Pas mjerimit ekonomiko-shoqëror, keqqeverisjes, rrënimit arsimor e kulturor, mungesës së vetorganizimit politik e shoqëror etj., që kanë kapluar vendin, duket se apatizmi i shoqërisë shqiptare nuk merr fund. Nuk dihet nëse kjo ndodh prej bllokimit të energjisë shoqërore që shkaktojnë të gjitha këto fenomene të errëta apo sepse shoqëria jonë ende nuk ka marrë atë stimul të fuqishëm për të reaguar. Fjala bie tek CEZ (që veç përmendja e emrit të saj të kall krupën). Ndaj veprimeve arbitrare të kësaj kompanie çeke duhet thënë se shqiptarët kanë reaguar, deri diku, dhe nuk mund t’i hyjmë në hak sepse kanë vuajtur edhe pasojat nga ky reagim, duke u ndaluar dhe burgosur padrejtësisht gjatë protestave për mungesë energjie në banesat e tyre.
CEZ erdhi në Shqipëri në vitin 2009 me 102 milionë euro, dhe ka investuar 90-100 milionë euro për riparimet dhe zgjerimet e saj në vend. Ardhja e saj (e dyshimtë) solli menjëherë edhe problemet e para dhe të pafundme, që do të hasnin shqiptarët me nevojën më bazike që ekziston: furnizimin me energji elektrike! Gjithsesi vendimi për t’i hequr CEZ-it licencën e shpërndarjes së energjisë elektrike, që u mor ditën e hënë nga autoritetet shqiptare, mendohej se do t’i jepte fund kësaj historie të shëmtuar dhe problemeve që gjeneron kjo kompani, por nuk po ndodh kështu. Duket se kryeministri cek është indinjuar shumë nga veprimi i autoriteteve shqiptare, për heqjen e licencës ndaj CEZ, aq sa është shprehur se kjo mund të ndikojë dhe në mohimin e mbështetjes së shtetit Çek për integrimin e Shqipërisë në BE. Deklaratë e fortë kjo! Ai gjithashtu është shprehur se do të mbështesë CEZ për çdo dëmshpërblim që mund të kërkojë CEZ nga ardhja e saj në Shqipëri. Por, a e di z. kryeministri çek se sa dëme kanë hasur shqiptarët nga kjo kompani në vendin e tyre? Ditët dhe netët e gjata pa drita, faturat me shifra absurde e në stratosferë dhe trajtimin jo njerëzor që kanë marrë sa herë janë hasur me operatorët e kësaj kompanie! Jo, besoj se ai nuk ka njohuri për të gjitha këto. Sepse ndryshe nuk do të kërkonte që të rivlerësohej licenca ndaj CEZ. Por nuk është i gjithë faji i CEZ-it në këtë amulli sepse që CEZ-i të vazhdonte pa u shqetësuar nga ligji shqiptar vjedhjet, abuzimet dhe mashtrimet sistematike, nuk ka dyshim që kishte mbrojtjen e qeverisë shqiptare, tëMETE-s, të KESH-it, të ERE-s. CEZ ju la dorë e lirë, u la jashtë kontrollit, ndaj saj nuk u kërkua asnjë ditë llogari për të zbatuar detyrimet që kishte në pakësimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes të energjisë elektrike, nuk iu kërkua asnjë herë llogari për mosinvestimet në tërë vitet e aktivitetit të saj në Shqipëri. CEZ-it nuk iu kërkua kurrë që të shlyente detyrimet financiare që kishte ndaj KESH-it. Ligji shqiptar, lejoi që CEZ-i, në kundërshtim me çdo të drejtë ligjore, u merrte shqiptarëve kamatëvonesë 100 %, praktikë kjo, që nuk zbatohet asgjëkund dhe, njëkohësisht, CEZ-i nuk paguante asnjë kamatëvonesë për milionat dollarë që kishte borxh vite me radhë!
Kjo kompani, së fundmi, duhet të përgjigjet edhe për 600 milionë dollarët borxh, që po i lë shtetit shqiptar për t’i paguar. Dhe nga ana tjëtër qeveria jonë duhet të përgjigjet për të gjitha ndalimet, arrestimet dhe keqtrajtimet që i ka shkaktuar qytetarëve të saj duke mbrojtur një kompani të papërgjegjshme dhe gjakpirëse që vetem probleme po i hap. Ndërtimi intitucionalo-politik i shoqërisë shqiptare, duke se nuk është në pararojë të të gjitha zhvillimeve të mësipërme dhe ai që po i vuan të gjitha këto, si gjtihmonë, është konsumatori shqiptar.
Kryeministri NECAS: Heqja e licencës së CEZ sinjal negativ për integrimin në BE
Kryeministri çek, Petr Necas, ka kërcënuar Shqipërinë me bllokim për integrimin në Bashkimin Europian, pas vendimit për t’i hequr licencën kompanisë CEZ. Këtë prononcim ai e ka dhënë në një intervistë për Fox Business. Ai është shprehur se zgjidhja e drejtë e kësaj situate është parakusht për të vazhduar drejt aspiratës së Shqipërisë për tu bërë pjesë e Bashkimit Europian. Më poshte gjeni të plotë deklaratën e tij drejtuar qeverisë shqiptare:
“Heqjen e licencës ndaj CEZ, investitori më i madh Çek në rajon, nga ana e autoriteteve shqiptare e shoh si një sinjal shumë negativ për marrëdhëniet tradicionalisht të mira dhe miqësore mes dy vendeve. Qasja e autoriteteve shqiptare ndaj CEZ është një zhgënjim i vërtetë. Një parakusht themelor për çdo vend që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian është aftësia e tij për të siguruar funksionimin e një shteti që respekton ligjin dhe siguron një mjedis të shëndoshë për investimet, duke përfshirë këtu mbrojtjen e investimeve të huaja.
Unë kam qenë i bindur se Shqipëria ishte një nga këto vende. Për këto arsye, Republika Çeke nuk mund ta injorojë këtë qasje të mbajtur ndaj një investitori Çek, në dritën e shpresave integruese shqiptare. Për anëtarësimin në Bashkimin Evropian Shqipëria duhet të tregojë se është një shtet që respekton sundimin e ligjit dhe respekton rregullat bazë që rregullojnë mjedisin standard të tregut. Dhe në bazë të marrëdhënieve tradicionalisht miqësore ndërmjet Republikës Çeke dhe Shqipërisë, unë besoj se qeveria shqiptare do të jetë e interesuar që të zhvillojë kushtet për një zgjidhje të kënaqshme ndaj kësaj situate, duke arritur marrëveshje dhe në këtë mënyrë të shmangi çdo përshkallëzim të mëtejshëm të problemit.
CEZ ka mbështetjen time të plotë në çdo kërkesë për dëmshpërblim që ka pësuar gjatë qasjes së shqiptarëve. Megjithatë kjo është edhe detyrë e menaxhimit të CEZ për të shqyrtuar përvojën e tyre nga ky investim i rrezikshëm, për të nxjerrë përfundime për ideatorët e projektit dhe për të shmangur investime të ngjashme në të ardhmen”.



















