisht pak kohë më pas, dhe partneri i tij Xhemil bej Vlora, që do të jepte shtëpinë e tij për kuvendin e pavarësisë, duke kundërshtuar kështu vetë Syrja bej Vlorën, idetë e të cilit mbronte. Këta dy njerëz që ishin shpresa e strategjisë së tij, I.Qemali i merr në bisedë telegrafike rreth dy orë në mbremje të 23.11.1912, për ruajtjen e qetësisë në qytet Xhemil bej, pasi dy rivalët nuk gjenden aty, si dhe për rrugëtimin e siguruar nga Bektash bej, i cili falë njohjeve vë në lëvizje me një telegram Azis pashë Vrionin në Berat. Bektash bej Cakrani mori përsipër në mungesë të financave për qeverinë dhe nevojat që mbulonin ministritë, ti paguante nga të ardhurat e veta. Kjo ndodhi deri në fund të verës 1913, dhe ky ishte një lloj guvernatori, banka e gjithçka finaciare që shfaqet për herë të parë në historinë moderne, ku thesarin e tij e bëri të shtetit.

Këtu duhet theksuar, krejt ndryshe sa e shfaq histriografia jonë, të cilës ndoshta i duhen heronj dhe prijësa, figura e Ismail bej Vlorës (Qemali- do ta quajmë në vazhdim) rezulton gati rastësore sipas analizës shkencore në këtë urgjencë që për shqiptarët, e pranuar edhe nga vetë ai në kujtimet e tij “Memoris of Ismail Bey, S.S.London 1919”, ku rreth 2-3 faqe i kushtohen veprës së përgatitjes së pavarësisë së Shqipërisë. Nuk duhet harruar se qysh që më 1908 ai ka shfaqur qëndrime progreke, me tjetër mision në lidhje me disa marrveshje me shtetin helen ku i shkruan Athinës: “..tani është koha për aksion, një numër i madh bejlerësh do të vijnë të më vizitojnë mua. Unë gjithashtu do të vizitoj  shumë pjesë të vendit duke deklaruar idetë e mia. Në Vlorë dhe Berat ka një kryengritje të përgjithshme për kauzën greke.. Unë kam filluar të fus idetë e mia përgjatë Gjirokastrës..” (Arkivi Grek “AEY” 1908) “..Ismail beu deklaroi se.. shqiptarët ishin të verbër dhe vetëm  me grekët do të hapnin sytë dhe të ndienin ekzistencën e tyre  kombëtare dhe raciale”(A.Vienës, nr.47, Kraus për Aerenthal, Vlorë, 26.09.1908) Deri përpara pavarësisë del se ai ishte duke u përpjekur shumë të “sabotonte” Kryengritjen e Toskërisë dhe të spostonte qendrën drejt Kryengritjes së Veriut, duke marrë madje edhe financa dhe armatim nga shteti helen që shprehet; “..qeveria greke ra dakort të dërgonte municione në Shqipërinë e Veriut dhe ti ndihmonte ata financiarisht ..si dhe siguroi I.Qemalin që do të dërgohen para dhe municione dhe se qeveria greke do të mbajë pjesën e saj të marrveshjes..” (A.Grek, nr.10193, Athinë, 25.04.1911) Pas kësaj marrveshje u rekomandohet krerëve të kryengritjeve në Jug dhe Epir “pjekuri dhe largimin nga një revoltë e përgjithshme”, (A.Grek, Varatasis për Koromilas, Korfuz, 11.07.1912)

Kjo pozitë e hershme fatkeqe për Shqipërinë, krijonte një barrierë antiaustriake e theksuar si rezik për Vienën; “Mjerisht Ismail Qemali ka qënë një kundërshtar i fortë i Austro Hungarisë.. Me shkak të fjalimit që kishte mbajtur në kohën e krizës pushtuese (A. Vienës nga Roma, 21.12.1910)

Por ngjarjet rrjedhin shpejt dhe rezikshëm nga mungesat e njerëzve të besuar, Viena në pamundësi të një elite aspak gati dhe në nivelin për ngjarjen që solli koha, përfundimisht e bëri zgjedhjen. “Në Vjenë mora telegram prej një miku personal në Budapest, i cili më ftoi atje për një takim me një personalitet teper të lartë.. Personaliteti që do takoja nuk ishte gjë tjetër veçse Konti Berchtold. Shkëlqesia.. menjëherë qe i gatshëm të më plotësonte të vetmen kërkesë, të më vinte në dispozicion një anije, me të cilën mund të arrija në portin e parë shqiptar, para se të arrinte ushtria serbe” (I.Qemali, kujtime, 2009) Megjithë dështimet për të ngarkuar Vlorajt e tjerë (Syrja dhe Eqrem), Berchtold detyrohet ta pranojë I.Qemalin më 12.11.1912 në misionin sa të madh për ne, aq edhe delikat për ngjarjet e Luftës I Ballkanike që po shkallëzohej, dhe shqiptarët tejet naivë prisnin të shpëtoheshin si gjithmonë nga Stambolli; “Qeveria jonë ushqen  simpatinë më të madhe për zhvillimin më të madh të popullit shqiptar dhe dëshiron që prej ngatërresave të sotme të Ballkanit, Shqipëria të dalë më vete si një shtet kompakt.. dhe i barabartë me popujt e tjerë ballkanikë.. Vetëm kështu mund të sigurohet qetësia në Ballkan, duke pasur parasysh se Ismailit nuk i zihet berë patjetër e gjetëm të udhës të ngushtohemi në shpjegime të përgjithshme.. pasi po vazhdon ende lufta” (A.Vienës, 4398A, 12.11.1912) Berchtold porosit konsujt në Shqipëri; “..do të jetë e mundur  t’u rekomandojmë veç mëvehtësisë.. të formojnë organe qeveritare që kanë për detyrë të mbrojnë qetësinë ne vend e po në atë kohë të duken si përfaqësuese e popullit shqiptar” (Berchtold për Romë, 26.11.1912). Pra megjithëse qartazi përcaktohet jo vetëm qeveria e ardhshme, por edhe veprimtaria e saj provizore dhe këtu fillon odisea e krijimit të kësaj qeverie (menjëherë pas shpalljes së pavarësisë). Fillimisht gjatë qëndrimit në Vienë Ismail Qemalin e shikojmë në një pozitë aspak të pajtueshme së paku të kodit moral, jo më diplomatik apo fare atdhetar, kur armatat me andartë grekë po terrorizojnë Jugun Shqiptar, dukshëm për territoret e kërkuara të Epirit qysh në protokollin 13 të Kongresit të Berlinit 1878 që nuk u bënë e mundur fundshek. XIX, të vizitojë konsullatën greke. Vetëm disa orë më vonë se krijuesja e shtetit Viena tërë urgjencë kish vendosur jo vetëm tu krijonte shqiptarëve shtetin, por edhe të bindëte ata dhe veset e tyre që rëndonin deri në fatkeqësi, misioni shpaloset i plotë. Ministri grek i raporton Athinës plot gëzim marrveshjen e fshehtë, që ndihmonte depërtimet ushtarake terrorizuese që vazhdonin; “I.Qemali tha se në marrveshje me qeverinë Austriake ai do të shkojë në Vlorë të deklarojë pavarësinë e Shqipërisë dhe të formojë një Qeveri Provizore. Mirëpo Qemali kërkon që Greqia ta njohë qeverinë e tij provizore me rezervime të ardhshme të kufijve” (A.Grek, Steit për Koromilas, 15.11.1912). Vetëm kaq do të mjaftonte të parashikoje ecurinë e mëtejshme eksperimentale shqiptare si në shtetbërje, ashtu dhe qeverisje, në shpinë të një populli që nuk e kuptonte se ç’po ndodhte me të besuarit e vet dhe pa Orientin.

Një lëvizje e çrregullt emergjence herë në Tiranë, Durrës dhe së fundi në Vlorë bënë të mundur zhvillimin e kuvendit pa probleme, ku edhe njerëz të krahut konservator të Syrja bej Vlorës kanë marrë pjesë në kuvendin e Vlorës, por nuk kanë nënshkruar deklaratën, me shpresë “se me ardhjen e Syja Beut gjërat do përmbysen”, aspak vizionarë se këtë dhuratë po na i bënin të huajt. Në verën e vitit 1980 në një “intervistim” timin (disa shënime në një bllok) të një ish-studenti të Sorbonës në vitet ’30, Vasfi Cakrani, ai më tergonte plot kujdes shumë hollësi që për kohën mu dukën marrëzi e plotë, si ato titujt e fisnikërisë dhe gjithçka, megjithse parimi im se “çdo burim e ka të vërtetën brenda tij” më kish kthyer në një të bindur që ndiqja besnikërisht kronologjinë e treguar, por të padëgjuar ndonjëherë. Bazën e burimit e kishte nga i ati nënshkrues i deklaratës, Hajredin bej Cakrani, i cili kish vërejtur detaje të ndryshme, natyrisht të padëgjuara, dhe ja kish treguar herë-herë birit të tij pasionant për historitë e ngjarjeve të mëdha; “Ka pasur krerë që nuk nënëshkruan ditën e pavarësisë 28.11.1912, pasi ishin mbështetës të Sureja bej Vlorës, kundërshtarit të Ismail bej Vlorës, dhe ishte frikë mos këta si vlonjatë do të bënin shumicë, por vetëm tetë vetë, nga ata 8 nga Vlora dhe 2 jashtë Vlore; Seit bej Qemali, Qamil aga Risilia, Abaz aga Mezini, Hasan aga Sharra, Beqir Sulo Agalli, Dom Mark Vasa, Leonidha Bezhani si dhe vetë pronari i shtëpisë së pavarësisë Xhemil bej Vlora, quheshin këta pronarët e tokave, ndërsa Bexhet bej Biçaku dhe një tjetër Kadri bej Peqini jashtë Vlorës, po dhe 4 krerë nga Kavaja nuk pranuan të hyjnë fare në kuvend. Im atë Hajredin bej Cakrani po diskutonte me Murat e Abdyl bej Toptanin, pasi Sureja beun (Vlora) e kishin armik që dhjetë vjet para që donte ti fuste në burg Turqia, dhe tek sarajet e Sureja beut shkoi vetëm Murat bej Toptani si kushëri i tyre, pasi atje ruhej nga njerëz dhe nuk shkelte njeri. Ai erdhi bashkë me një grua, e huaj duket, (me sa duket Amali von Godin) që flisnin frëngjisht dhe ajo e kish marrë nga muri në shtëpi dhe ua dorëzoi flamurin kuvendit”. (Vasfi Cakrani, intervistë 24.8.1980)

Pra shpallja e pavarësisë u bë më 28.11.1912 dhe krijimi i qeverisë së shtetit të parë shqiptar me kryeministër I.Qemali më 4.12.1912, por gjatë këtyre ditëve u neutralizua me sukses nga qeveria përshkallëzimi i luftimeve të rreth 1000 trupave të trevës së Vlorës ndaj andartëve grekë në Himarë. I riu Eqrem bej Vlora që i komandonte ato, i kishte të gjitha mundësitë politike, diplomatike dhe ushtarake për ta kryer vetë aktin e vëvetësisë me ta marrë vesh ardhjen në rrugë të delegacionit, por nga fisnikëria që rridhte kish trashëguar me sa duket vetëm sjelljen kalorsiake, pasi ndryshe mund të kish sjellë një devijim historik krejt tjetër. Shkurt 26 vjeçari Eqrem bej Vlora, nuk i bëri ballë dot eksperiencave të thinjave të kreut të qeverisë; “Kuç, 30 Nëntor 1912! Zoti Kryetar dhe xhaxha i nderuar! ..Tre agallarë që ngulën këmbë se ishin dërguar nga qeveria, nën drejtimin tuaj, me detyrë të nxitnin vullnetarët.. dhe të braktisnin pozicionet për tu kthyer nëpër shtëpira” (Eqrem bej Vlora, Kujtime), ndërsa përgjigja e kreut të qeverisë ishte se  tashmë kishim shtetin tonë  dhe do të merreshin vesh në mënyrë diplomatike.

Por për fat të keq misioni mbetet mision dhe pak ditë më vonë po Ismail Qemali çuditërisht kërkon që trupat turke të Armatës së Vardarit, disa dhjetramijë tërhequr në zonën e Libofshës, të çarmatoseshin, (ndoshta kërkesë e Athinës nga frika e ndonjë konflikti të iniciuar nga shqiptarët) natyrisht  me ndihmën diplomatike të Austro-Hungarisë dhe armët t’ja dorëzonin Qeverisë së Vlorës. Por si mund ti çarmatoste Viena trupat turke, kur nuk kishte dorë fare në konflikt? Berchtold diskuton mbi këtë pamundësi me ambasadorin Italian Avarna kërkesë që paraqitej nga Vlora në letrat dërguar të dy qeverive: “Aty u konkludua se një çarmatim i trupave turke nuk është një gjë e mundshme, përderisa vazhdon lufta” (A.Vienës, nr. 4786, Raport i bisedës së Kontit Berchtold me Duken Avarna, 05.12.1912)

Qeveria e I.Qemalit ishte në vetvete një organ shtetëror tejet i ngarkuar enkas për pjesmarrje të gjërë dhe të feve të ndryshme, ku qysh në ditën e parë të krijimit, nuk kish të bënte me orientimin e funksionit të saj mbi ruajtjen e rendit dhe qetësisë, dhe me emërtimin kuptimplotë “Provizore”, por kish planifikuar që pa u shpallur pavarësia strategji tjetër, në kuadër të ngjarjeve; Së pari në një ngjarje çuditërisht të pamundur, ajo i kërkon përfaqësuesëve austriakë ku problemi ballkanik do të diskutohej ndërkomëtarisht pjesmarrje në Konferencën e Ambasadorëvë, Londër, nga Fuqitë e Mëdha.

Me shtrirje 4000 km2 (nga 94 mijë km2 territore shqiptare nga L.Prizrenit), kjo qeveri me një vetbesim të pamatshëm arriti të krijonte probleme kufijsh duke sjellë një precedent ndërkombëtar, në një kohë kur vetëm grekët kishin vënë në dispozicion të aleatëve të tyre nga Fuqitë e Mëdha dhjetra diplomatë, kryesuar nga i moshuari tashmë Stefano Skuludhis, një diplomat grek që për pak futi në një kurth diplomatin e kalibrit shqiptar, Abdyl bej Frashëri më 1878. “..Midis delegatëve të tanishëm dihet fare mirë opinoni grekofil i Ismail Qemal Beut e prandaj ushqehen dyshime të mëdha për udhëtimin e tij në Londër dhe që më tepër se kohët e fundit ai do të marrë me vete pak persona e mundësisht sa më të parëndësishëm dhe ekziston frika se ai ka për të qënë në gjendje të shes territore shqiptare jo vetëm Greqisë, por dhe Malit të Zi dhe Serbisë”(A.Vienës, shifër sekret, Lejhanec për Berchtold, 18.12.1912) Në të njëjtin telegram theksohet strategjia e ndjekur me kujdes nga qeveria e Vlorës përsa përket territoreve jugore duke stimuluar braktisjen e shqiptarëve nga armata e Janinës; “Rrethet toske të këtushme ushqejnë dyshime për shkak të Ismail Qemalit.. dje mbërriti këtu një letër e Hamza Isait, një i besuar i Ismail Qemalit me anën e të cilit ftohet klubi i shqipëtarëve në rradhët e ushtrisë turke që të kthehen në vendbanimet e tyre. Si shkak jepet se kufijtë e Shqipërisë gjenden tanimë nën mbrojtjen e Fuqive të Mëdha”. (A.Vienës, nr. 3437, Lejhanec për Berchtold, 06.12.1912) Synimi i kryeministrit po shpaloset më tej në mënyrën më të plotë vetëm disa ditë pas shpalljes së pavarësisë; “Prej deklaratave të shpeshta të Ismail Qemal Beut të bëra në bisedime si para meje e kolegut tim Italian unë nxjerr përfundimin se ai nuk do të kish qënë kundër një cedimi në favor të Greqisë të Janinës dhe të pjesës jugore të vilajetit të Janinës. Ai pretendon se në jug të vijës Konicë, Voshtinë, Sarandë banojnë 250.000 grekë ose shqiptarë me idera greke dhe se për karshi tyre ekzistojnë vetëm në Kazanë e Igumenicës, Paramithisë një popullsi kompakte myslimane. Një bashkim i viseve të sipërpërmendura me Shqipërinë me popullsi dërrmonjëse greke nuk do të ishte sipas mendimit të tij e dëshirueshme, mbasi do të ishte.. një mollë grindjeje të përhershme midis Greqisë dhe Shqipërisë”(A.Vjenës, Lejhanec për Berchtold, 18.12.1912) Aspekti ndërkombëtar i këmbënguljes për të qënë në Londër i kësaj qeverie provizore, me fuqinë administruese që i kanë caktuar, vërehet hapur nga qëllimet që udhëhiqet si dhe nga mënyra e vendimarrjes, fare në prapaskenë vepron ngutshëm.

Qysh nga rastësia e jahtit të Dukës Ludvig Ferdinand de Montparnasse për të çarë blokadën detare greke, e deri tek financimi i delegacionit nga thesari personal i guvernatorit Cakrani, ky i fundit ishte i qartë për detyrën dhe strategjinë tregëtare me fqinjët. “..Po ju dërgoj njeriun tim të besuar që të njoftosh sonte me urgjencë Sulo Beun dhe të dy duhet të sillni lira flori, se ato shkëmbehen andej, për 10 vetë që do venë tek anglezët dhe për të ndenjur atje 20-25 ditë, se ata duhet të duken fisnikë. (Hajredin bej Cakrani “Kujtimet e një firmëtari” fq 269) “Ismail Qemali nuk dëgjon këshillat tona dhe përsa i përket udhëtimit në Europë do ta bëjë  vetëm se atë e konsideron se është në interes të tij personal dhe jo të Shqipërisë. Është më e nevojshme që Ismail Qemali të ndodhet në Shqipëri, se sa në Londër” (A.Vienës,

Mjerisht edhe sot populli, veprat e tij si një ekzigjencë kombësh të prapambetur dë pari rendin pas një-shit, së dyti glorifikojnë figurën, pa i analizuar filozofinë e veprimtarisë, dhe së treti relativizon dramën e ndodhur nga diabolizmi i këtyre figurave, si domosdoshmëri politike, groteske me fuqinë, por sidomos me qëllimin e vënë nga Viena, Qeverisë Vlora.

Por ai është vetëm një nga shumë veprimtaritë që mori përsipër me dëshirën dhe strategjinë e saj të errët, që sot fare me naivitet konsiderohen si kryevepra të një qeverie moderne në të mirë të zhvillimit shqiptar. Arti i saj u bënë koncesionet afatgjata si dhe mënyrat më të mbrapshta të shtetëzimeve, ndonëse fenomene këto të paaplikuara edhe në botë. Ajo aplikoi një sekuestrim të tokave dhe krijoi një komision për ti konsideruar të grabitura dhe ti pjestonte tek fshatarët. Për herë të parë shtetëzimi dhe shpërndarja e tokës janë aplikuar nga pushteti bolshevik i Leninit më 1918-’19, por të krijosh një skemë të ngjashme si dy pikat e ujit me to 6 apo 7 vjet para tyre, do të thotë të kesh imagjinatë përtej vetë Marksit, që shpjegonte se e keqja e shoqërisë njerëzore nuk është mungesa e lirisë, por ekzistenca e pronës private. “Ismail Qemali ka emëruar një komision, i cili u dashka të pjestojë midis popullsisë tokat e grabitura me forcë bejlerëve. Unë kërkoj që të vini në dijeni përfaqësuesin tuaj austriak Petroviç në KNK (Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit), të ketë parasysh se në krye të këtij komisioni është Neshet Vrioni, një vagabond i njohur. Kjo tentativë e Ismail Qemalit buron vetëm nga urrejtja që ai ka ndaj nesh, klasës pasanike. Një politikë e tillë shpronësuese nuk mund të vihet në zbatim në Shqipëri. Nëqoftëse ndodh diçka, lutemi që zoti Ptreoviç të mbrojë interesat dhe të drejtat tona.. Me këto fjalë unë po u dal të gjitha të papriturave dhe kërkoj të tregoni interesim për këtë çështje..” (Syrja-Eqrem bej Vlora, fq.430-431) Por kjo nismë bolshevike do të rezultoje katastrofike jo vetëm për qeverinë I.Qemali, por edhe ndërkombëtarisht.

Por gjatë konfiskimit të pronave, qeveria provizore në çifligun e Mifolit, që i takonte guvernatorit mirbërës, Bektash bej Cakranim kujdestari i pronës në konflikt e vrau të dërguarin e qeverisë. Këtu mbaron edhe mbështetja ndaj qeverisë nga guvernatori Cakrani, pasi Vlora nxorri 10 urdhër arreste për rajonin e Mallakastrës, që tashmë krerët e së cilës ishin kthyer nga mbështeësit kryesorë kyç të kohës së pavarësisë, në kundërshtarë, mandate që nuk u vunë në zbatim kurrë, ndonëse xhandërmaria e Fierit dhe e Vlorës u përpoqën për mirëkuptim me krerët, por krejt të pafuqishme në këtë pikë. Por e menduar mirë u dërgua mallakastrioti Hysni Toska, nga Luari; “Hysni Toska ishte nisur me tridhjetë xhandarë dhe rreth treqind individë të mbledhur gjatë rrugës. Në Gorishovë, ai u përplas me një turmë me më shumë se 400 vendas”. (Arkivi Francez, Raporti KNK-së Vlorë, Krajewski për Pichon, 19.11.1913) Duke u kujdesur edhe për forcat e rendit, Bektash bej Cakrani kontribuon në qeveri duke sjellë Hysni Toskën, i cili kish luftuar në Kryengritjen e Toskërisë për të; “Hysni Toska është me origjinë nga kjo krahinë (Mallkastra) dhe po në këtë krahinë ku ai ka kryer pjesën më të madhe të shkeljeve e krimeve të tij, e kanë bërë atë aq të famshem për keq. Por kur u zgjodh si oficer i xhandarmërisë nga qeveria e përkohshme e Vlorës, peticione të shpeshta të paraqitura nga vendasit e Mallakastrës kërkonin që ky funksionar, të cilit i takonte detyra e mbajtjes së rendit dhe të sigurisë publike, të mos dërgohej në këtë krahinë ku sjellja e tij e mëparshme i kishte krijuar një numër te konsiderueshëm armiqsh, mbi të cilët për të ishte e lehtë të hakmerrej sot që karakteri i tij zyrtar i siguronte atij imunitetin”. (AMAE, Arkivi Francez, Léon Krajeëski, KNK, ku një kopje dërgohet në Paris ministrit të tij jashtëm Stephen Pichon, Vlorë, 19.11.1913, Nr. 113, R 0357)

Sekuestrimi i “Ҫifligjeve Sulltanie” (tokave shtetërore) ishte tjetër dramë grabitjeje dhe korrupsioni, qysh në hapat e parë, ndonëse të kamufluar duke i shitur si territore shtetërore, këto pa u caktuar kufijtë; “Faik bej Konica, Fazil pashë Toptani dhe Dervish Hima i kanë bërë një kritikë të ashpër veprimit të Ismail Qemal Beut para meje dhe kolegut Italian. Ata kritikojnë despotizmin e Ismail Qemalit, duke e konsideruar një veprim illegal.. akordimin e konçesioneve dhe sidomos qëllimin e tij për të shitur pasuritë vakëfnore në Myzeqe. Të gjitha këto ia kanë vështirësuar pozitën atij dhe ata besojnë se pakënaqësia  në Toskëri po merr nga dita në ditë përmasa më të mëdha”.(A.Vienës,Rudnei për Berchtold, 26.07.1913)

Konferenca e Ambasadorëve vazhdonte, megjithëse përfaqësuesi austriak Albert von Mensdorff që mbronte çështjen shqiptare e fillonte diskutimin tek pika 2 duke vënë veton; Pika 1 Serbia nuk del në det në territoret shqiptare-e panegociueshme!

Konferenca po projektonte Korçën ta linte në territorin grek, por patriotët shqiptarë, të shquar edhe më herët, vendosën të vijnë në Vlorë për të marrë nja zgjidhje qeveritare, por arritën deri në Kaninë, pasi rreziku nga “ruajtësit e rendit” ishte imediat, por çështja e ekzistencës së qytetit nuk priste. Pasi bujtën tek mbështetësit e Syrja bej Vlorës, shkruan letrën dhe një nga krerët ja dha Eqrem bej Vlorës për ta dërguar i sigurtë në godinën e qeverisë, e gjithë kjo pasi ikën krerët korçarë, për të evituar ndonjë dramë të papritur: “Të gjithë ata që njohin atdhesin e këtij qyteti, Fisnikërinë e vendesve dhe rëndësinë që ay ka për shtetin tonë mund t’a kuptojë lehtësisht humbjen e madhe që do të pësonte Shqipëria ndë qoftë se Korça do të mbetej jashtë kufisë së saj. Nga ky rrezik i tmeruashim u shtrënguam sot të dalim jashtë maleve, dhe të mbledhi fuqitë tona për të marë masat e fundit. Nuku kemi më çtë presim por të hidhemi të gjithë në kufi dhe ja të vdesim ja të rojmë bashkë me vëndin tonë të dashur. E njohim atdhesinë tuaj dhe ja pra ku ju themi të hiqni dorë nga puna dhe të vini të bashkohi me ne, në mos po do mirni një barrë të madhe para historisë, jeta juaj e shkruarë do fëlliqet.. Ejani të vdesim bashkë se pa Korçën, pa Gjirokastrën dhe pa Çamërinë Shqipëri nuku mund të bëhet dhe të rojë me nder. Ju presim: “Idhomene Kosturi, Tahir Muzreka, Loni Logorij, Stavre Karoli, Themistokli Gërmenji, Musa Demi, Rauf Fico, Azem Xhiku;  Kaninë, dt. 8 qershor 1329/ 21 qershor 1913”.(AQSH, F.245, D.60, f.27)

Për objektivin kryesor, që e kishin theksuar si funksion edhe Austriakët, ruajtjen e rendit, masat ishin marrë më së miri me çetën e Sali Muratit; “Mirëpo kjo bandë kusarësh.. një ditë rrëmbeu djalin 16 vjeçar të njërit prej krerëve të fshatit të Nartës dhe kërkoi 2000 napolona ar për lirimin e tij..Duhet thënë se ajo  as u kap, as u asgjesua ndonjëherë dhe mbijetoi.. deri në vitin 1912, kur befas u shndërrua në një çetë politike “atdhetare”, paçka se gjatë shtatë vjetëve të veprimtarisë së saj, kishte kryer krime që meritonin litarin. Për mirënjohje ndaj “therorizmit” të saj  atdhetar, Qeveria e Përkohshme e ngarkoi me ruajtjen e qytetit. Kur një ditë e pyeta se ç’bënte kështu, Salih Murati më tha: “Zot! Të të jetë trim është detyrë, ndërsa të bëjë plaçkë është e drejtë e luftëtarit!”(Eqrem bej Vlora, vepër e cituar, fq. 184-185)

“Ismail Beu më tha; -Kam rënë më llaf e besë me Sali Muratnë me njers e me çetë, se për këtë sahat më duhetë që të ruajë vëndë. -Kusartë besë? Bektash Beut nuk i soste e qeshura.. -Nuk je më Stamboll këtu Ismail Bej, nuk e di nga i gjen këta, po unë nukë mund të hedh asnjë grosh, jo lirë për kusartë vezir! Se nukë është e shkruarë ndonjëherë që kusartë të marrën ylefè, ils ne volent et tuent!” (Ata vetëm grabisin e vrasin – frëngj) (Hajredin bej Cakrani “Kujtimet e një firmëtari” fq 338).

Koncesioni tjetër, ai i Tramit, tejet modern në plan të parë, që përfundoi primitivisht duke u tërhequr nga një kalë, Koncesioni i porteve, por këtu hasi vështirësi se Durrësi, porti kryesor ishte në dorë të armikut të tij Esat Pashës, etj.saj.

Shitja e pasurive shtetërore shihet si abuzim i pastër nga një qeveri provizore, prandaj nga Ismail Qemali në emër të qeverisëu ndoq një rrugë tjetër, që për çudi edhe shqiptarët më intelektualë sot, e quajnë mrekulli.  Nga të gjithë koncesionet që filloi me aq zell, më i spikaturi, pasi kishte të bënte me financat ishte koncesioni 60 vjeçar i krijimit të një banke kombëtare nga pjesmarrja e dy bankave të huaja;  “Weinner Bank-Verein” (austriake) dhe “Banca Comerciale Italiana, Milano” (italiane), duke i dhënë të gjitha atributet e operimit financiar, si prerja e monedhës, menaxhimin e thesarit, kreditë, pasuritë e lënë peng dhe më flagrantja, shitblerjet me jashtë. Edhe në historikun e Bankës së Shqipërisë, nuk figuron mënyra e menaxhimit të thesarit personal të Bektash bej Cakranit, me të cilën filloi shteti të shpërblehet, por me mrekullinë që qeveria Vlora bëri një përpjekje të madhe për të ngritur një bankë (ndonëse pa të ardhura fare) dhe ajo figuron e para bankë në histori.

Si gjithmonë bëhen koncesionet, fshehurazi, edhe koncesioni “Bankës Kombëtare” është përpiluar me të shpejtë nga qeveria Vlora në fund të Gushtit 1913, nënshkruar nga kryeministri Ismail Qemali dhe ministrat Myfit bej Libohova, Abdi bej Toptani, Luigj Gurakuqi, Petro Poga, Mehmet pashë Drralla. Këtu duhet theksuar se qëndrimet ndryshojnë nën këtë përgjëgjësi të skajshme, arsye që bëjnë guvernatorin Cakrani me ta marrë vesh si ide, të ketë një mosmarrveshje e grindje verbale me kryeministrin Qemali; “Unë jam ca si plak për romuzet e tua, Bektash Bej! -Po je dhe ca si i ri zotrote Ismail Bej, që të pleksesh në pazar me vatanë e t’a lësh në kumar, i thonë kësaj! Pa ma ç’pjego vezir, se qysh do marrim paratë e do lëmë peng vëndë, që kemi akoma varret e njomë të luftrave që s’kanë të pushuar?! S’e kuptuaç pa sinuartë të bëjmë pazar me vatanë, kur ne nuk kemi as sovranë e që të Mëdhenjtë na njohin si një copë guvernë kazaje, qysh do bëjmë shaka ta japim me koncesion Qysh do t’a shesim pa e marrë akoma, pa për t’a gëzuar me këtë mëndje, duket dielli që kur len!” (Hajredin bej Cakrani “Kujtimet e një firmëtari” fq 338)

Filluan lëvizjet kundërshtuese të patriotëve, madje të vetë mbështetësve të qeverisë Vlora, si Mihal Grameno, i cili në gazetën atdheu jep kushtrimin; “Prandaj Shqipëtarë mendoni rrezikun e atdheut dhe protestoni siç duhet kundër kësaj Banke, të cilën s’ka të drejtë Qeveria e Vlorës të themelonjë. Protestoni kundra kësaj Banke të cilën as njonjë fuqi e madhe nuku e dëshiron, aqë më shumë Italia dhe Austria q’u përpoqnë aqë shumë për Shqipërinë”. (Mihal Grameno,“Çojuni Shqipëtarë”, “Atdheu” Kostancë, 26, Vjeshtë II, 1913)

Po Banka vetë çfarë funksioni do të kishte, në një vend i pa konturuar me kufij, me mungesë sovrani, një nismë e papranuar nga Fuqitë e Mëdha? Po japim disa nga pikat më delikate që banka prekte direkt fatin e Shqipërisë. Shitblerja me jashtë që qeveria e Vlorës do ta përdorte për pronat shtetërore, ishte një nga pikat e papranueshme, duke i quajtur dorëzime të territoreve të atdheut të paformauar ende; “XIX.. Qeveria do të pranojë e do të përshkruajë obligatat fundore (tahvilat arazie-bonot e tokës) që ka në dorë shteti, Prefekturat, krahinat, korporatat e fondatat e të gjithë kategorive..” (“Përlindja e Shqypniës”, 3.12.1913) Pra shtetëziminnë favor të bankës të pronave shtetërore. Ajo bankë do të emetonte monedhën dhe do të mbulonte thesarin shtetëror.

“Pyesim pra me ç’të drejtë pesë shpirtë lidhin Shqipërinë për duar edhe këmbë? Kush u ka dhënë lënjë që të bëjnë ç’të duan? Pandehin se Shqipëria është çifligu i zotërisë së tynë? Jo kurrë! Shqipëria është e shqipëtarëvet, dhe vetëm atë herë kur të lirohet e të organizohet si shtet, mund të apëm konçesione dhe jo sot që Qeveria është si një komitet! Pastaj këta zotërinj hidhen me vrap në Banka kur nuk u kanë haber sa bëjnë katër e katër? Kur na duall këta zotërinj financierë? Zotëri e tyre nuk kanë u ditur hesapin e shtëpive të tyre jo të një shtetit! Kësaj i thonë Bankë e jo Pilaf e Muhalebi !!!” (Mihal Grameno,po aty)

“VI.. Banka do të mund të blerë e të shesë, të marrë e të apë me qira çfarëdo kamje (pasuri) të patundshme; të apë huana hypotheksore, të cilat të paguhen me të pritun të gjatë me kreanca e interesa..” (po aty) Pra banka do të merrte në kqyrje pronat hipotekore. Në pikën IX banka tregon se ishte më e përshtatëshme për huamarrje të gjërë; “IX..Banka do të jetë ma e pëlqyeme për huajtjet.. sikundër edhe punët financore të shtetit, prefekturave, krahinave etj.” (po aty) Pika tjetër e errët e koncesionit ishte se banka do të vepronte në çdo lloj mënyre zyrtare për shlyerjen e borxheve nga kreditorët, që do të thoshte se kishte të drejtë të përvetësonte çdo lloj pasurie të patundshme për ta rishitur përsëri në favor të saj; “XIX..Ҫ’do depozitë gjyqësore e ç’do depozitë pengu e përshtrueme prej shtetit, prej prefekturave, krahinave, korporatave e fondatave të shkëmbehen në Bankë, ja me titlla (tituj pronësie, ja me të holla) (po aty)

“Shqipëtarë! Mësoni që Qeveria e Vlorës përveç të konçesionit të tramit vëndosi që të bëjë dhe “Bankën kombëtare”, edhe e dha në duart e ca tregëtarëve Italianë dhe Austriakë pa pyetyr kombin! Qeveria e përtanishme besojti që Shqipëria është çifligu i saj dhe kështu në katër ditë e sipër duke punuar dhe natën nënëshkrojti kondratin! U kundërshtuan nga ministrit Azis Pasha Vrioni, Hasan Be Prishtina dhe Z.Pandeli Cale të cilët dhanë lënjet po Qeveria e nënëshkrojti! Pastaj nuk u dimë mendimet Esat Pashës dhe Z.Lef Nosi që nuku ishin në Vlorë e të merrnin pjesë”. (Mihal Grameno,po aty)

Shitblerjet me jashtë, kur kemi të bëjmë jo me aktivitet tregëtar, por me toka e territore është pika më tragjike ku shqiptarët po nxirrnin në treg Shqipërinë; “IX.. Banka do të jetë i vetmi agjent financiar i Qeverisë si brenda ashtu dhe përjashta”. (po aty) Kjo pikë dukë qënë një rrufe katastrofe vetë pavarësisë shpallur disa muaj më parë do të thosh se në rast konfiskimi toke a debitori, ajo mund ti shiste tek të huajt. Pika më e nxehtë dhe më e diskutueshme tek rrethet patriotike jashtë, por dhe brenda qeverisë Vlora ishte ajo XI e koncesionit; “XI.. kreansat (të ardhurat) e Bankës që dalin nga veprimet që ban ajo me kreditin për tokëna, do të kenë të drejtën të ekzekutohen sakaq; Aktet që janë bamë për kreansat ipothekore do të kenë fuqi ligje e do të mos kenë nevojë për gjyq. Po të jetë qi nji detyrues i Bankës nuk mbush detyrat e tij kundrejt saj, ose i pushon pagimet e tij, Banka pa forma të tjera ka të drejtë që, për ta mbushë shumën e të hollave që ka për të marrë t’i përdorojë të gjitha vleftat, shumat, mallin apo sendet e tjera që ka në dorë, me ç’do titull që të jenë për llogariën e detyruesit të keq” (po aty) Si vend agrar, kreditorët merret me mend do të vendosnin si garanci tokën në bankë, por që mund të kthehej në objekt shitblerjeje dhe tek të huajt, pasi vetëm banka kish të drejtën të kryente veprime financiare me jashtë, natyrisht për të përftuar shumën e pakthyer. Kjo për një kohë tejet delikate, ku Qeveria e Vlorës nuk ka status kombëtar, vepron njëanshmërisht pa u vënë sovrani që ka të drejtën e marrveshjeve (princi) dhe kur nuk ka përfunduar ende ndarja e kufijve shtetërorë, do të shfrytëzohej nga pala greke për grabitje territoresh, prandaj u quajt nga ata shitje e atdheut.

Pa mbaruar drafti i bankës, patriotët me një qëndrim të shëndoshë kombëtar, informuar nga ministri i punëve botore Azis pashë Vrioni, ai i industrisë dhe tregëtisë Pandeli Cale dhe ai i bujqësisë Hasan bej Prishtina e kundërshtuan me një memorandum me dy faza nga qyteti i Beratit. Organizimi i këtij memorandumi shfaqte problem për patriotët pro dhe kundër qeverisë Vlora, por njohës i mirë i të gjithë rrymave ishte organizuesi i tij, Bektash bej Cakrani që u bë përpiluesi i tij. Në fillim u thirrën me urgjencë patriotët korçarë, me një qëndrim relativisht proqeveritar, por drejtuesi shfrytëzoi lidhjen e shitjeve të territireve me gjëndjen e qytetit të Korçës, i cili rrezikohej totalisht nga ekspasioni grek.

Veç Bankës Kombëtare në memorandum, ku Historiografia Shqiptare e ka fshirë tinëzisht në mënyrë totale si shkakun edhe pasojën tragjike, u trajtuan me konçesionet dhe të tjera probleme të mprehta me kryeministrin e qeverisë I. Qemali, por në këtë kohë Qeveria e Vlorës propagandoi se ky ishte memorandumi i klasës aristokrate, pasi ajo po shfaqte frikë për humbjen e pasurisë së tyre, kur në të vërtetë nga 15 përfaqësuesit firmëtarë të parë, rreth nëntë janë korçarë pothuaj të fesë ortodokse, pa disponuar pasuri të mëdha, por me një ndjenjë të madhe përgjegjësie ndaj fateve të Atdheut. Këta u thirrën veçmas si fazë e parë në shtëpinë e ministrit të qeverisë Vlora Azis pashë Vrioni në Berat nga Bektash bej Cakrani të cilët ishin: Mihal Grameno, Themistokli Gërmenji, Idhomen Kosturi, Stavro Karoli, Gligor Cilka, Izet e Mendu Zavalani, G.Zografi e Faik Dëshnica, Mithat bej Frashëri, Abdyl bej Ypi, Veli bej Këlcyra, Hasan bej Gjirokastra, Seit bej Qemali, Nexhat bej Libohova etj. ku kërkohej: 1-Të pakësoheshin shpenzimet e Qeverisë dhe të ishin transparente, 2-të uleshin pagat e nëpunësve, 3-të rritej buxheti për arsimin dhe rrugët, 4-nëpunësit të emëroheshin sipas meritave atdhetare e profesionale, 5-në krye të xhandërmarisë të emëroheshin oficerë profesionistë, 6-të ndalohej dhënia e konçesioneve shteteve të huaja, veçanërisht e Bankës Kombëtare që pritej të formohej nga italo-austriakët, me arsyetimin se nuk mund të jepeshin konçesione pa u njohur më parë shteti shqiptar, pa ardhur princi në krye të shtetit (sovrani që kish të drejtë të nënshkruante), pa u caktuar kufijtë e Shqipërisë, sepse një qeveri e përkohshme nuk kish të drejtë të bënte marrveshje konçesioni. Kish lindur opozita e parë në historinë moderne, jo vetëm jashtë por dhe brenda qeverisë; “Po lind në Qeverinë e Vlorës një opozitë nga më të fuqishmet..Kemi të bëjmë me një opozitë serioze e cila s`kërkuaka gjëra të erës dhe mërira, por gjëra fondamentale.. Siç mësojmë në këtë opozitë qënkan shumë njerëz të provuar në luftra kombëtare” (Mihal Grameno, “Atdheu“, Konstancë, 26.10.1913)

Ҫështja u bë problem ndërkombëtar; “Nga ana e vet, Ismail Qemali nuk do të lejojë kurrsesi që të gjykohet keq nga partizanët e tij, duke pranuar, ashtu siç kërkon kundërshtari i tij (Esat Pasha), që të japë llogari për administrimin e të ardhurave shtetërore dhe që të rishikohen konçesionet e dhëna prej kohe..” (A. Francez, Krajewski për Pichon dt. 18.10.1913) Grameno nuk hesht; “Në atë Memorandum midis shumë pikavet ishte ajo pikë që intereson fatin e Shqiperisë, do me thënë i theshnim Qeverisë Shqipëtare, që ajo nuku ka të drejtë të apë konçesione (imtiare) pa ardhurë princi dhe pa u formuar Shqipëria si shtet. Se me arësye një Qeveri e përtanishme nuku mun’d të apë konçesione kurë ajo nuk përfaqëson gjithë kombin shqipëtar, por vetëm qytetin e Vlonës. Neve që kemi lëvduar atë Qeveri për shërbimin q’i pruri atdheut kur në mes të rrezikut ngriti flamurin kombëtar, po jo të a lëvdojmë dhe tani kur kërkon të hedhë Shqipërinë në një zgjedhë të re dhe më të rrezikshme!”(Mihal Grameno, po aty)

Menjëherë pas saj fillon faza e dytë e memorandumit, dhe kjo si më e rëndësishme zhvillohet në shtëpinë e vëllait organizator, senator pranë qeverisë dhe nënshkrues i pavarësisë Hajredin bej Cakrani, Berat, me personalitete si Faik Konica, Dervish Hima, Sotir Kolea, Fazil e Hamid Toptani, etj. që tashmë janë pjesë e Pleqësisë së Durrësit. Pas moskthimit të përgjigjes nga ana e qeverisë, lista e firmëtarëve shkoi në 67 krerë nga më të rëndësishmit si, Hasan Bej Prishtna, Pandeli Cale, Dervish bej Hima, Faik Bej Konica, Fazil Pashë Toptani, Sotir Kolea, Baki Gjebrea (Gjirokastra), Hamid Bej Toptani, Sami Bej Vrioni, Qemal Bej Vrioni, Qazim Bej Hekali, Hajredin Bej Fratari, Ismail Bej Klosi, Myderiz Mehmeti, Sheh Hasani, Bektash bej Cakrani, etj. Këtë natë kemi një detaj tejet interesant, që mund të ndyshonte rrjedhën e historisë; “Kishin bërë vërtet muhabet se me vlonjatë e me këta soj që kanë mbëledhur atje, vetëm lufta i lan hesapetë e një të fshirë të tërë! -Sa shpyrt të bëhen ty Bektash Bej, i kishin thënë Fazil pasha me Hamid beun (Toptani), se nevej i kemi hazër e meqë të Mëdhenjtë një llaf këtu e një këshillë atje, këta e kanë ymrin njëmijë vjetë, ndaj nukë ka udhë tjatër! Im vëlla ishte lloisurë dhe u kish thënë që njëndizë u përpoqmë me t’a, pa miletit më Mallakastrë të Butë u kishte mbeturë në fyt ajo më behar dhe s’i shohin dotë. Ata kishin ngulur këmbë dhe si i tha im vëlla se venë rreth dymijë dyfeqe hazër pa këta lart. Ata e bënë të mbaruar dhe thanë se aq mund të bjemë ne atças, po u muarrmë Vrionasve njëmijë dhe as një a dy ditë luftë le të bjenë, se n’a plasnë xhanë! Pa guvernën e bëjmë qysh të jetë më e mira! Bektash Beu nuk donte, se aty i kemi e një lumë n’a ndan, gjithë jetën gërr e ham do t’a shkojmë..” (H.Cakrani “Kujtimet e një firmëtari)

Menjëherë të zotin e shtëpisë së memorandumit 2, Hajredin bej Cakrani, ndonëse nuk kish firmosur aty, u arrestua fshehtaz dhe për siguri u mbajt në burgun e Vlorës. Për siguri qeveria Vlora për mos tu ekspozuar në arenën ndërkombëtare me skandalet që po kryente nga raportet e konsujve, pret kabllin që lidhej me Italinë dhe Europën, pasi po përgatitej ethshëm për luftë. Në mungesët të ushtrisë së saj, mbledh me anë të “ruajtësve të rendit” qindra pasues të tyre dhe në Shtator 1913 fillon luftën befasisht kundër organizuesit të memorandumeve Bektash bej Cakranit në Mallakastër.

Bektash bej Cakrani ndërkombëtarizon problemin duke u dërguar urgjent telegram gjithë Fuqive të Mëdha; Të nderuar! Ne jemi nga rajoni i Mallakastrës, kemi mbështetur me ushtritë tona shpërthimin e përpjekjeve për Pavarësinë tonë dhe i kemi dhënë mbështetjen tonë Qeverisë për të instaluar në Vlorë një qeveri që do themelojë një shtet Shqiptar modern dhe të civilizuar.

Çdo ditë kemi vënë re se Ismail Kemal Bey po e çon vëndin drejt një humnere, pavarësisht nga dëshirat e sinqerta të qeverisë suaj. Duke parë që kjo gjendje është prezente në çdo qytet të Shqiperisë, ne bashkë me distriktin e Beratit i kemi dërguar Qeverisë provizore një memorandum, për të cilin Shkëlqesia juaj ishte në dijeni. Këto kërkesa legjitimore të njerëzve, janë interpretuar nga Ismail Kemal Bey si një revoltë. Ai ka terrorizuar njerëzt dhe u ka bërë thirrje bandave e forcave të tij  për të shtypur zërin e popullit.

Brigadat dhe vrasës që janë dënuar disa herë me vdekje, Salih Murad, Hysni Toska, Hajdo Prishta, Bajram Ceprestaka, Hairedin Hekali dhe të tjerë, të premten në mëngjes erdhën të na sulmonin. Ne kemi bërë gjithë përpjekjet tona që të mos kishte gjakderdhje mes vëllezërve shqiptarë. Por këto banda janë të ndërgjegjshme që kanë ndjekur urdhrin e Ismail Kemal Bey për të djegur fshatrat tona dhe për të arrestuar këdo që dëshiron të jetojë në qetësi dhe që do reforma për vëndin e tij të mrekullueshëm. Pas një konflikti me këto forca, i cili pati gjakderdhje, ata nisën të digjnin fshatin Vreshtas dhe pazarin e fshatit Cakran. Fëmijet t’anë mbetën në duart e vrasësve. Kjo fatkeqësi shkatërroi vëndin. Vëllai i Bektash Bey Cakranit, anëtar i senatit shqiptar, gjendet në burgun e Vlorës.

Ne kërkojmë nga Ju, zoti Konsull, që jeta e Hajredin Bey të sigurohet nga Konsullata juaj në Vlorë. Në kërkojmë gjithashtu edhe një hetim për t’u informuar mbi jetët e fëmijëve dhe grave tona. Ne ju lutemi gjithashtu që këtë situatë të mjerueshme, si dhe hidhërimin dhe vuajtjen tonë t’ia përcillni qeverisë suaj. Ismail Kemal Bey ka zënë kabllogramet për të ndaluar zërin tonë në Europën e civilizuar. Ne kemi qënë të detyruar që të merrnim një anije në Durrës deri në Cattaro (Kotor)për të dërguar thirrjen tonë në Londër, Vjenë, Romë, Berlin, St.Peterburg, Paris. Pranoni respektet tona; Bektash Bey Tsakrani; Suleiman Tsakrani; Sabri Tsakrani; Sulejman Mustafa; Marsi Dervisch; Kurian Bajram; Margeliç Djafer; Jussuf Kolea; Faslli Bey Patossi; Teki Bey Patossi; Ferhat Seid Gearra”. (A.Vienës nr. 253, Hornbostel për Berchtold, Durrës, 3.10.1913, Letër konsujve, orgj-frëngjisht)

Por kjo nuk do të mjaftonte dhe Bektash Bej Cakrani i dërgon letër vetë Kontit Berchtold si themelues i shtetit shqiptar dhe qeverisë së tij shkon në Vienë. “Bektash beu udhëton nga Kotorr, Trieste dhe mbërriti në Vienë dhe kreu i konsullatave e çoji menjëherë tek Konti Berchtold. Biseda mes tyre ishe e tendosur pasi ministri austriak i kërkonte llogari Bektash beut përse e kish ndihmuar delegacionin shqiptar të shkonte në Londër, se i prishte punë Austrisë me pazare dhe ky i këmbëngulte se përse shkëlqesia juaj na solli një qeveri që vret njerëz! Pas shumë mosmarrveshjeve xhaxhaji u kthye po nga ajo rrugë që iku” (V.Cakrani, Vlorë, 24.8 1980)

“Shkëlqesisë së Tij Kont!

Kontit Leopold Grafen Berchtold, Ministër i Punëve të Jashtme p. dhe m. V i e n ë.

11 ditë më parë 300-400 disa banditë të dënuar me vdekje u dërguan si xhandarët e Ismail Qemal Beut në Cakran, ku kanë djegur pazarin, shkatërruar mullinj dhe shkatërruar mallra, shkatërruar vëndin e bagëtinë, abuzuar me fshatarët duke i përndjekur dhunuar e  arrestuar ata, për të ulur prestigjin e një familje të madhe dhe të tregojnë fuqinë e Ismail Qemalit duke terrorizuar popullin. Përveç dëmit të shkaktuar mbi ne prej 40,000 Napolonash, vëllai im Hajredin Bej, senatori i Qeverisë së Përkohshme, gjëndet në burg në mënyrë të paligjshme dhe jeta e tij është në rrezik nën terrorine Ismail Qemalit. Më pas gra dhe fëmijë në Cakran janë terrorizuar nga kriminelët dhe janë në gjendje të mjerueshme. Shqipërinë dhe qeverinë e tyre e krijoi kombi juaj e lartë për të çliruar shqiptarët nga zgjedha dhe për të treguar asaj dritën e qytetërimit dhe jo për të na bërë skllevër Ismail Qemal Beu. Unë që dua t’ju shkruaj me lot në sy dhe një zemër që kullon gjak kërkoj, nëpërmjet Konsullit Juve, që Komisioni i Kontrollit dhe Ministria e Punëve të Jashtme të qeverisë tuaj të lartë të hapi një hetim për ato që ka bërë në mënyrë të paligjshme, të ndali menjëherë terrorin, të lirojë vëllain tim nga burgu, të sigurojë jetën e grave dhe fëmijëve, t’u shpëtojë jetën e të lirojë njerëzit dhe shërbëtorët e mij, në mënyrë që unë të mund të rindërtoj dhe të marr të frutet e punës në pronat e mia dhe dëmi i shkaktuar nga Ismail Qemali, kryetar i qeverisë së përkohshme dhe kolegët e tij, të zëvëndësohet. Tiranë, 7 tetor 1913. Bektash Cakrani (A.Vienës, Nr 202 Durrës, Rudnei për Berchtold), Duke qënë se të gjithë kundërshtarët e I.Qemalit ishin filoaustriakë, Viena dhe Berchtold për të mos shkatërruar punën e jashtzakonshme të arritur deri në këtë pikë megjithatë këshillon: “..Mua do të më vinte në mënyrë të veçantë keq sikur elementët simpatizues të Austro-Hungarisë ndërmjet shqiptarëve t’i bënin tani vështirësi qeverisë provizore..” (A.Vienës, Berchtold për Rudney, Nëntor 1913)

“Lufta në Cakran është e gjatë deri në fund të Shtatorit 1913 me mbi 30 të vrarë (civilë të ekzekutuar, therur apo djegur përfshi katër persona të vrarë nga ana e vlonjatëve që sulmuan në breg të Vjosës që nuk i tërhoqën) si dhe afro 70 të plagosur nga ana e të dëmtuarve në fshatrat e Mallakastrës së Butë, por dhe nga Mallakastër e Egër forcat e dërguara nga Aqif pashë Elbasani dhe ato vendase e kishin vendosur Cakranin mes tre zjarresh. Me gjithë rezistencën e xhaxhait (Bektash Cakrani) ata kishin burgosur fshehur tim atë (Hajredin Cakrani), që të kishin në dorë situatën me pengun e marrë. Ata dogjën pazarin e madh, sarajet, vodhën e plaçkitën shumë pasuri, deri dek kanapetë (kolltukët) dhe thanë në Vlorë se i kanë vënë vetë zjarrin vëllezërit Cakrani të na bëjnë ne fajtorë. Ata grabitën edhe shumë kuaj, që ndoshta i morën për të transportuar plaçkën e vjedhur” (V.Cakrani, Vlorë, 24.8.1980) Por çfarë i raportojnë konsullatat Vienës? “Megjithëse Ismail Qemali dha urdhëra të rrepta që të kapeshin vetëm të revoltuarit, pa dëmtuar pronat, të ardhurit nuk u përmbajtën dot. Pazari i Cakranit u plaçkit dhe u dogj. U dogj edhe fshati Vreshtaz. Nga të dy palët pati të vrarë e të plagosur!” (A.Austriak nr. 155, Lejhanec për Berchtold, Vlorë, 3.10.1913) Senatori Veli bej Këlcyra ndërhyn për armëpushim, pasi konflikti do të përhapet e përshkallëzohet në atë rajonal dhe më pas kombëtar; “Veli Bej (Këlcyra) bindi presidentin e qeverisë së përkohshme, i bëri apel ndjenjave të tij humane dhe arriti, bashkë me lejen për të shkuar në Cakran për të bindur Bektash Efendinë që të zbriste në Vlorë dhe të vihej në dispozicion të autoriteteve. Kjo do të arrihej me dërgimin e një urdhri telegrafik Kajmekamit të Selishtës, duke i kërkuar të thirrte Hysni Toskën dhe Salih Muradin të pushonin konfliktin. Veli Bej mbërriti në Selishtë rreth orës nëntë të mbrëmjes, i bindur që urdhri i Ismail Qemal Beut i kishte ardhur prefektit Ahmed Aga Durmishit në Selishtë dhe ia transmetoi menjëherë Hysni Toskës dhe Salih Muradit, si dhe shkoi në Cakran bindi dhe Bektashin, i cili pranoi të kthehej me të në Vlorë me kusht që, ndërsa qeveria po angazhohej për zgjidhjen, të mos ta sulmonin Cakranin gjatë mungesës së tij. Në pritje të marrjes së këtij angazhimi Bektash Efendi u dërgoi edhe luftëtarëve të tij urdhërin që të mos sulmonin Hysni Toskën dhe njerezit e tij gjatë kësaj kohe. Por sapo Bektash Efendi dhe Veli Bej do të dilnin nga Selishta u panë flakët nga lartësitë e Armenit, që tregonte se çdo gjë ishte e kotë veç luftës.. Fajësia e Salih Murad është kaq evidente, sa mohimi i saj do të ishte mohim i realitetit. Ai dhe Hysni Toska kanë refuzuar t’u binden urdhërave të superiorëve për të ndaluar sulmin dhe për këtë ata janë fajtorët kryesorë.” (A.Francez, Raporti KNK-së Vlorë,19.11.1913, Krajewski për Pichon)

Asnjë nuk e di apo nuk do ta thotë të vërtetën se përse erdhi Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit në Vlorë më 5.10.1913? Nga kjo ngjarje tragjike që nuk e njeh njeri, pasi si pasojë reagimit të Fuqive të Mëdha ndaj konflikteve të shqiptarëve detyrohet që përfaqësuesit e tyre ti dërgojnë përmes rrezikut me urgjencë dhe në krye vendosën ish-konsullin britanik të Durrësit Harry Lamb, ku hapën menjëherë hetimin ndërkombëtar. Këtë ja dhanë përfaqësuesit francëz Leon Krajewski, larg atij austriak Aristotel Petroviç, që paraqitej për Fuqitë si “proqeverisë”. “..do të thoja që mbajtja në burg në Berat Hajredin Cakranit gjatë tetë ditëve, më pas i sjellë në Vlorë ku qëndroi i ndaluar gjatë tre javëve, ai është aktualisht në liri me kusht kundrejt shumës prej 210 lirave turke“ (A.Francez, Raporti KNK-së Vlorë,19.11.1913, Krajewski për Pichon)

Në këtë moment qeveria Vlora po armatoset, si shkak për ekuilibër të Pleqësisë së Shqipqrisë së Mesme, kryesuar nga Esat pashë Toptani, por me objektiv tjetër; Hakmarrjen kundër mbështetësit kryesor (tashmë armikut më të madh të veprave të saj) Bektash bej Cakrani “..Në Vlorë arritën nga Austria njëqind e ca arka me fishekë dhe dy mitralozë bashkë me municionin..” (A.Vienës, nr.125, Lejhanec për Berchtold, Vlorë, 6.10.1913)

Hetimet dalin në konkluzion; “Kush janë arsyet e konfliktit?  Është, sipas mendimit tim, një që i përmbledh të gjitha: Lëvizjet në opozitë ndaj qeverisë së përkohshme të Ismail Qemal Beut nga Bektash Efendi..“(A.Francez, Raporti KNK-së Vlorë,19.11.1913) Njëkohësisht KNK-ja vendos fajësinë nëpërmjet hetimit; “Por unë nuk mund të ndaloj së fajësuari Ismail Qemal Beun që përdori vartësit e tij, të cilët në fakt, pasi morën urdhrat e tij, krijuan një gjëndje veprimesh nga më të keqardhshmet. Nuk injoroj që ai pranon mundësinë e zjarrvënies së Pazarit nga njerëzit e Cakranjotëve, të cilët duke dëshiruar të vendosin një barrierë midis arratisjes së tyre dhe ndjekjes, fatkeqësisht ky opinion është vështirë të pranohet. Nqs pranojmë saktësinë e fakteve të tillë, ashtu siç i kam përcaktuar dhe nëse konsiderojmë që vendi i luftimit një orë larg nga Cakrani dhe që është i vendosur në një lokalitet që ofron më shumë se një mundësi arratisjeje njerëzve që njohin të gjitha shtigjet dhe strehimet. Më tej ky supozim i zjarrvënies nga vetë vendasit është kategorikisht i kundërshtuar nga një dokument që e kam në duart e mia, për të cilin Kajmekami i Selishtës kishte urdhëruar Salih Muradin të vendoste në rastin kur do t’a gjykonin të nevojshme zjarrvënien e shtëpisë së familjes Cakrani.”(A.Francez, Raporti KNK-së Vlorë,19.11.1913, Krajewski për Pichon)

KNK-ja nëpërmjet përfaqësuesit austriak vendos juridikisht dënimin; “Presidenti i Komisionit të Kontrollit për Ismail Qemal Bej, Presidenti i qeverisë së përkohshme të Vlorës

Vlorë më 8 Dhjetor 1913

Në vijim të hetimit është proceduar ndaj ngjarjeve të Cakranit, Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit ka nderin t’ju paraqesë funksionarët, fajësia e të cilëve është mjaftueshëm e përcaktuar aplikimi i dënimit:

1 -Pezullimi i funksioneve dhe takimeve të Kajmekamit të Selishtës, Ahmed Aga Durmishi dhe Lejtnantit të xhandarmërisë Salih Murad dhe një gjykim i përbashkët i tyre.

2 -Thirrje e menjëhershme e Hysni Toskës, i cili nuk duhet të emërohet më me detyrë në krahinën e Mallakastrës.

Komisioni i Kontrollit kërkon gjithashtu:

1 -Gjykimin e menjëhershëm të të gjithë personave të fajësuar në ngjarjet e ndryshme të Cakranit.

2- Kthimin tek pronarët e vet të kafshëve dhe sendeve vjedhur nga grabitësit në vijim të zjarrvënies së Pazarit.

Lista i është dorëzuar paraprakisht V.E. (Veli Efendi-senator)

Ajo është e detyruar gjithashtu të shprehë keqardhjen për përdorimin e xhandarmërisë së qeverisë, emrat e të cilëve janë shumë të njohur, që ajo të këtë nevojë t’i përkrahë. Në këtë pikë, ajo duhet të tërheqë vëmendjen e V.E. për eliminimin sa më shpejt të jetë e mundur për këta keqbërës, shumica e të cilëve nuk i kanë kryer dënimet për të cilat ata kanë qënë ndëshkuar më parë.

Firma: Aristoteles Petroviç. Vendim i përf. A-H, Kryetar i KNK-së, Vlorë, 08.10.1913, (A.Francez, Krajewski për Pichon, Paris)

Pas kësaj goditjeje, gjithçka po shthurej me shpejtësi, KNK-ja dhe Fuqitë e Mëdha garantojnë një forcë xhandarmërie që të merrte në dorëzim qytetin, pjesmarrja e delegatit shqiptar në KNK të mos jetë kryeministri I.Qemali dhe paralajmërim masash ekstreme në rast se kryen operacione luftarake nga pasuesit e qeverisë Vlora. Një muaj më pas në Dhjetor 1913 dorëhiqet ministri i luftës që e pa “rrugën despotike” të qeverisë Mehmet pashë Drralla nga informacioni i marrëveshjes me Turqit e Rinj dhe komploti i Beqir Grebenesë, ku 400 luftëtarë profesionistë në formën e mercenarisë të futur fshehurazi me anë të terrorit ndaj kundërshtarëve të I.Qemalit do të mbanin qeverinë Vlora në këmbë, strategji e dështuar kjo, nga aksioni i xhandërmarisë holandeze që vigjëlonte me anije në portin e Vlorës. Por nga personazhi mjaft i rëndësishëm, i cili e mori në dorë qeverinë rrëzuar të Vlorës pikërisht në këtë kohë kur ajo u kthye në një organ lokal, Fejzi bej Alizoti na vjen një e dhënë mjaft interesante: “Xhandarmëria hollandeze e arrestoi Beqir Grebenenë dhe gjykata e dënoi me burg të rëndë, bashkë me shokët e tij, midis të cilëve ndodhej edhe Çerçiz Topulli dhe për siguri e dërgoi në burgun e Shkodrës. Gjykata nxori të implikuar edhe Ismail Qemalin, por Komisioni i Kontrollit vëndosi mbylljen e procedimit për të, duke përdorur si argument dorëheqjen e premtuar nga detyra e kryeministrit dhe largimin nga vëndi..” (Fejzi Alizoti, gazeta “Drita”, 13 Dhjetor 1936)

Por përfaqësuesi austriak Petroviç raporton gjëndjen e nderë; Përfaqësuesit e Fuqive që na kishin mbështetur pa rezerva një vit më parë në Shpalljen e Pavarsisë, detyrohen t’i drejtojnë Ismail Qemalit një ultimatum, të linte menjëherë Qeverinë e Përkohshme dhe në rast të vazhdimësisë së kësaj veprimtarie, do të detyroheshin të lëshonin një urdhër arresti për të. Kjo ndodhi pas ardhjes së Beqir Grebenesë, i cili u arrestua nga xhandërmaria ndërkombëtare në Vlorë dhe pas gjyqit, ku pranoi se e kishte “ftuar” I.Qemali ”Piksynimi i vërtetë  është emërimi i Izet Pashait si princ i Shqipërisë.. Ismail Qemali është tepër i lënduar se Princ Ëied dëshiron të shkojë në Durrës dhe tenton të hyjë në kontakt me Turqit e Rinj me besimin e gabuar se këtë lëvizje tepër të rrezikshme mund ta përdor për interesat e veta..” (A.Vienës, nr. 9162, Telegram i Petrovic nga Vlora, 5.1.1914)

Më 22 Janar 1914, ajo pushoi së ekzistuari me emrin e pagëzimit austriak “Qeveria e Vlorës”, ndërsa u kthye në një organ lokal me në krye Fejzi Alizotin. Princ Vidi në shenjë respekti për Jugun mori djalin e Ismail Qemalit, Ethem bej Vlora, si këshilltar ushtarak, Bektash bej Cakrani u kërkua përsëri me ushtrinë e tij private (me pagesë) prej afro 500 trupash me shërbim mbrojtës të monarkisë së re, dhe nga monarku Vid e caktoi në mbrojtje të Korçës dhe Jugut Shqiptar nga masakrat greke.