Cristiano Ronaldo shfrenon fantazinë: Kampionati saudit mund të bëhet mes 5 të parëve në botë

98
Sigal

Thuajse të gjithë janë të sigurt se po të mos ishin milionat që përfiton, Kristiano Ronaldo nuk do të kishte shkuar të luante kurrë në kampionatin e Arabisë Saudite. Por vetë ylli portugez, duke folur nga grumbullimi i përfaqësueses së tij para sfidës në kualifikimet e Euro 2024 ndaj Lihtenshtejnit, ka mbrojtur me forcë aktivitetin në të cilin aktivizohet që nga janari i këtij viti.

“Ndjehem mjaft mirë. Po të mos ishte kështu, nuk do të isha këtu. Jam në një kampionat shumë konkurrues, duhet parë kampionati i Arabisë Saudite në një mënyrë tjetër.

Qartësisht, nuk është si Premier Liga, do të gënjeja nëse do e thosha një gjë të tillë, por është konkurrues. Më ka çuditur në mënyrë pozitive. Ka skuadra të mira, është i ekuilibruar, lojtarët arabë janë të aftë, të huajt i japin më shumë cilësi. Ndoshta do të bëhet, brenda 5 apo 6 vitesh, kampionati i 4-t apo i 5-të në botë”, theksoi ylli portugez, i cili ndonëse pranoi se kishte menduar tërheqjen nga kombëtarja e vendit të tij, kishte vendosur në fund që të vazhdonte.

“Roli im në kombëtare, në 10-15 vitet e fundit, ka qenë gjithmonë i njëjti. Nëse më duan, do të jem gjithmonë këtu. Motivimi im është i pandryshueshëm, vit pas viti, është njëlloj sikur të ishte hera e parë. Unë dashuroj të luaj me ekipin kombëtar. Kanë kaluar 10 vite dhe të jem këtu nuk është e thjeshtë, ndaj jam shumë i lumtur. Nëse ekipi kombëtar më cilëson si një aset, do të bëj gjithmonë më të mirën time për të ngjitur Portugalinë në nivelet më të larta, bashkë me shokët e mi të skuadrës. Kjo është shtëpia ime”, theksoi Ronaldo para mediave.