I shoh limonat të gjithë bashkë
me ca kokrra që mbajnë në krah
Janë ashtu siç i kam njohur
Janë po ata, janë po ata!
Limonat, porsi njerëzit thinjen
dhe të kujdesshëm ruajnë pamjen;
Gjithnjë i shoh me ngjyrë të verdhë
dhe asnjëherë s’i shoh të zbardhen.
I shoh limonat të gjithë bashkë;
me kokrrat hedhur në krah.
Janë po ata që i kam njohur!
Janë po ata, janë po ata!
POSTIERI VEÇ PËR NE PUNONTE
Kushedi sa letra njeri – tjetrit i kemi dërguar!
Postieri veç për ne të dy punonte.
Ndonjëherë ndoshta dhe qe munduar
nga gjumi të na zgjonte.
Le të mërzitej postieri sa të donte…
Ç’kishin letrat brenda kurrë s’i mësoi.
Se kur një zemër një tjetër zemër donte,
edhe dashuroi.
Kur erdhi për herë të fundit i gëzuar
ikte dhe pas vështronte sërish.
Përshëndeteshim si miq të përmalluar
dhe i thosha: – Mos harro, që në dasmë të na vish!






















