Plakja e popullsisë: Në 6 muaj, 10 mijë bebe dhe 23 mijë pensionistë

INFO

– Emigracioni si pasojë e  varfërisë dhe papunësisë është një nga shkaqet me peshë për plakjen e popullsisë

Sigal

– Numri i lindjeve me atë të vdekjeve është afër barazimit

– Shqipëria, dikur ishte vendi europian me moshën më të re, rreth 27 vjeç, sot ka arritur mesataren e moshës 35 vjeç

-Sipas parashikimeve të OKB, 49% e popullsisë së Shqipërisë do të jetë 65 vjeç e lart deri në vitin 2100, pesha më e lartë në botë dhe dyfishi i mesatares globale deri në atë vit.

-Sfida e një popullsie në plakje do të ndikojë në të gjithë sektorët e shoqërisë, duke përfshirë tregun e punës dhe financiar, kërkesën për strehim dhe transport, dhe veçanërisht strukturat familjare dhe lidhjet midis brezave.

 

Gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti numri i personave që trajtohen me pension pleqërie është rritur shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Të dhënat tregojnë se në gjysmën e parë të këtij viti 23 mijë persona dolën në pension ndërsa rreth 10 mijë fëmijë erdhën në jetë.

Këto ishin ritmet më të larta të rritjes në dy dekadat e fundit pasi në vend janë rreth 500 mijë njerëz që trajtohen me pension pleqërie.

Sociologët thonë se me këto ritme të moshuarit do të jenë gjenerata e së ardhmes dhe do të përbëjnë 30% të popullsisë së vendit.

Ata thonë se shkak për rritjen e numrit të të moshuarve dhe uljen e lindjeve është bërë emigrimi i të rinjve që më pas riprodhohen jashtë vendit.

Po kthehet në një gangrenë të pariparueshme shtimi i popullsisë së moshuar dhe largimi i popullsisë së re. Emigracioni shqiptar nuk është vetëm masiv, por është emigracioni i të rinjve, madje i të rinjve që riprodhohen në emigrim, jo në Shqipëri. Shtimi i popullsisë së moshuar kushtëzohet edhe nga fakti se në thelb është rritur mosha mesatare e popullsisë dhe pensionistët jetojnë më gjatë se më parë, ndaj dhe numri i tyre shtohet vazhdimisht.

Zgjidhja janë politika dhe shumë incentiva të cilat stimulojnë qëndrimin e të rinjve në vend dhe frenimin e të rinjve, pasi perspektiva e vendit janë të rinjtë. Janë mbi 60 mijë pensionistë që aktualisht punojnë, por kjo nuk është zgjidhje afatgjatë e situatës, por një lehtësim i sforcuar. Natyrisht ata punojnë pasi kanë përvojë të mjaftueshme profesionale dhe e kanë një zgjidhje të nevojshme në kushtet kur pensionet janë shumë të ulëta dhe nuk mjaftojnë për të bërë një jetë dinjitoze si pensionistë.