Nga Çano Nora

Këto ditë shkrimtarit Thanas Dino, i morëm këtë intervistë për poetin tepelenas Maliq Lila, që bënte tekste këngësh.
Z.Thanas, e keni njohur nga afër Maliq Lilën?
Po,e kam njohur.Ai ishte prezent në biseda njerëzish,në tavolina me shokë e miq,në sebepe, në festivale e dasma.Përtej teksteve të bukura që bënte për këngët e labërisë,ai ishte edhe një këngëtar i pëlqyer me atë zërin violinë. Ata që bënin tekste këngësh njiheshin nga të gjithë, se ishin të paktë në numër dhe ata që këndonin ishin shumë.Që kur më transferuan nga redaksia e gazetës “Drita” në Tiranë ,mësues në shkollën e mesme në Picar të Gjirokastrës,dëgjova nga kolegët e mi që flisnin me respekt e dashuri për Maliqin,edhe si mësues që ishte në shkollat e Tepelenës, por edhe për pasionin e talentin e tij të rrallë për të kënduar e për të bërë tekste këngësh.Pasi më emëruan gazetar tereni për Gjirokastrën,Tepelenën e Përmetin, kisha fatin ta njihja nga afër njeriun që punonte shumë,por të “panjohur” për talentin e tij të rrallë për tekstet e këngëve që i bënte grupit të Golik Jaupit të Bënçës,por pse jo edhe për grupet e tjera që i bënin kërkesa. Thashë “i panjohur” se edhe pse këngët me tekstet e tij fitonin çmime,përsëri partia,nuk e prezantonte asnjëherë, sepse kishte një ” njollë” në biografi,por Malua asnjëherë s’ndali së shkruari, shkruante këngë me frymëzim,shpërthente si një syth kur vjen pranvera.Me një laps në dorë dhe me një bllok shënimesh atë e shihje mes njerëzve ,atje ku gjente frymëzimin dhe motivet e jetës së përditëshme. Edhe pse partia e mbante anonim emrin e tij për tekste këngësh,ai përsëri u njoh në heshtje nga të tjerët,dhe s’kish nevojë pse ti servilosej partisë që ti rregullonte biografinë për “njolllën” për të cilën e sumbonin.

Thonë se Maliq Lila ka vdekur duke qenë krushk në një dasëm?
Ai kishte një gjë që rrallëkush e kishte.Kishte zërin dhe vargjet që i qëndiste si me fije ari.Një jetë nëpërmjet këngës.Maliqi u nda nga jeta papritur një ditë,se nuk e kishte moshën për t’u ndarë nga familjarët,shokët e miqtë,nga vargjet e bukura dhe këngët. Iku pa pritur, madje duke qenë krushk në një dasëm.Një herë më shkrepi në kokë për të bërë një shkrim për në gazetën “Zëri i Popullit” ku punoja dhe unë.Edhe pse e dija atë kleçkën e tij të biografisë. Maliqi ishte burrë i zgjuar,të shoqëronte,të bënte muhabet për letërsinë e për festivalet dhe vetëm kaq.Kur ishte fjala për të shkruar për të ndonjë gjë për në gazetë,ai ndrronte bisedë. Se e dinin shokët e partisë,që atje lartë e gjer këtu poshtë në Tepelenë. Maliq Lila nuk shkruante për nam ,por e kishte pasion të hershëm të kënduarin dhe të shkruarin le të mos tja dinin të tjerët.Njëherë e gjeta në bibliotekën e qytetit të Tepelenës.Ishte ulur në një tavolinë me vajzën e tij,Teutën,që kishte mbaruar studimet për mësuese edhe ajo në Gjirokastër.Babë e bijë përballë njeri – tjetrit. S’di se si më ishte krijuar bindja se ai kishte lindur për masovik ,nuk e di pse ai ka qenë aq i shtrirë pranë njerëzve.E ngacmonte më tepër halli që kishte tjetri se sa halli i tij. Ai mundohej të shëronte njerëzit ,të gjente një fjalë të goditur për ta,ashtu siç gjente fjalët për këngët,që tjetrin ta lehtësonte nga dhimbja që kishte.E kërkonte fjalën dhe e gjente.Në fatkeqësitë familjare siç ishte zakoni, burrat më vete dhe gratë më vete ,në një shtëpi.Edhe ata që e dinin veten të mënçur e të ditur ,prisnin më parë se çdo të thoshte Maliqi.Nuk fliste kurrë i pari, edhe në dasma nuk ia merrte këngës kurrë i pari,vetëm kur e detyronin të tjerët,sepse ishte një njeri që mendohej e pastaj fliste ose ndoshta priste që të gjente mjaltin për të gëzuar ,apo melhemin për të ngushëlluar. Shumë herë këndonte vargje të krijuara prej tij,por herë – herë edhe këngë të vjetra që ngjallnin emocione tek ai vet dhe tek ata që e rrethonin.Më për zemër në një ambjent me burra kish Kapedan Hodo Nivicën .Ja ,pikërisht,kjo ishte kënga e tij më e dashur. Këtë këngë këndoi në dasëm që dha shpirt të nesërmen.Ai i zgjidhte vet ata që ishin të këngës,të cilët i mblidhte rreth vetes si klloçka zogjtë e saj.Edhe këndonte edhe tregonte historitë që kish.Tregonte e hiqte vëmëndjen e të tjerëve .E ftonin për të shtuar sofra.Po për të lexuar? Vetëm për gjumë i mbyllte sytë.Profesionin e kishte për histori gjeografi,po letërsia iu bë në jetë.Lexonte dhe u bë i plotësuar edhe këtu në këtë pikë.

Përse librin e tij e ka titulluar ” Zilja e erës”?
Prej krijimtarisë së tij është botuar vetëm një libër me poezi.Ai është titulluar” Zilja e erës” me idenë se dhe era na ka zili,se me erën ka personifikuar historikisht Tepelenën. Ashtu e konceptonte ai.Shumë veta e kanë ngatërruar titullin me zilja e erës ,si tringëllimë ere,në fakt është le të ketë zili era ,për temperamentin e tepelenasit,quajmë veten impulsivë, mendoj unë.

Kam dëgjuar se gjyshi i Maliq Lilës ka studjuar në Turqi,si është e vërteta?
Maliqi ka lindur në vitin 1937.Djemve u ka folur shumë pak për vete.Edhe për fisin.Në shkollë mësonte.Në fillore ka marrë edhe dy klasa bashkë. Gjyshi i tij kishte studjuar në Turqi. Në fis nuk ka patur ndonjë që krijonte poezi për vete dhe për kënaqësinë e të tjerëve.Maliqi ishte i guximshëm për të hedhur në letër gjithçka që dinte dhe që e ndjente se duhej shkruar. Kishte një “hije” që i ishte bërë gangren në çdo hap që hidhte.Këtë e kishte nga xhaxhai i tij ,që shokët e partisë ia kishin “vathë” në vesh dhe ia kujtonin sa herë që pritej të bëhej ndonjë takim artistësh apo festival,edhe pse xhaxhai i tij ishte i pa ingranuar ,as pro dhe as kundër luftës ,vetëm që tregoi që nuk kishte gegër në fshat,kur ata ishin kthyer ,u vra aty për aty nga forcat partizane.U sqarua që s’kishte faj ,kërkuan se si ta quanin ,invalid lufte.U la pas kujtese.Lufta e klasave e ngacmonte gjithmonë .Për këtë nuk e lanë të vente të studjonte dhe jashtë shteti.Nga ky ngacmim iu desh të lëvizte shumë për punë nga një fshat në tjetrin.Për shumë kohë ruhej anonimati i çdo gjëje që krijonte Maliqi ,me mëndjen dhe dorën e tij.Nuk është njohur si krijues,edhe pse ishte nga më të mirët.Në evente dhe në festivale nuk përmëndej emri i autorit,se i druheshin biografisë së tij.Ja,ky ishte Maliq Lila,që edhe i shkëlqyer si një gur xhevairi,përsëri s’e ulnin në vëndin që meritonte.Ndonjëri që ia dinte aftësitë përsëriste gjatë bisedave të thjeshta:Është i zoti,djali i fshatit tënë!I ngjau gjyshit që studjoi jashtë dhe u bë dikush në jetë”.

Pse se linin Maliq Lilën të vente me grupin e Bënçës në Tiranë,kur ai i kishte bërë vet tekstet?
Kur nxorri brumin e këngës së tij ,që me tekstin e ujdisur aq bukur,e bëri Enver Hoxhën të qajë ai tekst ,edhe pse nuk e përmëndi asnjë se kush e kishte bërë atë tekst,ajo u kuptua që ishte e Maliqit,se Maliqi lakmonte dhe arrinte maja. Grupi i Bënçës edhe atëherë u dallua për tekstin dhe zërat e magjishëm,që ngritën Tiranën në këmbë.U tha:Po Maliqi,ku është?! Maliqin se panë edhe këtë herë në Tiranë,siç kishte ndodhur edhe herët e tjera,ai kishte biografinë që e pengonte të shoqëronte dhe të duartrokiste bashkë me tiranasit ,grupin e tij të Bënçës.Njeri atë ditë pas koncertit në pallatin e madh të kulturës do të thoshte:Bënça nuk do të ketë tekst më të bukur ndonjëherë.Me këtë nënkuptohej gjenerali i teksteve të këngëve aq të dashura të Labërisë.

Dhe fija e flokut bën hijen e tij.Ai rendte shumë për të gjetur vargun.Nuk rrinte vetëm në tavolinën e tij ,por kërkonte dhe e gjente.Gjetja e vargut,kërkonte të gjeje temën ,të njihje historinë. Një rast:Në fshatrat e Labërisë gratë qajnë bukur.Dinë të qajnë,ashtu siç mund të dinë edhe të këndojnë. Kishte për të ndërtuar një tekst.Hidhte vargje në letër dhe i thonë: Kjo grua qan mirë!Për ta ditur se si qante ajo grua ,ose çfarë thoshte ,se i kishte vdekur vëllai i vetëm ,merrte litarin se gruaja labe ngarkohej ,pastaj nisej vetëm për dru. Maliqi e gjurmon kur do vinte për të bërë dru, ajo ecte para dhe ky e ndiqte fshehurazi .Gruaja qante të vëllanë dhe Maliqi përgjonte dhe vargun” pika që pikon mademi”e ka marrë nga goja e kësaj gruaje. “Porositë në shpirt i kemi, si pikë që pikon mademi”. E çmumd të thoshte më,nuk ngopej motra për vëllanë ,ashtu e mori dhe e hodhi në vargun e vet duke e rregulluar atë. Kur i kërkonin që të bënte tekste për festivalet, ky njeri nisej nga sektori i minierës për të shkuar në Buz,me këmbë. Ka udhëtuar dy orë në këmbë ,në një vapë të tmerrshme të korrikut .U ul të pinte ujë në burimin afër një gorice, pranë fshatit Maricaj.I derdhte këto vargje!Po të kishe një persekutim të tillë,të duhej të ecje ,të bëje vargje,ti nxirrje nga shpirti për atë njeri që të kishte persekutuar,nuk ishte e lehtë. Megjithatë, nevoja për të mbajtur fëmijët dhe për ti shërbyer asaj pjese të shoqërisë e bënte që të hidhte ato vargje, edhe ndoshta ndonjëherë dhe të pa ndjera ,sepse ishte një farë dënimi për një poet.Kështu i ndërtonte tekstet. Por çudia ndodhi pas pesë vitesh ,u ndërtua një tekst edhe më i bukur se ai i mëparshmi. Nënkuptohej që s’ishte më nevoja për opinione,se tashmë dihej fare mirë se brënda këngët e Bënçës ndizeshim me vargjet e Maliq Lilës. Vargjet e këngës kishin vetëm një autorësi:Maliqin e Tepelenës,që e bëri Tiranën të londronte në këngët e jugut. – Në këtë botë edhe floku bën hijen e tij,- tha Maliqi,kur shkoi pas disa vitesh në kryeqytet.

E ndjente pak atë, inferioritetin , që nuk kishte mundur të trajtohej si të tjerët, megjithatë në popull e kishte marrë emrin profesor, apo jo?
Në popull po. I madh dhe i vogël kështu i thoshnin ,por ishte i privuar .Nuk fliste ,ai heshtëte kur vinte puna për t’u përballur me ndonjë problem.Nuk kishte njerëz të tjerë që të kishin vuajtur si ai dhe të shkruanin si ai .Ky ndoshta ishte problemi i tij krijues ,donte të krijonte e të hidhte në letër .Shkruante kudo ,edhe në paketën e cigareve të tij, e hidhte vargun në kapakun e paketës “partizani” .E merrte motivin edhe në një muhabet kafeje .Në vitin 1981 ,kur ishte në një takim teatral, ndodhi që nuk e zgjatën turneun ,sepse kishte vrarë veten Mehmet Shehu.Fjeti në një dhomë hoteli dhe nuk dinte se si ta trajtonte atë që kishte ndodhur. Ditën e parë u quajt si aksidentale ,ditën tjetër e quajtën armik .E vetmja gjë që i shprehu vajzës së tij, Teutës, ishte: “Edhe muret kanë vesh” dhe i kishte thënë shprehimisht:”I vrau maskarai të gjithë” Vajza, nuk arrinte që ta kuptonte këtë gjë, se ishte ende e re ,vetëm 18 vjeçe. Dhe vajza e pyeti për herë të dytë: “Po për kë e ke fjalën?! Ai ia ktheu: Fli ti,fli.Gjumë tani! Kjo fjalë Teutës ,i kishte mbetur në mëndje .Kur u ndërrua regjimi ,Maliqi nuk rrëmbeu flamur si të tjerët.I afruan shumë gjëra.Miku i tij,Sabri Godua, donte ta vendoste kanditaturë për pushtetin vendor,që e kishte të marrë pa fushatë fare.Të gjithë e donin në Tepelenë.Sapo kishte marrë edhe mirënjohjen”Qytetar Nderi”. Ai e këndonte vargun që hidhte ,punonte natën në tavolinë .Në krah të tij makina e shkrimit. Këndonte sipas stilit të grupit,nën zë. Më tregonte vajza e tij vite më parë.Kur qeshte,kishte një varg lirik .Bënçën e kishte grupin bazë.Shumë herë gjërat i ndryshonte në skenë.Lëvizte shumë dhe cigarja i ishte gjithmonë në buzë.Cigarja që ndizej rishtaz e gjente të mëparshmen në buzë.Cigaren e kishte shokë të vërtet. Nuk punonte vetëm me Bënçën .Edhe me grupet e tjera.Me Buzin,Hormovën.Tekstet donte që ti këndonte ai në fillim pastaj nga grupi.
Punonte shumë për folklorin ,fjalën që ishte në gojën e popullit.
Kështu ngulmonte,zonë më zonë, pyeste,bënte intervista me të moshuar për të gjetur kuptimin edhe të një fjale. Kishte diktofon, por edhe me shënime.Çmonte këngën e Neço Mukës, kapedan Hodo Nivica ,Maro Kondi. I këndonte vet me kënaqësi.Ai çmonte batutën e.çastit ,për shembull” Ruhuni jo nga korrupsioni me brirë, por nga korrupsioni shyt,që nuk duket ,që i ka brirët brenda.Ishte mik me Rexhep Qosen.,se e vlerësonte për atë fjalën e ëmbël e të çastit që thoshte Maliqi. Edhe pushimet donin ti kalonin së bashku në Borsh.Në kuvëndet e shoqatës “Labëria”, kur vihej minutazhi për diskutimet, shoshin:të gjithë do ta respektojnë kohën e duhur, vetëm leje do tju japim Maliqit dhe Lefter Çipës,ta harxhojnë kohën ata.Këtej ishte Maliq Lila në Tepelenë dhe andej Lefter Çipa në Himarë,që ishte tharë e ishte bërë sa një cironkë.E kishte “tharë ” meraku i këngës.



















