Alarmi, hakerët marrin planet e centraleve bërthamore dhe burgjeve të sigurisë së lartë në Francë

456
Sigal

Hakerët kanë hyrë në dokumente konfidenciale rreth centraleve bërthamore dhe burgjeve me anë të një sulmi kibernetik, njoftoi media.

Sipas raportit, disa nga të dhënat u gjetën në një server të marrë me qira në Gjermani.

Mijëra dokumente të ndjeshme që kanë të bëjnë me centralet bërthamore, burgjet dhe rrjetet e tramvajeve janë vjedhur nga serverët e një kompanie franceze përmes sulmeve në internet, njoftuan mediat gjermane dhe franceze.

Të dhënat e qasura në mënyrë të paligjshme nga kompania franceze “Ingerop” në qershor arritën në më shumë se 65 gigabajt, sipas njoftimeve të transmetuesit publik gjerman NDR, të përditshmes Süddeutsche Zeitung dhe gazetës franceze Le Monde.

Një zëdhënëse nga “Ingerop” e cituar nga NDR tha se –“ më shumë se 11,000 fotografi nga një duzinë projektesh u morën”.

Ata thanë se materialet përfshinin plane që tregonin vendet e planifikuara të kamerave për një burg të sigurisë së lartë në Francë, dokumente për një depo të planifikuar të mbeturinave bërthamore në Francën verilindore dhe informacione personale për më shumë se një mijë punëtorë të “Ingerop”.

Disa nga dokumentet lidheshin me uzinën bërthamore Fessenheim në kufirin me Gjermaninë, thanë njoftimet.

“Ingerop” tha se jo të gjitha planet ishin realizuar. Kompania gjithashtu tha se i kishte informuar konsumatorët e prekur dhe vendosi masa të paspecifikuara të sigurisë.

Sipas raporteve, hetuesit gjetën disa nga të dhënat e “Ingerop” në një server me qira në qytetin gjerman të Dortmundit. Kompania ka qenë objektivi i kritikave nga aktivistët anti-bërthamorë francezë dhe gjermanë në muajt e fundit për përfshirjen e saj në planifikimin e një vendi nëntokësor të hedhjes së mbeturinave bërthamore në Lorraine që do të ndërtohet në vitet e ardhshme.

Nëse do të ndërtohet, depoja do të ishte vetëm 125 kilometra nga kufiri gjerman.