Futbollisti më i pasur në botë, Faiq Bolkiah, u detyrua të largohej nga klubi portugez Maritimo pasi as aty nuk e gjeti lumturinë.
Bolkiah, një kushëri i Sulltanit të Bruneit, Hassan Bolkiah dhe djali i Princit Jefri Bolkiah, është përpjekur me dëshpërim të ndërtojë emrin e tij në botën e futbollit. Megjithatë, që në fillim karriera e tij shkoi drejt greminës.
Anësori dhe kapiteni i kombëtares së Bruneit u largua nga skuadra portugeze e Maritimo-s pasi nuk arriti të gjente një vend në formacion. Ai mbërriti në Portugali nga Leicester ku veshi fanellën e ekipit B.
Bolkiah kaloi nëpër shkollën e të rinjve të klubeve angleze të futbollit. Ai luajti për Southampton dhe Chelsea përpara se të bashkohej me Akademinë e Leicesterit në 2016.
“Kemi arritur marrëveshje me Faiq Bolkiah për zgjidhjen e kontratës. I jemi mirënjohës për angazhimin që ka treguar në shërbim të klubit dhe i urojmë fat në të ardhmen”, ka thënë Maritimo.
Pas një ndarjeje të dhimbshme, është e paqartë se ku dhe nëse Bolkiah, i cili zotëron një pasuri prej 13 miliardë paundësh, do të vazhdojë karrierën e tij futbollistike.