Protokolli i bashkëpunimit/ Ministri Çuçi dhe Kreu i Policië Nano takim me homologen italiane: Punojmë së bashku duke goditur krimin

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi priti në takim homologen e tij, Ministren e Brendshme të Italisë, Luciana Lamorgese, e cila ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare me rastin e 25 vjetorit të nënshkrimit të Protokollit të Mirëkuptimit Shqipëri-Itali në Fushën e Sigurisë. Ministri i Brendshëm i Shqipërisë thotë se 25 vite më pas Shqipëria ka krijuar besim të fortë dhe respekt reciprok te fqinjët, ndryshe nga 25 vite më parë kur eksportonte pasiguri. “Ndryshe nga çerek shekulli më parë kur Shqipëria përjetoi kolapsin e vitit të mbrapshtë 1997 sot kemi arritur të krijojmë besim të fortë dhe respekt reciprok teksa vijojmë të qëndrojmë krah njëri-tjetrit dhe frontalisht të vendosur kundër krimit”,- shprehet ministri Çuçi. Më tej Ministri Çuçi e falënderoi homologen italiane për mbarëvajtjen e finales së UEFA Conference League, teksa theksoi gjithashtu se ky event dëshmoi edhe njëherë se ne dimë të funksionojmë si një trup i vetëm përballë sfidave, që lidhen me rendin dhe sigurinë. Në vijim ministri Çuçi ndau me ministren e Brendshme të Italisë, Luciana Lamorgese, projektin për transformimin e Akademisë së Sigurisë.

“E njoha gjithashtu ministren Lamorgese me punën, që kemi nisur për transformimin rrënjësor të Akademisë tonë të Sigurisë, me një riorganizim total dhe programe edukimi të modernizuara sipas standardeve më të mira bashkëkohore.” Sipas tij të dy vendet tona kanë një marrëdhënie speciale dhe bashkëpunimi dypalësh është shumë më i zgjeruar dhe më i ngushtë nga sa parashikojnë marrëveshjet, memorandumet apo protokollet. Vetë ministrja italiane, Luciana Lamorgese vlerësoi progresin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë në fushën e rendit, sigurisë dhe çështjeve të brendshme.

Sigal

Gledis Nano takohet me homologun italian Lamberto Giannini: Gëzuar 25-vjetorin e nënshkrimit të Protokollit të Bashkëpunimit, mes Shqipërisë e Italisë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Gledis Nano, u takua përzemërsisht me homologun e tij italian, Prefektin Lamberto Giannini.  Takimi në 25 vjet bashkëpunim ligjor, profesional dhe miqësor mes Policisë së Shtetit dhe Policisë italiane. Nano u shpreh se ishte një kënaqësi takimi me kolegun dhe mikun Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë italiane, Prefekt Lamberto Giannini. Një përqafim i natyrshëm mes miqsh tregon jo vetëm ndërveprim zyrtar dhe formal, por mbi të gjitha besueshmëri dhe respekt për punën e përbashkët. Nano ka uruar të gjithë: Gëzuar 25-vjetorin e nënshkrimit të Protokollit të Bashkëpunimit në fushën e sigurisë, ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë. Bashkërisht jemi të vendosur të luftojmë trafiqet e paligjshme, trafikimin e lëndëve narkotike, që mund të kryhet nëpërmjet pikave të kalimit kufitar tokësor apo detar, për monitorimin e territorit të Republikës së Shqipërisë, me qëllim parandalimin e kultivimit të kanabisit, si dhe për të zhvilluar hetime dhe operacione të përbashkëta për goditjen e grupeve që ushtrojnë veprimtari kriminale në fushën e krimit të organizuar.”

TAKIMET NE WASHINGTON

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, gjatë vizitës disaditore në Uashington, zhvilloi një sërë takimesh të rëndësishme, me zyrtarë të lartë të agjencive ligjzbatuese në Amerikë. Takimet që zhvilloi me zyrtarë të lartë të agjencive ligjzbatuese amerikane kishin si qëllim rritjen e bashkëpunimit për shkëmbim informacioni, hetime dhe operacione të përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit, si dhe për të përforcuar marrëdhëniet e ngushta dhe bashkëpunuese midis Policisë së Shtetit shqiptar dhe qeverisë së SHBA-së. Drejtori i Përgjithshëm Nano u takua me Zëvendësndihmës Prokurorin e Përgjithshëm, njëkohësisht Këshilltar për Çështjet Ndërkombëtare të Departamentit të Drejtësisë, Bruce Sëartz, shefin e Operacioneve të Jashtme të Administratës së Zbatimit të Drogës (DEA), George Papadopoulos, dhe drejtues të lartë nga Byrotë Diplomatike të Departamentit të Shtetit për Sigurinë dhe Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit.       Vizita e Drejtorit të Përgjithshëm Gledis Nano tregoi rëndësinë në rritje të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar brenda Shqipërisë, nëpërmjet transparencës, besimit, operacioneve të përbashkëta dhe trajnimeve. Homologët amerikanë vlerësuan vendosmërinë e Policisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit dhe ofruan mbështetjen e tyre për Policinë shqiptare, në të ardhmen.  Gjithashtu, Policia e Shtetit shqiptar u vlerësua për rolin e saj në ndihmën e afganëve të zhvendosur në Shqipëri, vitin e kaluar.