Sonte shpirti s’më pyeti,u bë gjethe,
herë lazdron,herë frymon në ethe.
Syri yt me hove maji të çmendura,
fërfëllon cipën e sytheve të ënjtura.
Rrokullis kongjinj përvëlues në gushë e faqe,
pa pyetur,se ndez thellësive zjarre,
lëvoren e ndjenjave gërvisht në heshtje,
ç’faj kam unë,që grishesh gjer në dehje?!…
S’më ndahesh qiellit pupëlor të majit,
ku grinden re bardhoshe,me brymë,
zgjat lastarin e buzës,me pikla afshi,
më tret me puthje,të tres me frymë.
Dhe pse shkërrmoq eshtrat e tua,siç dua,
përtërihesh si bari i kositur,gjithë vrulle:
Në kraharorin tënd ndihem i sigurt,më thua,
jashtë, errësira më ka ngritur kurthe…
As fllad i luleve,që përpin ujërat e borës,
s’është kaq i etur, sa je ti për mua,
kur shtrydh hiret e mia,me falangat e dorës,
them:Është bukur të vdesësh,nga etjet e tua !
Sonte shpirti s’më pyeti,u bë gjethe,
herë lazdron,herë prehet në heshtje,
Ti ke në sy shira ylberesh,unë kam mijëra diej,
të rrisim farën e jetës nëpër shtatë qiej…
ELIKSIRIN T’IA PIMË DASHURISË
Eja i dashur,t’ia pimë eliksirin botës,
të dyve rrjedhës, na pret i njëjti fat,
do tretemi dherave,thellë nëntokës,
e njëri-tjetrin s’do ta puthim dot pak.
Gëzoju me mua,çdo dite që vjen,
gëzoju pranverës,që çel pa frikë,
futmë gjirit,nëse ngrohtësi s’ndjen,
në këtë botë,me akull dhe ngricë.
S’ndihem në faj,nëse të dua pranë,
nëse gjithë stinët i vesh me afsh ,
nëse violinë e shpirtit,për ty qan,
nëse të dashuroj, si herën e parë.
Kur muzgu bie,eja pranë zemrës,
veshur me perëndime purpur,
shtrirë si foshnja në gji të nënës,
të pish nektarin e gjirit shpuzë.
Jo,s’kam faj ,se të dua sa vetja,
pse dhimbjen djeg me syrin flakë,
gjithë dashurinë, shpirtit tim merrja,
eliksirin ta pimë të dy bashkë.
Të dehemi,sa të na mpihet buza,
se vitet ikin dhe s’kthehen prapë,
se kush dashuron e i ndizet muza,
zjarrin ia ndien edhe në parajsë.




















