Hetim ndërkombëtar për pasaportën e Frrokut

Hetimet për dosjen e Arben Frrokut, jo si dosje për dënimin me burgim të përjetshëm, por si “krim i lënies së lirë prej shtetit për t’u arratisur nga Shqipëria” dhe i fshehjes jashtë Shqipërisë me pasaportë greke, por me identitet “shqiptari të greqizuar”, duket se po shkojnë drejt një “adrese” falsifikatorësh me “status” koncesionarësh, që edhe koncesionin që disponojnë prej 9 vitesh e kanë futur në “kthetra” me pazare të pista, të bëra me Ministrinë e Brendshme Shqiptare. Burime të “Telegraf” nga shërbimet e hetimit ndërkombëtar, bëjnë me dije se ka dyshime konkrete, që pritet të përcaktojnë”laboratorin” e prodhimit të pasaportës greke, me të cilën ka qëndruar në arrati Arben Frroku, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e ish-komisarit Dritan Lamaj. Dhe “gjurma”: e këtij dyshimi, ose më saktë ndjekje e “gjurmës” së krimit të prodhimit të pasaportës së falsifikuar të Arben Frrokut, me emër dhe identitet të një “korçari të greqizuar”, po i çon shërbimet e hetimit ndërkombëtar tek “porta” e firmës koncesionare franceze, që kryen aktivitet biznesi prodhimi pasaportash e kartash identiteti në Tiranë, me emrin “Sagem”, por që në fakt edhe vet kjo firmë e “përkëdhelur” prej shtetit shqiptar, po vepron me 4 identitet të ndryshme si “Aleat”, “Safran Morpho”, “Morpho” etj.


 Ministria e Brendshme e cila është Autoriteti Kontraktor i këtij koncesioni dhe që ka detyrimin Kushtetues të kontrolloj zbatimin e këtij shërbimi që ka lidhje me sigurinë kombëtare dhe me regjistrin e gjendjes civile bazike të identitetit të çdo shtetasi shqiptar, mësohet se ka marrë informacion lidhur me dyshimin që kanë krijuar e që po gjurmojnë për zbulim ndërkombëtarët, për të vërtetuar, nëse pasaporta me të cilën qarkullonte e jetonte jashtë Shqipërisë Arben Frroku me emrin “Renato Tsepa”, mund të jetë prodhuar në “fabrikën” që prodhon pasaporta e karta identiteti shqiptare në Tiranë. Prej 3 ditësh, hetimi ndërkombëtar ka nisur procedurat bashkëpunuese me shtetin shqiptar e më konkretisht me Ministrinë e Brendshme si institucioni përgjegjës për licencimin e prodhimit të pasaportave e kartave. Nuk ka asnjë informacion, nëse ministria “Tahiri” e ka hapur “porton” për të verifikuar këtë skandal të pritshëm e të rëndë shtetëror, të “gatuar” nën “hundën” e shtetit nga firma “Sagem”. Por shërbime inteligjente e ato hetimore ndërkombëtare, mësohet se kanë “trokitur” tek “porta” e firmës “Sagem” nëpërmjet “vistos” së Ministrisë së Brendshme, të Prokurorisë së Përgjithshme dhe të një “vendimi special” të Gjykatës së Krimeve të Rënda, madje edhe me “leje” të kryeministrit shqiptar. Nuk e dimë, nëse “gjurmët” që kanë pikasur dhe kanë “nuhatur” hetimet ndërkombëtare janë në adresën e duhur me emrin “Sagem”, por dihet fakti, që firma koncesionare “Sagem”, ka një histori abuzive me procedurat, mos cilësinë, pasigurinë, “pavarësinë” dhe parregullsinë e prodhimit të pasaportave e kartave të identitetit, të cilat në shumë raste kanë rezultuar të prodhuara edhe false, madje edhe 100% të pasigurta, pa asnjë mundësi minimale për të identifikuar realisht personat që i posedojnë e i përdorin. Urojmë të mos jetë e vërtetë, që pasaporta ndërkombëtare false e Arben Frrokut me emrin dhe identitetet “Renato Tsepa” të jetë prodhim i firmës “Sagem”, mbasi kjo do të jetë një goditje e rëndë përfundimtare, që do të krijoj bllokazh afatgjatë për mos integrimin e Shqipërisë në BE. 
———————————-
Telegraf ka denoncuar publikisht prodhimin e pasaportave e karateve fakse dhe të pasigurta prej “Sagem” 
Gazeta “Telegraf” ka publikuar një “Raportit sekret” të hartuar prej Ministrisë së Brendshme, i cili është një “sirenë” alarmi për të vepruar urgjentisht jo vetëm për bllokimin e prodhimit të pasaportave e kartave të identitetit prej firmës “Sagem” dhe për marrjen nën kontroll të serverit të të dhënave të shqiptarëve, por edhe për çuarjen e “Sagem” përpara ligjit për një krim në ndihmë të botës së krimit që ka hapësira fshehje e shpëtimi për shkak të shërbimit të pasigurt e jo të plotë teknologjikisht në prodhimin e pasaportave e kartave dhe krijimit të serverit, duke shkëputur edhe ndër-veprimin krahasues me sistemin verifikues të gjurmëve të gishtave, pëllëmbëve të duarve e të dhënave të tjera identifikuese që disponon Policia e Shtetit. Çfarë ndodh? “Sagem” nuk realizon “Ndërfaqen” e gjurmëve të gishtave, bllokon lidhjen e sistemit “AFIS” me sistemin “AFIS/APIS-Papillon 7” të policisë dhe nuk fut teknologjinë që kërkon sistemi, por punon me teknologji të kohës së Luftës së Dytë Botërore! Në sektorin e Daktiloskopisë të Drejtorisë Policisë Shkencore, që nga muaji tetor i vitit 2002 ndodhet i instaluar sistemi “AFIS/APIS PAPILLON-7”, i cili deri sot ka funksionuar normalisht, pa asnjë defekt apo problem. Ky sistem është blerë me fondet buxhetore të Policisë së Shtetit. Por çfarë ndodh me këtë sistem? Sipas kontratës koncesionare, “Sagem” apo “Aleat”, ose së fundi edhe me emrin “Safran Morpho” siç i ndryshon identitetet e saj në çdo vit, përpara se të fillonte prodhimi i Pasaportave e Kartave të Identitetit, duhej të realizonte “Ndërfaqen” (Interface) midis sistemit “AFIS CIVIL” që është prodhim “Morpho” dhe sistemit “AFIS/APIS-Papillon 7” të Policisë së Shtetit Shqiptar, në mënyrë që të bëhej krahasimi i gjurmëve të gishtave “on-line” i çdo personi që aplikonte për kartë, apo pasaportë në sistemin “AFIS” të Policisë së Shtetit. 
Sigal