Nga helmimi në Akademi te pacientët në spital: e njëjta kompani merr kontratë 4-vjeçare për ushqimin me zero konkurrencë

Nga helmimi në Akademi te pacientët në spital: e njëjta kompani, kontratë 48 muajshe dhe zero konkurrencë

Kompania ka përfituar nga fondet publike plot 2 miliardë e 267 milionë e 84 mijë e 408 lekë, pra rreth 22.6 milionë euro nga buxheti i shtetit.

Sigal

Rasti i helmimit në Akademia e Sigurisë nuk ishte thjesht një incident i izoluar shëndetësor, por një sinjal alarmi për mënyrën si menaxhohen furnizimet publike.Fakti që e njëjta kompani, SORI-AL SHPK, ka përfituar jo vetëm tenderin për furnizimin me ushqim në Akademia e Sigurisë, por edhe një kontratë të majme për shërbimin e gatimit dhe shpërndarjes së ushqimit në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, ngre pikëpyetje serioze për standardet dhe kontrollin e këtyre kontratave publike.Bëhet fjalë për një tender me vlerë rreth 321 milionë lekë (afërsisht 3.2 milionë euro), i zhvilluar nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara, ku rezulton se ka pasur vetëm një operator në garë, duke e shoqëruar procedurën me “flamur të kuq” për mungesë konkurrence. Pikërisht ky element e bën edhe më të ndjeshme situatën, pasi një kompani që ka qenë në qendër të dyshimeve për helmimin e dhjetëra personave në Akademinë e Sigurisë, rezulton të jetë furnizues edhe për pacientët e një spitali.Ndryshe nga rasti i Akademisë, ku efektet u shfaqën menjëherë dhe në masë, në spital situata është më e vështirë për t’u evidentuar. Pacientët ndodhen tashmë në kushte shëndetësore të rënduara dhe simptomat e mundshme nga ushqimi mund të maskohen lehtësisht nga diagnozat ekzistuese por deri më tani janë vetëm dyshime.  Por elementi më i rëndë është kohëzgjatja: kontrata është parashikuar për 48 muaj, pra për katër vite furnizim të pandërprerë me ushqim për pacientët e një spitali publik.Të dhënat e pagesave tregojnë se kompania ka vijuar normalisht ekzekutimin e kontratës edhe gjatë vitit 2026, me fatura të regjistruara për furnizime ushqimore, çka konfirmon se shërbimi është aktiv dhe në vijim.Në fillim të vitit 2026, dhjetëra kursantë dhe efektivë përfunduan me simptoma të rënda helmimi ushqimor, duke ngritur menjëherë dyshime mbi cilësinë e ushqimit të shërbyer në mensën e institucionit. Burimi i vetëm i furnizimit ishte kompania private që kishte fituar tenderin për katering, çka e vendosi menjëherë këtë kontratë në qendër të vëmendjes.Në thelb të kësaj historie qëndron një problem më i thellë se sa një ushqim i prishur: mungesa e kontrollit real mbi kontratat publike. Dyshimet u fokusuan tek mënyra e ruajtjes së produkteve, standardet higjieno-sanitare dhe verifikimet që duhej të ishin kryer nga autoriteti kontraktor. Pikërisht këto hallka, që në letër duken të forta, në praktikë rezultojnë shpesh formale, duke hapur rrugë për situata që rrezikojnë drejtpërdrejt shëndetin e qytetarëve, në këtë rast të vetë strukturave të sigurisë.Edhe pse furnizimi ishte bërë nga një subjekt privat i shpallur fitues i tenderit, mungesa e transparencës së plotë mbi procedurën, kushtet e kontratës dhe kontrollin gjatë zbatimit të saj, ka lënë ende shumë pikëpyetje. Rasti i Akademisë së Sigurisë tregon qartë se kur kontrolli bie dhe përgjegjësia shpërndahet, pasojat nuk mbeten vetëm në dokumente, por përkthehen në rrezik real për jetën dhe shëndetin. Dhe pikërisht këtu, kjo histori pushon së qeni një lajm i zakonshëm dhe kthehet në një provë konkrete të dështimit të një sistemi që duhet të garantojë siguri, jo ta vërë atë në pikëpyetje. Burime zyrtare dhe dokumentet e prokurimit bëjnë me dije se kompania përgjegjëse për ushqimin është “Sori-Al” SHPK. Kjo kompani rezulton në regjistrat e biznesit në emër të Alma Tafanit, bashkëshortes së Nikolin Jakës, emri i të cilit qëndron pas këtij biznesi që ka shtrirë “tentakulat” në kateringun e institucioneve shtetërore.

Nga Akademia e Sigurisë te Shtëpia e të Moshuarve Kavajë: ushqimi publik nën dyshim pas helmimeve

Pak ditë më parë, rasti i helmimit në Akademia e Sigurisë ngriti alarmin për cilësinë dhe kontrollin e ushqimit në institucionet publike. Një ngjarje që nuk është thjesht episod i izoluar, por një sinjal i fortë se zinxhiri i furnizimit me ushqime mund të ketë probleme serioze, nga përzgjedhja e operatorëve deri te standardet e sigurisë ushqimore.Në këtë kontekst, një tender për furnizim me ushqime për Shtëpinë e të Moshuarve në Kavajë merr një tjetër dimension. Tenderi për furnizim me ushqime për Shtëpinë e të Moshuarve “Sefer Dervishi” në Kavajë ka një fond limit prej 8,195,600 lekësh pa TVSH, që përkthehet në rreth 82 mijë euro. Procedura është zhvilluar nga vetë institucioni në varësi të Bashkisë Kavajë dhe ofertat janë hapur më 10 shkurt 2025, duke shënuar nisjen zyrtare të një gare që, përtej shifrave, ngre pikëpyetje për mënyrën si janë vendosur kriteret dhe sa reale ka qenë konkurrenca. Në vend që të fokusohet te cilësia dhe kontrolli rigoroz i produkteve, procedura ngre pikëpyetje për mënyrën si janë ndërtuar kriteret. Dokumentet tregojnë se kërkohet një operator që të zotërojë pothuajse gjithë zinxhirin ushqimor – nga therja e kafshëve te përpunimi i bulmetit dhe prodhimi i bukës – një kërkesë që duket më shumë si filtër për konkurrencën sesa garanci për cilësi. Ironia është evidente: ndërsa një rast helmimi ka nxjerrë në pah rreziqet reale për shëndetin, tenderët vazhdojnë të ndërtohen me logjikë burokratike dhe potencialisht përjashtuese. Në vend që të hapet gara për më shumë operatorë dhe të rritet kontrolli mbi standardet ushqimore, vendosen kritere që kufizojnë pjesëmarrjen dhe nuk japin asnjë garanci shtesë për sigurinë e ushqimit.Nëse një institucion si Akademia e Sigurisë përballet me incidente të tilla, çfarë garancie ka që të mos ndodhin në institucione edhe më të ndjeshme, si një shtëpi të moshuarish? Pyetja nuk është më vetëm për procedurat e prokurimit, por për sigurinë e vetë qytetarëve që varen nga këto furnizime.