Erion Veliaj u shpreh sot përpara trupës së Gjykatës Kushtetuese, se shkarkimi i tij nga detyra e kryetarit të bashkisë së Tiranës është një shkelje e rëndë e parimeve themelore të demokracisë.
Veliaj tha se gjendet përpara trupës së Gjykatës Kushtetuese, pas një sage të gjatë zhgënjyese për të dëgjuar se çfarë paska bërë që u rrëmbye nga zyra ku e kanë zgjedhur qytetarët dhe është mbyllur në një qeli me një regjim burgosjeje apo shoqërimi më të rëndë se të një vrasësi serial.
“Kam përjetuar një periudhë të gjatë të mbushur me shkeljet e të drejtave të mia si qytetar i kësaj republike, por mbi të gjitha një denigrim dhe përpjekje për të heshtur zërin e një të zgjedhuri tri herë radhazi nga qytetarët e Tiranës”, tha Veliaj.
Për Veliajn, “kjo nuk është një përçmim ndaj votës, të gjësë më të shenjtë që ka demokracia. Përçmimi ndaj saj, është përçmim ndaj forcës më të madhe që kanë qytetarët, ndaj fuqisë që populli i jep republikës për ta drejtuar”.
Veliaj tha se ndodhet në Gjykatën Kushtetuese pasi, sipas tij, demokracia është vendosur në sprovë me vendimin për shkarkimin e tij nga detyra. “Ky mandat nuk është mandati im, por një kontratë që qytetarët e Tiranës ma kanë dhënë me vullnetin e tyre si njerëz të lirë. Kjo besëlidhje është nderi i jetës sime dhe për mbrojtjen e saj do të bëj gjithçka që ma lejon ligji, fuqia e mendjes dhe forca e zemrës sime”, pohoi Veliaj.
Sipas Veliajt, askush nuk mund ta ndërpresë mandatin e një të zgjedhuri përpara afatit, përveçse kur ka bërë shkelje të rënda të Kushtetutës apo ligjit.
“Ky është një premtim solemn që Kushtetuta e bën, një kufi moral që askush nuk duhet ta shkelë, pasi më parë duhet të shkelë themelet e demokracisë. Përpjekja ime për të mbrojtur besëlidhjen me qytetarët e Tiranës edhe në kushtet e rrëmbimit, është detyrim i imi ndaj qytetarëve të këtij qyteti. Vota e lirë është më e fortë se kulisat politikë dhe ajo më shtyn që ta bëjë këtë betejë këtu”, theksoi ai.
Veliaj theksoi se “ato që Kushtetuta i mbron duhet të thuhen me zë të lartë, të dëgjohen nga çdo shqiptar që ligji duhet të të mbrojë dhe jo të të sulmojë pabesisht”.
“Në këtë seancë nuk po shqyrtohet një vend pune. Kjo është një seancë historike që shqyrton themelet e demokracisë. Kjo është çështja që do të vendosë njëherë e mirë nëse pushteti do t’i përkasë ende qytetarëve, apo do t’u merret atyre në mënyrë hileqare pas perdeve të sajuara me nene e germa. Ligji do ta mbrojë demokracinë, apo do ta përmbushë në emër të një formaliteti”, pohoi Veliaj.
Ai theksoi se, pretendimi për mosparaqitje në punë për më shumë se tre muaj është fyerja më e rëndë që i është bërë ndonjëherë.
“Mund ta burgosësh një njeri, por jo të vërtetën. E vërteta është se mosprezenca ime nuk ka qenë zgjedhja, pra unë nuk zgjodha që të vetërrëmbehem, të vetizolohem dhe vetinternohem në qytetin e Durrësit në një burg në kënetë, por pasojë e një izolimi të imponuar nga shteti, përmes një vendimi dispropocional nga letra anonime dhe zell persekutues që më privoi jo vetëm nga liria dhe familja, por edhe qyteti im”, tha Veliaj.
“Kjo fyerje erdhi nga bashkëpunëtorët e mi, që nuk denjuan as të më dëgjonin, as të më ftonin. Padrejtësia e shkarkimit mbi padrejtësinë e shoqërimit nuk e bën vendin tonë më të drejtë, sepse prandaj kemi përfunduar në Gjykatë Kushtetuese. Ky sot është një mesazh pasigurie ndaj kujtdo që nesër mund të shënjestrohet për arsye politike”, pohoi Veliaj.
Gjykata Kushtetuese po zhvillon sot seancën gjyqësore për shqyrtimin e ankimimit të Erion Veliajt, i cili kërkon rrëzimin e vendimit të këshillit bashkiak dhe më pas qeverisë për shkarkimin e tij.
Në seancë, Këshilli i Ministrave përfaqësohet nga avokatët Herald Jonuzaj, Vangelt Duni, Avokatja e Shtetit Irma Qosja. Presidenca përfaqësohet nga avokatët Hemion Braho, Ilirjan Rusmajli, Erjola Shia, ndërsa Erion Veliaj nga avokatët Ermal Yzeiraj dhe Alban Dokushi.
Më 25 shtator, Këshilli i Ministrave e shkarkoi Veliajn me 50 vota pro, pas propozimit të këshillit bashkiak duke u mbështetur në ligjin për qeverisjen vendore, me argumentin se nuk është paraqitur prej 3 muajsh në detyrë.
Më 1 tetor, Presidenti Bajram Begaj dekretoi zgjedhjet e pjesshme edhe për Tiranën, i cili me vendim të ndërmjetëm nga Gjykata Kushtetuese u pezullua deri në shprehjen përfundimtare për shkarkimin e Veliajt.
Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit, pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për masën e sigurisë “arrest në burg”, kërkuar nga SPAK.
Veliaj akuzohet në 9 raste për korrupsion pasiv. Gjithashtu akuzohet për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre si dhe futjen e sendeve të paligjshme në burg.





















