Kryeministri Edi Rama tha sot se angazhimi i drejtpërdrejtë në hartimin e paketës së re të garancive në Kodin e Procedurës Penale, nën drejtimin, disiplinën dhe integritetin e domosdoshëm europian, ka qenë themelor për rezultatin e arritur. “Mbështetja e çmuar e qeverisë së Italisë dhe Francës na hapi dyert e një ekspertize të klasit të parë, ndërsa kontributi i profesorëve dhe magjistratëve italianë, francezë dhe holandezë i ka dhënë paketës thellësinë krahasuese që një reformë e tillë kërkon”, tha Rama gjatë prezantimit të kësaj pakete.
Kodi i ri i Procedurës Penale, nxjerrja e sekretit hetimor, përgjegjësi për prokurorët, oficerët dhe avokatët
Me ndryshimet e reja në Kodin e Procedurës Penale prezumimi i pafajësisë merr peshë më të madhe. Prokurori, oficeri, avokati apo profesionisti që ka detyrimin ta ruajë sekretin hetimor, duke nxjerrë të dhëna, do të mbajë përgjegjësi. Në lidhje me prezumimin e pafajësisë organet hetimore detyrohen që të kenë kujdes të veçante me gjuhën që përdorin në dokumentet zyrtare.
Prokurori, oficeri, avokati apo profesionisti që ka detyrimin ta ruajë sekretin dhe e shkel atë, do të duhet të mbajë përgjegjësi. Kjo normë nuk synon në asnjë mënyrë të krijojë një polici mendimi ndaj medias. Përgjegjësia nuk bie asnjëherë mbi median, por bie mbi atë që ka detyrimin ligjor ta ruajë sekretin dhe që e nxjerr atë nga dosja.Edhe gjuha e akteve zyrtare duhet të respektojë pafajësinë. Askush nuk mund të paraqitet si fajtor përpara një vendimi të formës së prerë. Kur kjo shkelet, personi fiton një mjet të shpejtë për korrigjimin e aktit”, tha Rama.
Të dhënat jashtë objektit të hetimit, të papërdorshme si provaJeta private dhe korrespondenca, veçanërisht ajo telefonike, do të kenë mbrojtje të posaçme me ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale. Organet hetuese nuk do të mund të kontrollojnë përmbajtjen e celularëve pa autorizim të gjykatës, e cila do të përcaktojë pajisjen, kategoritë e të dhënave, aplikacionet, periudhën dhe kriteret e kërkimit. Çdo informacion i marrë jashtë kufijve të autorizimit do të jetë i papërdorshëm.
Gjykata duhet të shqyrtojë masat më të buta para arrestit në burg! Prokurori duhet të argumentojë çdo muaj për vijimin e masës
Me draftin e Kodit të ri të Procedurës Penale, paraburgimi do të jetë alternativa e fundit. Drafti, i prezantuar nga kryeministri Edi Rama përcakton qartë se Gjykata para se të caktojë një masë arrest me burg do të duhet të shqyrtojë fillimisht masat më të buta të sigurisë dhe arrestin në shtëpi.Arresti në burg do të vendoset vetëm kur alternativat e tjera janë të pamjaftueshme. Sa herë caktohet arresti, gjykata duhet të vlerësojë edhe garancinë pasurore, të llogaritur sipas gjendjes reale financiare të personit.Ndryshon edhe afati brenda të cilit prokurori duhet të raportojë për vazhdimin e masës së sigurisë. Nga raportimi çdo muaj, me ndryshimet e reja raportimi do të bëhet një herë në dy muaj, ku prokurori duhet t’i argumentojë gjykatës nëse vazhdojnë të ekzistojnë arsyet për mbajtjen në fuqi të masës arrest në burg.
Procedimi regjistrohet sapo prokurori merr dijeni për veprën, i hetuari njoftohet! Rama: S’ka më hetime në sirtar
Gjatë prezantimeve të ndrushimeve, kryeministri Rama tha se hetimet e fshehura s’kanë vend në shtetin e së drejtës.Ndryshon edhe kriteri për dërgimin e një çështjeje në gjyq. Standardi aktual i “provave të mjaftueshme” parashikohet të zëvendësohet me “pritshmërinë e arsyeshme për dënim”. Prokurori duhet të peshojë provat e akuzës dhe të mbrojtjes dhe të argumentojë pse çështja ka gjasa reale të përfundojë me dënim.
Rama: Nuk cenohet reforma në drejtësi! Forcon kontrollin e gjykatës, të drejtat vlejnë për të gjithë
Paketa e re ligjore për Kodin e Procedurës Penale nuk cenon progresin e reformës në drejtësi, tha kryeministri Rama. Ai theksoi se lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit e çdo vepre tjetër penale duhet të vijojë, por duke respektuar të drejtat dhe forcuar kontrollin e gjykatës.
Rama: Lejohen me kërkesën e të pandehurit dhe viktimës
Drafti i ri i Kodit të Procedurës Penale parashikon edhe transmetimin e drejtpërdrejtë të seancave gjyqësore. Me kërkesën e të pandehurit dhe të viktimës dhe me autorizimin e gjykatës, seanca mund të transmetohet drejtpërdrejt, duke mbrojtur të drejtat e të tretëve dhe të viktimave.
“Me kërkesën e të pandehurit dhe viktimës dhe autorizimin e gjykatës, seanca mund të transmetohet drejtpërdrejt duke mbrojtur të drejtat e të tretëve dhe viktimave”, tha Rama.
Jo ‘arrest në burg’ për veprat me dënim nën 5 vite, asnjë masë shtrënguese deri në 3 vite burg! Përjashtohen gratë shtatzënë dhe nënat me fëmijë nën 6 vjeç
Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale kufizojnë përdorimin e arrestit në burg. Për veprat me dënim maksimal nën 5 vjet nuk do të caktohet arrest me burg për të gjitha veprat penale. Gjatë prezantimin të draftit nga kryeministri Edi Rama, i bë me dije se me Kodin e ri të Procedurës Penale masat shtrënguese (si arresti në shtëpi, detyrim paraqitje, garancia pasurore apo ndalimi për të dalë jashtë shtetit) nuk do të vendosen për dënime deri në 3 vite, për të gjitha veprat penale. Po ashtu, kur gjyqtari mendon se dënimi do jetë më i vogël se 3 vite burg, personat e dyshuar nuk do të lihen në paraburgim.Mbrojtje e posaçme parashikohet edhe për prindërit dhe kujdestarët e fëmijëve. Nuk do të caktohet arrest në burg për gratë shtatzënë nënat me fëmijë nën 6 vjeç, për baballarët që janë kujdestarët e vetëm të fëmijëve, si dhe për kujdestarin e një fëmije të cilit i kanë vdekur prindërit.






















